19 August 2011

Ramazani dhe dobitë e tij

Ermal BEGA*

RAMAZANI DHE DOBITË E TIJ**

“O ju besimtarë, agjërimi është bërë obligim për ju ashtu siç ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, që të bëheni të devotshëm (që të mund të ruheni nga të këqijat).”
(Sure El-Bekare, ajeti 183)

Ky ajet, që është shumë i qartë dhe shumë i veçantë gjithashtu në lidhje me agjërimin, mund të gjendet pothuajse në të gjithë artikujt dhe shkrimet që shkruhen në lidhje me Ramazanin, dhe agjërimin në atë muaj.
Ajeti i cituar më lartë tregon se agjërimi si rit ka qenë i obliguar edhe para ardhjes së Profetit Muhamed a.s. për popuj të mëhershëm. Disa prej tyre janë shfarrosur, e disa prej tyre jetojnë ende edhe sot, siç janë, kinezët, indianët, persianët, egjiptianët etj. Në ungjillin e Mateut dhe të Lukës në Bibël flitet gjithashtu për agjërimin. Dispozitat e agjërimit në Dhiatën e Vjetër janë të paqarta, mirëpo dihet që Musai a.s. agjëronte nga dyzet ditë.
Ndërkohë që disa popuj agjërimin e kuptonin si vetëmundim - duke mos ngrënë asgjë për një kohë të gjatë (brahmanët dhe budistët), të tjerët hanin, duke lënë vetëm mishin dhe dhjamin e kafshëve (të krishterët). Agjërimi në Islam nuk është as si njëra e as si tjetra, por mund të thuhet se agjërimi islam është një kombinim i të dyjave. Pra, ai është një mes i artë.
Agjërimi i Ramazanit është kushti i tretë i shtyllave të Islamit. Koha e fillimit dhe e mbarimit të agjërimit përcaktohet me kalendarë të bazuar në vrojtime astronomike të përgatitura nga institucione shkencore e zyrtare kompetente. Muaji i Ramazanit përcaktohet sipas kalendarit hënor, prandaj, në disa vite ka 29 ditë, e, në disa vite, 30 ditë (por mund të ndodhë që të ketë edhe 28 ditë).
Agjërimi i muajit Ramazan, njësoj si falja e namazit, llogaritet si arritjet më të larta të devotshmërisë. Ai tregon bindje në besimin e vërtetë. Ndërkohë, mëshira e Allahut ndaj njerëzve është më e madhe gjatë Ramazanit, sepse agjëruesit jo vetëm që heqin dorë nga ngrënia, pija dhe ushqimet e tjera, por gjithashtu heqin dorë dhe nga veprat dhe fjalët e këqija. Në këtë mënyrë mes njerëzve krijohet një ndjenjë e veçantë solidariteti, mëshire dhe bamirësie.
Agjërimi është muaj i durimit dhe shpërblimi për të është Xhenneti. Kush i afrohet Allahut në këtë muaj me çdo lloj bamirësie, do t’i njihet sikur të bëjë obligimin e domosdoshëm në ndonjë muaj tjetër. Në këtë muaj besimtari sakrifikon shumë gjëra nga jeta e tij materiale duke iu dedikuar adhurimit ndaj Allahut. Sa më e madhe të jetë sakrifica në emër të Allahut, aq më i sinqertë dhe më i thellë është besimi. Për këtë arsye, agjërimi është dhe flijim i dëshirave të caktuara, dhe njëkohësisht ndër dëshmitë më të forta të imanit të sinqertë të muslimanit. Për këtë, Muhamedi a.s. ka thënë: “Agjërimi është gjysma e durimit, e durimi është gjysma e imanit-besimit”.
Njësoj si te të gjitha adhurimet, edhe te agjërimi, parimet themelore janë besimi, vetëdija dhe ndërgjegjja, sinqeriteti në kryerjen e adhurimit për hir të Zotit dhe i bindur plotësisht për dobinë e tij në këtë botë dhe në tjetrën, dhe pritja e shpërblimit vetëm nga Zoti. Ashtu si për të gjitha adhurimet, edhe agjërimi është çështje vetëm mes njeriut dhe Zotit. Ai është një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe në formimin e personalitetit islam. Gjithashtu, agjërimi është njëri ndër faktorët më të efektshëm në zhvillimin dhe edukimin e vullnetit të njeriut.
Në këtë muaj ka nisur shpallja e Kur’anit të Madhëruar dhe Allahu i Madhërishëm pikërisht për këtë në Kur’an Famëlartë thotë: “Muaji i Ramazanit në të cilin (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)”. (Kur’ani, 3:97) Leximi sa më shumë i Kur’anit n këtë muaj, e bën besimtarin që ta kuptojë sa më mirë besimin dhe fenë e tij, dhe në të njëjtën kohë e udhëzon më shumë për jetën e tij personale, familjare dhe shoqërore.
Agjërimi i vështruar nga ky këndvështrim është një akt hyjnor më i rëndësishëm se shumë ibadete të tjera. Kjo për arsye se agjërimi është padyshim legjitim i besimit të sinqertë. Të gjitha detyrimet e tjera fetare, namazi, zekati, haxhi etj. pak a shumë mund të kryhen edhe për shkaqe apo motive të tjera, madje edhe për hipokrizi. Kjo është dhe arsyeja pse Allahu për agjërimin premtom shpërblim të posaçëm.
Përveç zbatimit fetar të kryerjes së këtij obligimi për muslimanët, agjërimi tek njeriu gjithashtu ndikon dhe në aspekte të tjera të ndryshme. Agjërimi tek njeriu zhvillon ndjenjat e mëshirës e të ndihmës reciproke ndaj njëri-tjetrit. Ai agjëruesit i forcon vullnetin dhe e edukon të ketë durim. Gjithashtu, nëpërmjet agjërimit njihet vlera e të mirave të Allahut të cilat na janë dhënë nëpërmjet ushqimit dhe pijes, ku vetëvetiu mendja të shkon tek jetesa e të varfërve dhe njerëzve në nevojë.
Këtë përshkrim të shkurtër të Ramazanit dhe mirësive të tij po e mbyllim me dy hadithe të Profetit Muhamed a.s.:
“Shumica e njerëzve prej agjërimit të tyre nuk kanë asgjë tjetër, përveç urisë dhe etjes”.
“Për atë i cili gjatë Ramazanit nuk largohet nga dëshmitë e rreme, dhe veprimi i punëve të këqija, Allahu nuk ka nevojë që ai person të lërë ushqimin dhe pijen”.

Allahu na ruajt dhe na e pranoftë agjërimin dhe veprat e mira në këtë muaj. Amin!

Tiranë, Korrik 2011


* Drejtori Ekzekutiv i “Qendra Shqiptare për Studime Orientale”, Tiranë.
** Ky artikull është botuar në revistën “Dituria Islame”, Prishtinë-Kosovë, nr. 253, gusht 2011.

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *