25 June 2011

Nuha Arnauti - Jordania - një vend që duhet zbuluar

Nuha ARNAUTI*
(Arabia Saudite)

JORDANIA - NJË VEND QË DUHET ZBULUAR

Mbretëria Hashimite e Jordanisë është një nga vendet më të bukura të Lindjes së Mesme, e cila është e pasur me shumë vendbanime arkeologjike për shkak të pozicionit të saj dhe qytetërimeve të ndryshme që kanë jetuar atje.
Më poshtë do të flasim për disa nga këto vendbanime të vjetra dhe të mrekullueshme:
Petra është një qytet historik i vendosur në jug të Jordanisë, 262 km në jug të kryeqytetit të vendit, Ammanit, i cili e lidh kryeqytetin me qytetin Akaba. Petra konsiderohet si vendbanimi arkeologjik më i rëndësishëm në Jordani dhe në botë. Kohët e fundit, ajo fitoi vendin e dytë në kampionatin botëror në mesin e shtatë mrekullive të botës. Ajo është një vend i veshur tërësisht me gurë të gdhendur me ngjyrë rozë (Petra në greqisht do të thotë gur dhe është ndërtuar nga Nabateanët në vitin 400 p.e.s. duke e bërë atë kryeqytetin e tyre dhe afër qytetit Mont Aron, në të cilin besohet se gjendet varri i Profetit Harun (Aron) dhe burimet e çara nga Profeti Musa (Mojsi) me shkopin e tij.
Kryeqyteti i Jordanisë, Ammani, vizitohet nga një numër i madh turistësh. Pjesa më e madhe e turizmit të Ammanit është përqendruar në pjesën e vjetër të qytetit, e cila ndodhet rreth suk-ut (tregut) të vjetër (një treg tradicional plot ngjyra) dhe xhamisë Mbreti Husein. Qendra e qytetit (e njohur nga vendasit si Beled) është ngushtuar tërësisht nga hapësira e gjerë urbane që e rrethon atë. Pavarësisht ndryshimeve që janë bërë aty, shumë nga karakteristikat e vjetra të saj kanë mbetur ende. Për ata të cilët kërkojnë të shijojnë atmosferën e qytetit të vjetër, duhet që të shkojnë në pjesën lindore të Xhebel Amman. Atje, në rrëmujën e jetës së përditshme, ju mund të zbuloni suk-et (tregjet) më të mëdha të kryeqytetit, muzetë e mrekullueshëm, ndërtimet e vjetra, monumentet, dhe vendet kulturore. Duke u ngjitur në Xhebel Al-Kala’a (Kalaja e Ammanit), një nga shtatë xhebel (malet e vogla) që gjenden në Amman, ju mund të vizitoni Tempullin e Herkulit si dhe Malin e Kalasë në Amman. Ky vend simbolizon lindjen e tri feve të mëdha monoteiste - Judaizmit, Krishterimit dhe Islamit. Vendbanimi në kala është zgjeruar që para 7000 vitesh. Ky vendbanim paraqet një udhëtim në kohë me një muze mahnitës në qiell të hapur për t’u studiuar si një pjesë e trashëgimisë njerëzore.
Në këtë vend gjenden të dhëna biblike, ka ikona perëndish, dhe është rrethuar nga luftëra, është sunduar nga udhëheqës të famshëm, është shkatërruar nga tërmete dhe ka qenë shtëpia e kulturave thellësisht të ndryshme.
Ndonëse muret fortifikuese rrethojnë zemrën e këtij vendbanimi, periudha antike e pushtimeve mbulon një hapësirë të madhe. Ndërtimet historike, varret, muret dhe shkallaret nuk kanë kufij modernë, prandaj në atë vend, si edhe në hapësirat përreth Ammanit, gjendet një mundësi mjaft e madhe arkeologjike.
Kalaja e Ammanit është gjithashtu monumenti i parë i Muzeut Arkeologjik të parë kombëtar, i cili ka një koleksion mjaft të madh të këtyre sendeve të ndërtuara nga njeriu si dhe objekte nga vendbanime të tjera historike të Jordanisë.
Një pjesë e madhe e kalasë nuk është gërmuar. Këto zona mbajnë një premtim për t’u zbuluar në të ardhmen. Me përparimin e metodave shkencore, së shpejti mund të nisin kërkimet me një çrregullim të vogël ndaj shtresave historike të fakteve.
Kohët e fundit, të udhëhequr nga Bashkia e Madhe e Ammanit, në bashkëpunim me Departamentin e Antikitetit, Ministrinë e Turizmit dhe Antikitetit dhe Projektin e Zhvillimit të Turizmit Jordanez të financuar nga USAID, janë ndërmarrë vepra të mëdha për vlerësimin e këtij monumenti, për ta bërë kalanë më të arritshme, më të kuptueshme dhe më mikpritëse për kënaqësinë e të gjithë vizitorëve.
Afër Ammanit mund të vizitohet Madaba, qyteti më i rëndësishëm i rajonit Madaba në Jordani, i cili ka një popullsi prej 60,000 banorësh. Madaba është qyteti i pestë më i populluar në Jordani. Ai njihet për mozaikët e tij të Perandorisë Bizantine dhe Umajjade, veçanërisht për një hartë të madhe mozaik të periudhës bizantine të Vendit të Shenjtë. Madaba është i vendosur 30 km në jugperëndim të kryeqytetit Amman.
Që nga periudha romake, njerëzit vinin në burimet minerale termike të Hamamit Ma’in ose Zarka Ma’in për mjekime termike - ose vetëm për të shijuar një shpëlarje të ngrohtë. Në fund të fundit, cila do të ishte mënyra më e mirë për të përfunduar një ditë të zhytur në histori sesa një banjë e mrekullueshme me ujë të ngrohtë natyror?
Në jugperëndim të Madabës gjendet Hamami Ma’in, burimet termike dhe minerale të cilët për shekuj me radhë kanë tërhequr njerëz që të vijnë dhe të zhyten në ujërat e ngrohta terapeutike të kësaj zone. Atje gjendet një hotel i mrekullueshëm me 5 yje i drejtuar nga kompania e mirënjohur Gjashtë Ndjenjat, i cili ofron vaska të brendshme dhe të jashtme me ujë të ngrohtë natyror, një pishinë dhe trajtim me ujëra termale.
Instituti i Artit dhe Restaurimit të Mozaikëve është krijuar në vitin 1992 si Shkolla Mozaike e Madabas, dhe është financuar nga qeveria italiane. Ajo ishte një shkollë e mesme e cila ofronte Teuxhili, diplomën e barasvlershme jordaneze të një shkolle të mesme.
Në vitin 2007, Ministria e Turizmit dhe Antikitetit, së bashku me Departamentin e Antikitetit dhe në bashkëpunim me projektin për zhvillimin e turizmit SIJAHA të USAID, premtuan që do të fillonin programin për hapjen e një instituti 2-vjeçar, pas Tauxhil-it. Qëllimi i institutit është që të bëhet një qendër e shkëlqyer në rajon, dhe për t’i përgatitur vendasit në një nivel shkencor se si të ruajnë dhe të restaurojnë shumë mozaikë të lashtë që janë gjetur në Jordani. Studentët mësojnë gjithashtu metodat tradicionale dhe moderne të prodhimit të mozaikëve, si dhe programin Computer Aided Design (CAD), gjuhën arabe, angleze, gjeologjinë dhe kiminë. Së shpejti, studentët do të jenë të aftë që pikët e marra në këtë institut t’i transferojnë në universitetin Al-Jermuk për të përfunduar një fakultet në arkeologji me dy vite të tjera studimi.
Ky institut është vendosur mes Qendrës së Vizitorëve në Madaba dhe Parkut Arkeologjik të Madabës. Vizitorët janë të mirëpritur për të parë ambientet e shkollës dhe të punës nga ora 08-14, nga e diela deri të enjten. Shkolla aktualisht po punon për krijimin e një faqe interneti e cila do të funksionojë që nga fillimi i vitit 2010. Gjithashtu, një kurs i shkurtër 2-3 orësh që ka si synim turistët do të jetë gati në fillim të pranverës 2010.
Nëse shkojmë në veri të vendit, më saktë në Xherish, do të shohim një tjetër teatër gjigant romak në të cilin zhvillohen shumë festivale. Për të arritur në këtë teatër, ne mund të ecim në rrugën e gjatë e cila quhet “Rruga me Shtylla”, dhe e cila është ndërtuar nga romakët. Gjithashtu, në veri dhe afër qytetit Xherish është një qytet tjetër i quajtur Axhlun, në të cilin gjendet kalaja Rabd. Po ashtu, nuk duhet të harrojmë se qyteti Xherish dhe veriu i Jordanisë gjenden afër Sirisë, kështu që ato kanë ndarë së bashku shumë kultura.
Siç e dimë, në Jordani gjendet një det i quajtur Deti i Vdekur i cili kufizohet në lindje me Jordaninë, dhe në perëndim me Palestinën dhe me Bregun Perëndimor. Atje gjendet niveli më i ulët i detit në sipërfaqen e tokës. Në tokën e thatë, uji i atjeshëm përdoret për shërimin e shumë sëmundjeve. Afër tij gjenden shumë vendbanime të vjetra arkeologjike të krishtera. Këto vende ndodhen pranë lumit Jordan, në të cilin ka lindur Profeti Isa (Jezusi) dhe thuhet se këto vende tani përdoren nga shumë të krishterë nga mbarë bota për të kryer ritualet e tyre fetare.
Në fund, nëse e vizitoni Jordaninë, do të kënaqeni duke parë shumë kala të vjetra. Që të flasim për këto kala na duhet më shumë sesa një artikull, prandaj më mirë dhe më e këndshme do të jetë që t’i shihni me sytë tuaj.

Përktheu nga gjuha angleze:
Ermal BEGA

Ky artikull është botuar për herë të parë në gjuhën shqipe, në revistën “URA”, nr. 5, Vjeshtë-Dimër 2010 - Numër ekskluziv për Arnautët (shqiptarët që jetojnë në Orient).

* Autorja e shkrimit është shqiptare (Arnaute) nga Jordania, e cila prej disa vitesh jeton me familjen e saj në Rijad të Arabisë Saudite, dhe ky artikull është shkruar dhe botohet ekskluzivisht për këtë numër të revistës "URA".

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *