13 June 2011

Diversiteti Kulturor për Dialog dhe Zhvillim

Ermal BEGA

KRONIKË KULTURORE
~ Dita Botërore e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim ~

Me rastin e Ditës Botërore të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim,  që zyrtarisht është caktuar 21 Maji, në datën 25 Maj 2011, në orën 18:30, Forumi Shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve (AFALC) në bashkëpunim me Fondacionin Euro-Mesdhetar Anna Lindh (ALF), në ambientet e Hotel Tirana International, salla Abreht, organizoi një tryezë të rrumbullakët me temë “Kulturat flasin”.
Kjo tryezë ishte pjesë e një zinxhiri aktivitetesh me të njëjtën temë të zhvilluara njëherësh në të gjithë vendet e rajonit të Mesdheut.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin ftuar për të diskutuar zyrtarë të lartë të komuniteteve të ndryshme fetare në Shqipëri, atij musliman (Haxhi Lika), bektashi (Edmond Brahimaj), ortodoks (Sonila Dedja) dhe katolik (Lorenc Stojani). Gjithashtu ishin ftuar pjesëtarë të komunitetit fetar ungjillor, pjesëtarë të komunitetit rom (Marsela Avxhiu), si dhe nga shoqëria civile (Ermal Bega).
Bashkëbiseduesit në tryezë në prani të një publiku po aq të larmishëm shkëmbyen mendime dhe sollën përvoja nga mjediset kulturore prej nga vijnë, duke theksuar se ky diversitet përbën një pasuri shumë të çmuar për shoqërinë tonë.
Në emër të shoqërisë civile ishte ftuar Ermal Bega, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (kjo qendër është pjesë e rrjetit të fondacionit Anna Lindh në Shqipëri), i cili foli rreth përvojave të historisë së njerëzimit në lidhje me bashkëjetesën e besimeve dhe kulturave të ndryshme në rajonin e Mesdheut, duke dhënë një shembull për një të ardhme më të mirë se si duhet të ekzistojë një mirëkuptimin dhe bashkëjetesë mes feve dhe kulturave të ndryshme në Shqipëri. Një pjesë të rëndësishme në diskutimin e tij zuri dhe përmendja e një prej ngjarjeve më të ndritshme në historinë botërore, kur luftëtari i famshëm Salahudin Ejjubi, gjatë vajtjes së tij për të sunduar Jeruzalemin, në fund të luftës, për shkak të drejtësisë së tij, sunduesit e krishterë dhe çifutë të Jeruzalemit, pasi i dhanë çelësat e qytetit, i thanë: “Vetëm ju, me një drejtësi të tillë, mund të sundoni një vend me tri fe hyjnore, hebraizmin, krishterimin dhe islamin”. Kjo ngjarje u tregua me qëllimin që drejtësia dhe bashkëjetesa mes besimeve dhe kulturave të ndryshme, nga secila shoqëri fetare që të jetë, duhet që në emër të parimeve fetare dhe drejtësisë të shërbejë për një jetë më të mirë dhe të mirëkuptuar në komunitet.

Në përfundim të aktivitetit, të pranishmit, vizituan dhe një ekspozitë me objekte tradicionale, gatime karakteristike, punime dore artistike të realizuara nga gratë e komuniteteve të ndryshme fetare, të organizuar në kuadër të projektit “kulturat flasin”.
Një rol të veçantë luajti prezantimi i disa ëmbëlsirave dhe ushqimeve tradicionale të familjeve muslimane shqiptare, të përgatitura nga zonjat Esmeralda Çaça dhe Rezarta Alla.

Një falënderim të veçantë, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale i dërgoi dhe vajzave muslimane, Besjana Dani, Erblina Sezairi dhe Suada Hajredinaj, pjesëmarrëse në këtë aktivitet, të cilat pas aktivitetit diskutuan për çështje të ndryshme me bashkëkombësit e tyre nga komunitetet e tjera fetare dhe kulturore, në dobi të një mirëkuptimi më të mirë ndërfetar dhe ndërkulturor në Shqipëri.

Shqipëria përbën një shembull të mrekullueshëm të bashkëjetesës në harmoni të dy komuniteteve më të mëdha fetare, atij musliman dhe atij të krishterë (ortodoks dhe katolik).
“Kjo trashëgimi e çmuar duhet mbështetur fort nga të gjitha forcat aktive të shoqërisë shqiptare” u shpreh një nga pjesëmarrësit e aktivitetit.

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *