M. Shahid ALAM*
ORIENTALIZMI
GRABITQAR
Ku ishte
gabimi?
M. Shahid ALAM |
Shumë
kohë më herët, përpara se lëvizja sioniste të binte mbi kokat e palestinezëve të
padyshimtë, zërat më pak fanatikë në fushën e studimeve orientale ishin
zakonisht ato të çifutëve europianë.
Në kohën
kur shumë orientalistë e mendonin profetin Muhamed si një mashtrues, e
barazonin Islamin me fanatizmin, shpifnin për Kur’anin duke e konsideruar si një
libër të ashpër dhe me kundërthënie, dhe ku gjithashtu pohonin se arabët janë të
paaftë nga ana mendore, studiuesit çifutë të Islamit, shpesh kishin një pikëpamje
të kundërt. Ata e pranonin sinqeritetin e misionit të Muhamedit, i përshkruanin
arabët si “çifutët mbi kalë,” e shihnin Islamin si një fe të zhvilluar e cila është
më demokratike se fetë e tjera, ndërkohë që orientalistët përgënjeshtrues
pohonin se ka një Islam të pandryshuar dhe një Perëndim dinamik.
Për
ironi, këta çifutë pro-islamë nuk mundën t’i shpëtojnë interesit të pangopur të
Bernard Lewis, udhëheqësit të orientalistëve të rinj sionistë. Në një ese të
tij të shkruar në vitin 1993, ai shkruan se ata “ishin ndër të parët të cilët u
përpoqën që t’ia paraqesin Islamin lexuesve europianë siç e shohin vetë
muslimanët dhe për të nënvizuar, pranuar, dhe ndonjëherë për të romantizuar meritat
dhe arritjet e qytetërimit islam në ditët e tij më të famshme.” Kjo do të thotë
se këta çifutë ishin anti-orientalistë shumë kohë përpara Edward Said-it.
Këto
pikëpamje të kundërta e kanë origjinën nga një varg shkaqesh. Kur çifutët
filluan që të hynin në rrjedhat e përgjithshme europiane, duke nisur që nga
shekulli i nëntëmbëdhjetë, ata ishin ende të huaj, dhe vetëm kohët e fundit ata
dolën nga mbyllja në getot e tyre, dhe do të ishte pothuajse e çuditshme nëse
ata do të përpiqeshin të ruanin të veçantat e tyre duke u shprehur dhe duke u
identifikuar me arritjet e një populli tjetër semit, arabët. Me lartësimin e
qytetërimit arab, këta dijetarë çifutë ndoshta po i dërgonin një mesazh jo
shumë të lehtë Europës së krishterë se qytetërimi i tyre nuk ishte i vetëm, por
që arritjet e muslimanëve shpesh i kanë lënë pas ato të tyre, dhe se arritjet e
europianëve janë ngritur mbi arritjet e kundërshtarëve të tyre në shkencë dhe
filozofi. Prandaj, diskutimet e tyre mbi tolerancën fetare dhe racore në shoqëritë
islame, ndaj çifutëve në veçanti, mund të kenë ofruar shpresën që kjo ka qenë e
arritshme edhe në Europë. Gjithashtu, ajo mund të ketë qenë një ftesë ndaj
europianëve për ta përfshirë tolerancën fetare dhe racore në standardet e tyre
të qytetërimit.
Fuqia e
këtij anti-orientalizmi të hershëm të studiuesve çifutë nuk do të përfundojë
ndonjëherë; ajo nuk do t’i mbijetojë lëvizjes sioniste përderisa kërkon që të
krijojë një shtet çifut në Palestinë. Një shtet i tillë mund të shfaqet vetëm si
një fëmijë i jashtëligjshëm i fuqive imperialiste, dhe ai mund të ekzistojë vetëm
duke e shpërngulur pjesën më të madhe të popullsisë palestineze, duke i
bashkuar ata në një shtet aparteid, ose përmes disa kombinimeve mes këtyre të
dyjave. Prandaj, sapo të krijohet, Izraeli do të mbijetojë vetëm si një shtet
luftarak, ekspansionist dhe hegjemon, vazhdimisht në luftë me fqinjët e vet.
Me fjalë
të tjera, kur projekti sionist hyri në fazën e tij të zbatimit pas vitit 1918, ishte
e pashmangshme që tërheqja e çifutëve europianë për Islamin të mos ishte e qëndrueshme.
Në të vërtetë, ajo duhej zëvendësuar nga një kundërshtim më i ashpër, në të
cilin çifutët, si bashkëpunëtorët më të rinj të fuqive imperialiste, do të kërkonin
që të thellonin projektin orientalist në shërbim të fuqisë së Perëndimit. Bernard
Lewis luajti një rol kryesor në këtë riorientim. Sipas fjalëve të Martin
Kramer, edhe ky një orientalist sionist, Bernard Lewis “e personifikoi ndryshimin
e pasluftës nga një qëndrim dashamirës në një qëndrim kritik.”
Në mënyrë
ironike, ky ndryshim ndodhi atëherë kur shumë orientalistë nisën që të lëshojnë
paragjykimet e tyre të krishtera kundër Islamit, ndërsa disa prej tyre bënin përmirësime
në teprimet e të parëve të tyre. Një faktor tjetër që e ndihmonte këtë ndryshim
drejt një orientalizmi më pak polemik ishte futja e një numri në rritje të arabëve,
muslimanë dhe të krishterë, në fushën e studimeve mbi Lindjen e Mesme. Rezultati
më i dukshëm i këtyre prirjeve të kundërta ishte një polarizim i fushës së
studimeve të Lindjes së Mesme në dy grupe të kundërta.
Njëri
grup, i përbërë kryesisht nga të krishterë dhe muslimanë, ka punuar për të
sjellë një objektivitet të madh në studimin e tyre të Islamit dhe shoqërive
islame. Ata duan që t’i vendosin çështjet e tyre në formën e historisë, t’i shohin
shoqëritë islame si rregullues të sfidave të parashtruara nga Perëndimi, e jo si
armiq të lindur të Perëndimit dhe vlerave perëndimore, dhe as të rënë në kurth nga
disa mënyra të shikimit të gjërave në mënyrë të pandryshueshme dhe të paqarta.
Grupi i dytë, tani i drejtuar kryesisht nga çifutë, është rikthyer në misionin
origjinal të orientalizmit për të nënshtruar diturinë tek fuqia perëndimore, tani
të depërtuar përmes prizmit të interesave sioniste. Ky orientalizëm sionist ka
kërkuar me ngulm që ta përshkruajnë Islamin dhe shoqëritë islame si kundërshtarë
të përhershëm të Perëndimit, si dhe të modernizmit, demokracisë, tolerancës, përparimeve
shkencore, dhe të drejtave të grave. Ky grup i sionistëve është udhëhequr për më
shumë se pesëdhjetë vjet nga Bernard Lewis, i cili ka pasur një marrëdhënie të
ngushtë me pushtetin i cili do të ishte lakmia e orientalistëve më të famshëm të
një gjenerate më herët. Ai përkrahej fort nga një kontingjent i togerëve të aftë,
gradat e të cilëve kanë përfshirë atë të Leonard Binder, Elie Kedourie, dhe
David Pryce-Jones. Ka edhe shumë ushtarakë të tjerë të cilët kanë bërë një
shërbim të shquar për këtë orientalizëm të ri. Përmbledhja e këtyre ushtarakëve
nuk do të quhej e përfunduar pa emrat e Daniel Pipes, Martin Kramer, Thomas
Friedman, Martin Peretz, Charles Krauthammer, William Kristol dhe Judith
Miller.
Unë u përpoqa
që të bëj të qartë një përplasje ndërmjet këtyre orientalistëve të rinj dhe
disa prej paraardhësve të tyre të shquar si Hienrich Heine, Abraham Geiger, Gustav
Weil, Franz Rosenthal, dhe të famshmit Ignaz Goldziher. Çfarë do t’i thonë këta
çifutë pro-islamë pasardhësve të tyre kur orientalizmi i të cilëve i denigroi
dhe i poshtëroi shoqëritë që ata i studiuan dhe të cilët punuan për të nxitur
një luftë qytetërimi mes Islamit dhe Perëndimit? A do të mundet Geiger dhe
Goldziher që ta përfshijnë Lewis dhe Kedourie, apo ata do të zmbrapsen nga
orientalizmi i tyre i ri dhe grabitqar?
Ky artikull është botuar për herë të parë në
gjuhën shqipe, në revistën “URA”, nr.6, Pranverë-Verë 2011.
Përktheu nga
gjuha angleze:
Ermal BEGA
Ky artikull
është marrë nga faqja: http://aslama.org/Islam/IslamNovember062002.pdf
* M.
Shahid Alam jep mësim në lëndën e ekonomisë në Northeastern University. Libri
i tij i fundit, Poverty
from the Wealth of Nations (Varfëri nga pasuria e kombeve), është botuar nga
Palgrave në vitin 2000. Ai mund të kontaktohet nga adresa e e-mailit: m.alam@neu.edu
No comments:
Post a Comment