14 May 2013

Instituti Oriental Beirut - Një qendër unike për Studime Orientale në mes të Orientit

Ermal BEGA*

INSTITUTI ORIENTAL BEIRUT - NJË QENDËR UNIKE PËR STUDIME ORIENTALE NË MES TË ORIENTIT

Instituti Oriental Beirut (Oriental Institute Beirut - OIB) është një nga institucionet e studimeve orientale më të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe në botën arabe gjithashtu. Ai është i vendosur në një nga lagjet e vjetra të mbetura të Beirutit, në një vilë 4-katëshe të stilit osman, në mes të një parku gjelbërues, ndër të vetmet të mbetura në Beirutin e betonizuar përditë e më shumë. Vendndodhja e kësaj ndërtese është në kënd të Beirutit të Poshtëm (Downtown Beirut), në mes të disa rrugicave tipike orientale-islame që të japin një kënaqësi të papërshkrueshme të një historie të kaluar.

Pamje me motive orientale nga koridori i Institutit Oriental Beirut, © Ermal Bega

Sot në vitin 2013, ky institut mbush plot 52 vjet (5 dekada) të krijimit. Themeluar nga Hans Robert Roemer në vitin 1961, fillimisht ky institut u financua nga Shoqata Orientale Gjermane (Deutsche Morgenländische Gesellschaft), ndërsa më pas nga Ministria e Arsimit dhe Kërkimit të Gjermanisë Federale (Bundesministerium für Forschung und Technologie, ose BMFT), si dhe nga disa fondacione bamirëse, si p.sh. Fondacioni Fritz Thyssen dhe Fondacioni Wolkswagen.
Në këtë institut gjenden rreth 130.000 vëllime, duke përfshirë gazetat dhe revistat e ndryshme nga e gjithë bota, që kanë të bëjnë me studimet orientale.
Vepra të autorëve të ndryshëm botërore që kanë dhënë kontribut në fushën e studimeve orientale, mund të gjenden në këtë institut.
Shumë prej këtyre veprave janë botuar në botën arabe, por ka dhe prej tyre të cilat janë botuar në Gjermani, Turqi, Iran, Itali, Francë, Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj. Nga këtu, nënkuptohet se shumica e veprave të cilat gjenden në këtë institut janë në gjuhët orientale ose që kanë lidhje me to (si në arabisht, persisht, osmanisht etj.), por ka dhe vepra të autorëve të huaj të cilët kanë bërë studime dhe kanë shkruar në gjuhët e tyre, si p.sh. në gjermanisht, anglisht, frëngjisht etj., të cilat kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me studimet orientale.
Vëllime të shumta enciklopedike kryesisht në gjuhët orientale por edhe në gjuhë të ndryshme perëndimore, të cilat janë botime të specializuara për studimet orientale, janë pasuri e këtij instituti gjigand për Lindjen e Mesme në veçanti dhe për botën arabe në përgjithësi.
Ndër to mund të përmendim: “The Oxford Encyclopeadia of the Modern Islamic World” (4 vëllime) nga autori i famshëm amerikan John L. Esposito.
Shumica prej botimeve që gjenden në librotekën e këtij instituti kanë të bëjnë me Islamin dhe fetë e tjera në Lindjen e Mesme, gjithashtu mbi gjuhën dhe letërsinë arabe si dhe gjuhët e tjera të folura në Lindjen e Mesme, mbi historinë e mendimit botime mbi politikën, ekonominë, traditat, kulturën dhe zakonet e popujve arabë muslimanë, si dhe studime për minoritetet e vogla të krishtera dhe çifute që jetojnë në mesin e popujve arabë. Ndërsa vetë librat e botuara deri tani prej këtij instituti kapin shifrën 134.
Në mesin e shumë botimeve në gjuhët perëndimore (kryesisht në anglisht) gjetëm dhe shumë libra që kanë të bëjnë me historinë e arnautëve (shqiptarëve) në botën arabe, ku përmenden arritjet e shqiptarit të madh Muhamed Ali Pashës në Egjipt, si dhe foto ilustruese në lidhje me kulturën, artin dhe traditat shqiptare në të gjitha territoret ku sundonte Shteti Osman.
Një numër i konsiderueshëm i dorëshkrimeve të ndryshme në gjuhët orientale është gjithashtu pasuri e këtij instituti, i cili dita-ditës ka marrë një emër të mirë në mesin e studiuesve dhe shkencëtarëve të studimeve orientale nga mbarë bota.
Instituti gjithashtu organizon trajnime, seminare, work-shop dhe konferenca të ndryshme. Gjithashtu përkrah dhe financiarisht dhe studime të doktoraturës dhe post-doktoraturës, për një periudhë 12-mujore.
Duke biseduar me përgjegjësin e librotekës së këtij instituti, Dr. Marcel Behrens, i cili punon këtu në Beirut prej 5 vitesh, na tregon se ky institut gjatë këtyre 5 dekadave ka luajtur një rol të madh në studimet orientale që kanë të bëjnë me Lindjen e Mesme dhe botën arabe-islame në përgjithësi. Gjithashtu kur e pyetëm nëse ka ardhur ndonjëherë për studime në këtë institut ndonjë orientalist apo studiues shqiptar, u përgjigj: “Gjatë periudhës sime 5-vjeçare që gjendem në Beirut dhe si punonjës i këtij instituti, nuk kam hasur ndonjëherë ndonjë orientalist dhe studiues shqiptar, dhe për këtë ndihem mirë që jeni orientalisti i parë nga Shqipëria që takojmë në këtë institut”. Atëherë autori i këtij shkrimi shprehu dëshirën që të ishte orientalisti i parë shqiptar i cili bëhet anëtar i këtij instituti, duke u regjistruar kështu për një periudhë 6-mujore.
Me këtë rast, në emër të Qendrës Shqiptare për Studime Orientale, i dorëzuam Dr. Marcel Behrens një numër të revistës “URA” (organ i qendrës), si dhe librin “Lidhjet letrare shqiptare arabe” nga Dr. Muhamed Mufaku (Arnauti), duke i shtuar këtij instituti oriental në Beirut disa nga kontributet e studimeve orientale, në gjuhën shqipe, dhe duke uruar gjithashtu krijimin e një ure bashkëpunimi mes Qendrës Shqiptare për Studime Orientale dhe Institutit Oriental Beirut.


* Ermal Bega është drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale në Tiranë, dhe ka qëndruar për 2 muaj (janar-mars 2013) në Beirut të Libanit për disa studime dhe aktivitete të ndryshme në lidhje me studimet orientale.

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *