05 February 2011

U zhvillua Java Kulturore e Logos-A

Ermal BEGA

U ZHVILLUA JAVA KULTURORE E LOGOS-it
ME RASTIN E 20-VJETORIT TË AKTIVITETIT TË SAJ
~ REPORTAZH ~
  
Nga data 25-29 Janar 2011, në Shkup të Maqedonisë u zhvillua manifestimi një javor “Java e Logos-it”, nën logon “20 vjet - Kryefjalë e mendimit të lirë”, me rastin e 20 vjetorit të themelimit të shtëpisë botuese “Logos A”. Ky aktivitet u zhvillua në ambientet e galerisë së arteve “Çifte Hamam” në Shkup, me pjesëmarrjen e madhe të shumë botuesve, shkrimtarëve, artdashësve dhe vizitorëve të interesuar nga të gjitha trojet shqiptare për të parë nga afër një përmbledhje të aktiviteteve kulturore dhe publicistike të kësaj shtëpie botuese të mirënjohur nga të gjithë shqiptarët.
“Nga dita e nesërme e deri të shtunën, çdo ditë prej orës 10 e deri në orën 19 do të jemi këtu në galerinë e arteve “Çifte Hamam”, ku do të kemi takime, vizita, promovime diskutime të gjitha në shenjë të Logosit dhe të librit. Me këtë rast kemi botuar edhe këtë katalog botimesh, ku janë përfshirë të gjitha botimet tona me nga një rezyme të shkurtër në gjuhën shqipe dhe angleze”, u shpreh Afrim Gashi - redaktor i shtëpisë botuese “Logos A”.
Ndërsa vetë drejtori i shtëpisë botuese “Logos-A”, Adnan Ismaili, para nisjes së aktivitetit u shpreh: “Prej 25 janarit e deri më 29 janar shpresojmë se të gjithë dashamirët e librit do të na vizitojnë në galerinë “Çifte Hamam” ku do të kenë rastin të shohin gati të gjitha botimet e SHB “Logos-A” në historinë 20-vjeçare të librit”.
Ne patëm fatin që të marrim pjesë në këtë aktivitet, dhe që ditën e parë të hapjes së manifestimit ne morëm pjesë në hapjen zyrtare e cila u pasua dhe me promovimin e kompletit te veprave të teologut të njohur shqiptar Nexhat Ibrahimi.
Nexhat IBRAHIMI & Ermal BEGA © E. B.
Dy fjalë në lidhje me “Logos-A”:
“E formuar kah fundi i vitit 1989 me emrin Mehmet Akif Ersoj dhe e themeluar zyrtarisht në tetor të vitit 1990 me emrin aktual, SHB “Logos-A” me të drejtë e konsideron veten pioniere të botimit të pavarur shqip në ish-Jugosllavinë e atëhershme dhe në Maqedoninë e re. Që nga fillimi i saj e deri më tani, ajo ka nxjerrë në dritë rreth 500 tituj, në 3 milionë ekzemplarë në sfera të ndryshme si: letërsia, islamistika, historia, publicistika, sociologjia, politologjia, tekste shkollore e deri te fjalorë, atlase dhe publikime të ndryshme. Prej tyre mbi 250 tituj janë përkthyer nga gjuha angleze, frënge, turke, boshnjake, nga serbo-kroatishtja, arabishtja dhe gjuhë të tjera, ndërsa titujt të tjerë janë vepra origjinale. Në kuadër të shtëpisë botuese funksionojnë edhe 10 biblioteka.”

Shtëpisë botuese “Logos-A” i urojmë sa më shumë suksese në të ardhmen në nxjerrjen e perlave të botimit në gjuhën shqipe.

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *