Ermal BEGA
U zhvillua seminari:
~ Dr. Murad Hofmann dhe jeta e tij si një musliman gjerman-europian ~
Më datë 10 Shtator 2011, në orën 18:00, në sallën e madhe të Muzeut Historik Kombëtar, Qendra Shqiptare për Studime Orientale, zhvilloi seminarin me temë: “Dr. Murad Hofmann dhe jeta e tij si një musliman gjerman-europian”. Në përbërje të këtij seminari ishte dhe promovimi i dy librave të shkruar nga Dr. Murad Hofmann, me titull: 1. "Islami", 2. "Kur’ani".
Në këtë aktivitet morën pjesë një numër i madh personalitetesh të ndryshme fetare, kulturore, shkencore, studimore, diplomatike, organizatash të ndryshme etj.
Në fillim të aktivitetit, drejtuesi i këtij seminari, z. Ermir Hoxha, lexoi përshëndetjen e veçantë në lidhje me këtë seminar të dërguar nga Dr. Murad Hofmann, ku ndër të tjera shkruan:
“Unë konsiderohem si një “musliman gjermano-europian”. Megjithatë, të flas më saktë, nuk gjendet një person i tillë. Sepse, të gjithë muslimanët, ngado që janë ata dhe nga çdo gjuhë që ata flasin, i takojnë Ummetit Islam, një të njëjtë dhe të vetëm. Të gjithë muslimanët, në të gjithë botën, janë të bashkuar në një dhe të vetmin Zot, Allahun, dhe besojnë tek i njëjti profet, Muhamedi, dhe ndjekin të njëjtin libër, Kur’anin.”
Ligjëruesit në këtë seminar ishin:
1. Dr. Jashar Demiri, profesor i psikologjisë, i cili foli në përgjithësi për veprat e Dr. Murad Hofmann në gjuhën shqipe dhe ndikimin e tyre në shoqërinë shqiptare. Ai gjithashtu bëri komentime të ndryshme për vlerën e këtyre librave, ku një përgëzim të veçantë dha për dy librat e fundit.
2. Besnik Mustafaj, presidenti i Forumit Shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve (AFALC), i cili diskutoi në lidhje me jetën e Dr. Murad Hofmann dhe për vizionet dhe idetë e tij të shprehura në librat e përkthyera në shqip për një bashkëpunim më të ndërsjellë të komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore që jetojnë në Europë, ku Shqipërisë i dha një rol të veçantë. Trajtimi i pikëpamjeve të Dr. Murad Hofmann nga z. Besnik Mustafaj u pëlqye dhe u duartrokit nga të gjithë pjesëmarrësit.
3. Ermal Bega, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS), i cili në rolin e përkthyesit të librave nga origjinali anglisht, bëri një përmbledhje të përmbajtjes së këtyre dy librave dhe ndikimit që ato kanë në shoqërinë multikulturore dhe multifetare të Europës, ku bën pjesë dhe Shqipëria. Gjithashtu, ai përmendi dhe përvojën e tij në kontaktet që ka pasur me Dr. Murad Hofmann, si dhe përmendi një udhëtim të shpejtë në Gjermani për ta takuar drejtpërdrejt Dr. Murad Hofmann dhe për të zhvilluar një intervistë me të*.
Më pas, pjesëmarrësit uruan për organizimin e këtij seminari, si dhe u zhvilluan diskutime të ndryshme në lidhje me botimin e librave dhe mendimet që ato mbartin. Ndër të ftuarit e morën fjalën përshëndetëse z. Kreshnik Osmani etj.
Një falënderim i veçantë iu drejtua dy atdhedashësve tanë që jetojnë në Itali, z. Eris Pirra dhe znj. Anita Braka, të cilët kontribuan për shtypin e këtyre dy librave.
Në fund, në hollin e Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua një koktej ku të ftuarit diskutuan më shumë në lidhje me këtë aktivitet kulturor.
Duhet të shtojmë se revista kulturore-shkencore për studime orientale "URA", organ i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale, pothuajse në çdo numër të saj ka menduar që të botojë një nga artikujt e shkruar nga Dr. Murad Hofmann.
Pjesë nga ky seminar mund të ndiqni në këtë link:
Video:
Murad Hofmann, sivjet tetëdhjetë vjeç, është shembulli i një burri, i cili besimin e vet nuk e mbart si një trashëgimi familjare dhe as si pasojë e ndonjë rrethane ekzistenciale shtrënguese. Në një moment të caktuar të jetës së vet, ai ka zgjedhur me vullnet plotësisht të lirë të jetë musliman. Thënë më mirë, ai është ndjerë musliman në shpirt. Në këtë kuptim, rrugëtimi i tij spiritual përbën një përvojë, vlera e së cilës e tejkalon Hofmann-in vetë si person.
Për fatin e mirë të atyre që duan të mësojnë për Islamin, qofshin ata muslimanë apo jo, Murad Hofmann është një zotni i shkolluar në Universitetin e Harvardit dhe në Shkollën e Drejtësisë në Mynih. Më tej ai ka punuar për gjysmë shekulli si diplomat, duke u ngjitur dekadën e fundit të karrierës së vet deri funksionar i lartë në NATO e mandej ambasador në shërbim të vendit të vet, Gjermanisë, në Algjeri e në Marok.
Erudicioni jashtëzakonisht i gjerë, përvoja e rrallë jetësore në Europë, në Amerikë, në Afrikë, përvoja po aq e rrallë profesionale si diplomat dhe përvoja e pasur spirituale në të dy fetë e mëdha monoteiste, në fillim në atë të krishterë e më pas në atë islame, bëjnë që shkrimet e tij rreth Islamit të jenë në thelb të ndershme, me përmbajtje të pasur e në stil të qarta e të kuptueshme për të gjithë qytetarët e lirë të kësaj bote, qoftë për ata që e lexojnë për ta kuptuar më mirë porosinë e Profetit me qëllim për t’u ndjerë më të lumtur në besimin e tyre e qoftë ata që e lexojnë për arsye kulturore apo intelektuale. Me këto shkrime Murad Hoffman i bën një shërbim të çmuar si besimit të vet, ashtu edhe nismës botërore për dialogun e qytetërimeve.
Nga fjala e z. Besnik Mustafaj në këtë seminar.
1 comment:
Mashallah shume bukur, urime per aktivitetin dhe kontributin qe i jepni shoqerise shqiptare me perkthimin dhe botimin e ketyre dy librave te dr. Hofman. Shume urime z. Ermal per vullnetin dhe punet qe beni, ishallah vazhdoni kete rruge qe keni nisur, Allahu ju shtofte suksesin!
Post a Comment