Ghina ARNAUTI* - Liban
NADIM ARNAUTI
(Nismëtari për hapjen e shkollave për popullin e thjeshtë në Liban)
Shejh Nadim Arnauti ishte një ndër Arnautët (shqiptarët) e njohur në Liban, i cili është me origjinë shqiptare. Gjyshi i tij e mori mbiemrin “Arnaut” nga turqit gjatë Sulltanatit Osman, të cilin e përdornin për të emërtuar shqiptarët.
Gjatë kohës së Sulltanatit Osman, Shqipëria njihej zyrtarisht si Arnautluk (toka e shqiptarëve) dhe banorët e saj si Arnautë. Stërgjyshi i tij erdhi në Liban në kohën kur Sulltanati Osman i përdorte ata në administratën e tyre ushtarake. Ata ishin një pjesë e rëndësishme e ushtrisë dhe administratës osmane. Guximi i tyre në beteja të rastësishme ishte i padiskutueshëm.
Shejh Nadimi ishte një njeri shumë i ditur dhe i arsimuar. Ai i rriti fëmijët e tij me moral dhe ndershmëria ishte një nga veçoritë e tij.
Ai kishte një njohje të gjerë rreth kulturave të ndryshme dhe dinte shumë gjuhë të huaja. Qëllimi i tij ishte që t’i ndihmonte fëmijët të fitonin arsimimin më të mirë dhe ta tregonin Islamin në mënyrën më të mirë. Ëndrra e tij e madhe ishte që të kishte një vend plot me njerëz të shkolluar, të cilët me vonë mund të ndihmojnë në zhvillimin dhe përmirësimin e jetës së vendit në të cilin jetojnë.
Gjatë jetës së tij në shekullin e kaluar, në Liban gjendeshin vetëm shkolla të huaja të cilat u mësonin fëmijëve të pasur gjuhët e huaja (frëngjishten dhe anglishten). Kishte edhe disa shkolla të quajtura “Meshjaha” ku fëmijët, kryesisht ata të varfër të cilët nuk mund t’i ndiqnin mësimet në shkollat e huaja, shkonin te dikush i quajtur “Shejh” (dijetar) ku sipas një rregulli ai u mësonte atyre në një dhomë të vogël disa lëndë bazë si gjuhën arabe, Islamin dhe Kur’anin.
Shejh Nadimi u bë një nga Arnautët (shqiptarët) më të famshëm në Liban, kur ai hapi shkollën e parë në Liban. Ai u njoh si njëri nga themeluesit e parë të shkollave për fëmijë në Liban.
Shejh Nadimi ndërtoi shkolla për banorët e vendit të cilat u dhanë fëmijëve një shans për të mësuar dhe për të marrë njohuritë e nevojshme rreth lëndëve të ndryshme dhe në mënyrë të veçantë rreth gjuhës së tyre amtare, arabishtes. Këto shkolla fituan një emër të madh në atë kohë dhe shumë nga njerëzit të cilët zunë pozita të larta në Liban, posaçërisht në sektorin qeveritar, studiuan në shkollat e Shejh Nadimit.
Ai kishte besimin dhe shpresën se një ditë do të realizojë një ndryshim të madh. Dhe ai dëshironte që ëndrrën e tij ta bënte realitet.
Ai thjesht vendosi gjurmët e tij në jetën e këtij kombi.
Përktheu nga gjuha angleze:
Ermal BEGA
Ky artikull është botuar për herë të parë në gjuhën shqipe, në revistën “URA”, nr. 5, Vjeshtë-Dimër 2010 - Numër ekskluziv për Arnautët (shqiptarët që jetojnë në Orient)
* Autorja e këtij artikulli është një shqiptare nga Libani. Këtë artikull e ka shkruar posaçërisht për këtë numër të revistës, i cili bën fjalë për jetën e stërgjyshit të saj shqiptar.
No comments:
Post a Comment