Në Tiranë u mbajt simpoziumi shkencor "Hafiz Ali Korça dhe personaliteti i tij poliedrik"
MEHDIU: SHTETI SHQIPTAR DUHET TË THEMELOJË ÇMIMIN
"HAFIZ ALI KORÇA"
Liridon KADRIU - Prishtinë
Në ambientet Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS)
në Tiranë, për nder të 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar, Qendra Shqiptare për
Studime Orientale, me qendër në Tiranë, më 6 Tetor 2012 organizoi simpoziumin me temë: “Hafiz
Ali Korça dhe personaliteti i tij poliedrik”.
Në këtë simpozium merrnin pjesë personalitete të shquara nga fusha
akademike, diplomatike, përfaqësues institucionesh dhe organizatash
joqeveritare, si dhe miq e familjarë të atdhetarit e fetarit të devotshëm,
Hafiz Ali Korça.
Moderuar nga Qani Sulku, ky simpozium nisi me disa poezi recituar nga
poligloti dhe profesori universitar Edvin Cami. Më pas u bënë përshëndetjet e
rastit ku fillimisht përshëndeti drejtori për kulturë pranë KMSH-së (Komuniteti
Musliman i Shqipërisë), Genti Kruja, i cili fillimisht falënderoi të pranishmit
dhe më pas në pika të shkurtra rrumbullakësoi jetën dhe veprën e Hafiz Ali
Korçës, si një patriot i pashoq dhe atdhetar i devotshëm.
Nga familjarët e pranishëm, fjalën e mori zonja Fatmira Pere, mbesa e hafizit,
e cila foli me devotshmëri për figurën e gjyshit të saj nga i cili tha se kemi
mësuar shumë. Ajo ndër të tjera citoi: “Hafizi ishte fetar, historian,
poliglot, politikan, atdhetar dhe mbi të gjitha e donte vendin e tij. Ai refuzoi
shumë poste në Turqi e Arabi. Ai e donte Shqipërinë dhe shqiptarët”, përfundoi
zonja Pere.
Pas këtij fjalimi emocionues, fjalën e mori duke nisur ligjërimin për figurën
e Hafiz Ali Korçës, Ermal Bega, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për
Studime Orientale -si organizatore e këtij simpoziumi. Zotëri Bega falënderoi të
pranishmit dhe posaçërisht ata që ndihmuan në organizimin e këtij simpoziumi,
kur dihet që bëhet fjalë për një figurë kaq madhështore të popullit tonë.
"Për figurën e Hafiz Aliut fillimisht mësova kur isha në shkollë të mesme,
në kohën që bleva librin "Shtatë ëndrrat e Shqipërisë", nga i cili mësova
realitetin e hidhur që parashihte Hafizi për Shqipërinë komuniste që do ta sundonte
këtë vend." Më pas, kryetari i kësaj qendre, potencoi se figura e Hafiz
Aliut duhet të ngrihet lart e më lartë dhe të marrë vendin që i takon, sepse
vepra dhe jeta e tij janë të mëdha dhe duhen studiuar dhe të vlerësohen shumë
nga institucionet tona. "Kam vizituar Korçën, Kavajën, Durrësin, Tiranën dhe
qytete të tjera për të kërkuar të mbledh librat dhe dorëshkrimet e Hafizit",
u shpreh ai. Gjithashu, ai tha se Hafiz Aliu është autori i parë në letërsinë
shqipe i cili ka komentuar poezinë me poezi, si në rastin e librit "Shtatë
ëndrrat e Shqipërisë". Ai bëri të ditur se një pjesë të librave të Hafiz
Alit i ka botuar shtëpia botuese nga Maqedonia, Logos-A, libri "Mevludi"
është ribotuar nga akademiku ynë i nderuar Feti Mehdiu, i cili na ka nderuar
sot me praninë e tij, dhe libri "Bolshevizma á ckatërrim për njerëzimin"
është ribotuar në Tiranë. Në fund, z. Bega bëri të ditur një lajm të madh të
cilin ia kishte kumtuar Fatjoni, një stërnip i Hafiz Ali Korçës, se janë gjetur
mbi 3000 faqe dorëshkrime në gjuhën shqipe, perse, arabe dhe osmane, të
shkruara nga Hafiz Ali Korça, të cilat pritet që më vonë të ndriçohen e të
botohen.
Profesor Edvin Cami u paraqit sërish para publikut me recitimin e një poezie
tjetër të marrë nga libri "Shtatë ëndrrat e Shqipërisë" (Ëndrra e
parë), e cila simbolizonte komunizmin nga i cili shqiptarët pësuan për 50 vite
me radhë. Qysh para shumë dekadash Hafiz Aliu kishte parashikuar të këqijat e
komunizmit duke e krahasuar atë me një kuçedër. Fatkeqësisht, as vetë ai nuk
mundi t’i shpëtonte kësaj "kuçedre" -komunizmit shkatërrimtar nga i
cili u dënua, dhe u internua në Kavajë, ku dhe vdiq në një moshë të thyer.
Akademiku i nderuar Feti Mehdiu, i cili kishte ardhur enkas nga Prishtina i
ftuar për këtë simpozium, ndër të tjera përmendi se Hafiz Ali Korça bën pjesë në
mesin e njerëzve më të ndritur të kombit shqiptar dhe si i tillë duhet të
konsiderohet dhe të lartësohet edhe nga institucionet shtetërore, sepse puna
dhe vepra e tij janë të tilla. Ai propozoi që shteti shqiptar duhet të themelojë
çmimin "Hafiz Ali Korça", i cili duhet t’i ndahet personaliteve
shqiptarë që ndjekin rrugën e Hafiz Ali Korçës.
Më vonë sërish para të pranishmëve u shfaq prof. Edvin Cami i cili lexoi
disa rubai nga poezitë e Umer Khajjamit, të përkthyera mjeshtërisht prej Hafiz
Ali Korçës, nga origjinali persisht, si një kritikë në atë kohë ndaj përkthimit
të gabuar nga anglishtja të Fan Nolit.
Mbi kontributin e madh që ka dhënë Hafiz Aliu në zhvillimin e arsimit
shqip, fjala iu dha nën/drejtorit të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe
Qytetërimit Islam (AIITC) në Tiranë, profesorit dhe historianit Bedri Telegrafi.
Gjatë kumtesës së tij, prof. Telegrafi vuri në dukje se një meritë të madhe për
alfabetin e sotëm shqip ka dhe Hafiz Ali Korça, i cili mbi 60 vite ia kushtoi zhvillimit
të arsimit shqip.
Ai thoshte se: "Zoti i besimit është edhe Zoti i shkencës". Hafiz
Ali Korça ishte edhe hartues i një abetareje dhe gjithnjë deklaronte se "fqinjtë
kanë arritur shkallë të lartë të arsimit, kurse në Shqipëri mësohen të gjitha
gjuhët, por jo dhe shqipja".
Simpoziumin e përshëndetën psikologu dhe profesori universitar Jashar
Demiri, i cili falënderoi dhe përgëzoi Qendrën Shqiptare për Studime Orientale
për punën e saj në fushën e studimeve orientale, ndërsa më pas komentuan dhe prof.
Xhemal Balla, dhe Dr. Laurant Bicaj, i cili tregoi se sa shumë e çmonte figurën
e Hafiz Aliut, poeti i madh shqiptar Naim Frashëri.
Në fund të simpoziumit, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime
Orientale, z. Ermal Bega, i dha një vlerësim familjarëve të Hafiz Ali Korçës
për vlerat e tij të mëdha fetaro-morale, kombëtare, arsimore etj., të cilin në emër
të familjes e pranoi nipi i tij Ali Korça, i cili ka trashëguar emrin e nderuar
të gjyshit të tij. Gjithashtu u shpërndanë dhe dy certifikata pjesëmarrjeje për
ligjëruesit në këtë simpozium, për akademikun Feti Mehdiu dhe prof. Bedri
Telegrafi.
Gjithashtu u pajtua që së shpejti një simpozium i tillë të mbahet edhe në
Prishtinë dhe iu bë thirrje institucioneve që figura e Hafiz Ali Korçës të ndriçohet,
studiohet dhe të marrë vendin e merituar, sepse vepra dhe jeta e tij e ka
dëshmuar se e meriton.
Në vitin 2006 janë ribotuar librat "Rubaijjati Umer Khajjamit"
dhe "Shtatë ëndrrat e Shqipërisë", ndërsa në vitin 2008 është
ribotuar libri "Jusufi me Zelihanë".
Ky shkrim është botuar në Prishtinë, në gazetën Epoka
e Re, e martë 9 Tetor 2012.
No comments:
Post a Comment