Ermal BEGA
KRONIKË KULTURORE
~ Ndarja e çmimeve për fituesit e AIITC 2010 ~
Mbrëmë, më datë 13 Qershor 2011, në Hotel “Sheraton”, salla “Iliria”, në praninë e shumë personaliteteve të ndryshme nga vendi dhe të huaj, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve organizoi për të pestin vit radhazi ceremoninë e shpalljes së fituesve të “Çmimit AIITC 2010” për kategoritë:
• Libri më i mirë në fushën e shkencës dhe të kulturës islame
• Përkthyesi më i mirë i vitit, për librin në fushën e shkencës, kulturës dhe artit islam, në gjuhën shqipe
• Peisazhi më i bukur në penelat e piktorëve shqiptarë
• Krijimtaria më e arrirë nga moshat e reja në prozë dhe poezi me tematikë: “E bukura në shpirt dhe në jetë”.
Ky aktivitet u drejtua nga Qani Sulku dhe Daniela Fagu.
Fjalën përshëndetëse së pari e hapi drejtori i AIITC-së, Ramiz Zekaj, ndërsa më pas përshëndeti dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ermir Nika.
Ramiz Zekaj, ndër të tjera përmendi duke thënë:
“Nëpërmjet Çmimit AIITC, instituti ynë ka pasur si qëllim që të përçojë në mënyrën më të mirë kulturën dhe qytetërimin islam.”
Pas pak, Elinor Butka luajti me veglën nej disa pjesë muzikore.
Më pas u hap sipari i ndarjes së çmimeve.
Kategoria e parë ishte për shpalljen e fituesve për librin më të mirë të vitit 2010 në fushën e shkencës, kulturës dhe artit islam. Kjo kategori kryesohej nga profesor Xhevat Lloshi.
Çmimet për këtë kategori u ndanë për këta autorë dhe libra:
Vendi i parë: Qemajl Morina me librin “Glosar i nocioneve fetare”
Vendi i dytë: Arian Kadiu me librin “Dibra e Madhe dhe një vështrim mbi Dibrën e Vogël”
Vendi i tretë: (kishte 2 fitues) a) Bardhyl Fico me librin “Anamorfoza e mesazhit të madh” dhe b) Adnan Silajdźić (?) me librin “Muslimanët në kërkim të një identiteti” (të përkthyer në shqip nga Ermal Bega & Klodiana Smajlaj)
Fituesit e çmimeve për kategorinë e përkthimit dhe përkthyesit më të mirë u ndanë për këta përkthyes dhe libra:
Vendi i parë: Oriol Guni për përkthimin e librit “Kryqëzatat në syrin e arabëve”
Vendi i dytë: Ferid Hafizi për përkthimin e librit “Islami politik dhe e ardhmja e tij”
Fituesit e çmimeve për pikturat më të bukura në kategorinë e artit pamor, me kryetar jurie Sadik Kasën, ishin:
Vendi i parë: Skënder Kamberi
Vendi i dytë: Sadik Kasa
Në fund, fituesit e çmimeve për krijimtaritë nga moshat e reja në prozë e poezi me tematikë “E bukura në shpirt dhe në jetë”, me kryetar jurie Arian Kadiun, ishin:
Vendi i parë: Elida Rustemi
Vendi i dytë: Visar Hyseni
Vendi i tretë: Elida Gjerani
Më pas, muzikanti Elinor Butka na shoqëroi përsëri me tingujt e bukur të nej-it të tij. Në fund për të pranishmit u shtrua një koktejl.
No comments:
Post a Comment