30 December 2011

Intervistë me Dr. Murad Hofmann për revistën "URA"


DR. MURAD W. HOFMANN
~ Intervistë ekskluzive për revistën “URA” ~*

1. Pyetja jonë e parë është: Mund të na thoni ju lutem se cila është një nga arsyet kryesore, të cilën nuk e keni përmendur më parë, se pse e pranuat Islamin si fenë tuaj, në një kohë kur Islami për Europën dhe Perëndimin nuk ishte aq interesant dhe i rëndësishëm? A nisët të mësoni për Islamin si një orientalist para se ta pranoni atë si besimin tuaj?
Dr. Murad Hofmann: Si fillim, dua të them që unë kurrë nuk kam qenë një “orientalist” dhe nuk kam studiuar vetëm Islamin. Përveçse në universitetit, unë e kam studiuar edhe vetë Islamin, d.m.th. gjatë kohës që isha një diplomat i ri në Algjeri. Kthimi im në musliman ndodhi si rezultat i një kërkimi personal për hyjnoren, për të vërtetën. Në atë kohë, Islami nuk kishte filluar ende të diskutohej në Europë.

2. Si mund ta përshkruani jetën tuaj në Islam gjatë gjithë viteve që keni qenë musliman?
Dr. Murad Hofmann: Islami nuk mund të vazhdojë të jetë një çështje personale për mua ndërkohë që, me rritjen e imigrantëve muslimanë në Europë, Islami u bë një çështje e çdokujt. Për t’ju përgjigjur nevojës së shkëlqyeshme për t’u informuar në lidhje me Islamin unë u bëra anëtar dhe bashkëthemelues i Këshillit Qendror të Muslimanëve në Gjermani (ZMD) dhe nisa të mbaj leksione, dhe jashtë vendit gjithashtu, dhe shkruajta libra mbi Islamin.

Dr. Murad Hofmann dhe Ermal Bega - Bonn, Shtator 2011

3. Numri i muslimanëve në Europë po rritet. A mendoni se kjo është ende një problem për Gjermaninë dhe Europën?
Dr. Murad Hofmann: Fatkeqësisht, sa më shumë që numri i muslimanëve në Europë rritet, aq më shumë shtohen edhe ndjenjat anti-islame. Kjo “islamofobi” ka shkaktuar që shumë muslimanë të arsimuar ta lënë Europën dhe të kthehen në Afrikën Veriore, Bosnje dhe Turqi.

4. Cila mendoni se është mënyra më e mirë për muslimanët në Gjermani dhe në Europë, qofshin ata emigrantë apo vendas të rikthyer në Islam, për të shfaqur Islamin e tyre?
Dr. Murad Hofmann: Mënyra më e mirë për muslimanët në Europë nuk është që ata të asimilohen por që të integrohen në mjedisin e tyre pa e vënë në rrezik besimin e tyre. Ky integrim duhet të ndodhë nga poshtë, që nga niveli bazë, si një kusht paraprak për t’u përfaqësuar në nivele të larta.

5. Gjatë vizitës në shtëpinë tuaj në Bonn, patëm rastin që të na prezantoni disa të rinj turq të arsimuar, të cilët kanë lindur dhe jetojnë në Gjermani, dhe janë muslimanë aktivë, për të cilët ju na thatë se “këta janë e ardhmja e Gjermanisë”. A mendoni se kjo popullsi e re muslimane dhe aktive në Gjermani dhe në të gjithë Europën do të shtohet shumë dhe do të zërë vendin e besimtarëve aktivë të feve të tjera, kur dihet se lindshmëria në mesin e muslimanëve është më e lartë se ajo e komuniteteve të tjera?
Dr. Murad Hofmann: Mendoj se përqindja e lartë aktuale e lindjeve të tyre do të shtojë numrin e muslimanëve në Europë - për ca kohë. Por përqindjet e lindjeve bien në mënyrë të pashmangshme me nivelin e rritjes së të ardhurave. Megjithatë, numri i madh i muslimanëve të rinj aktivë në Europën e sotme premton një ngritje të veprimtarisë islame në Europën e së nesërmes.

Dr. Murad Hofmann duke shfletuar revistën “URA” - Bonn, Shtator 2011

6. Sot, shumë perëndimorë, pasi bien në kontakt me Islamin në mënyra të ndryshme, hyjnë në Islam, ku shumë prej tyre janë personalitete dhe njerëz të nivelit të lartë. Mund të na thoni ju lutem, pse vetë muslimanët në Europë, kryesisht emigrantë ose vendas me origjinë islame, nuk janë shumë aktivë në përhapjen e Islamit të vërtetë, mos vallë ata kanë frikë se mos sulmohen ose ndihen disi të turpëruar që janë muslimanë?
Dr. Murad Hofmann: Islamofobia në këtë kohë është më e pranishme në Gjermani sesa në Francë dhe Britaninë e Madhe sepse Gjermania nuk i është shfaqur kurrë Islamit si një fuqi kolonizuese. Si rezultat i kësaj, shumë muslimanë në Gjermani i frikësohen veçanërisht një reagimi të ashpër anti-islam dhe anti-musliman. Kjo mund t’i bëjë ata të ndihen të frikësuar por sigurisht jo të turpëruar me besimin e tyre.

7. Librat tuaj janë përkthyer në shumë gjuhë të botës, dhe dy prej tyre, 1. Islami dhe 2. Kur’ani, janë përkthyer gjithashtu në gjuhën shqipe dhe janë botuar këtë vit në Tiranë. A mendoni se pikëpamja juaj për Islamin në botën e sotme është një shembull i mirë për të ftuar në Islam shumë europianë dhe perëndimorë?
Dr. Murad Hofmann: Librat e mia relativisht kanë pasur sukses, gjithashtu dhe jashtë Gjermanisë. Ato sigurisht që kanë më sukses sesa librat e importuar nga bota islame, veçanërisht nga India dhe Pakistani. Duhet që dikush ta njohë nga afër një kulturë vendase për të futur Islamin në të.

8. Qendra Shqiptare për Studime Orientale, në Tiranë, më 10 Shtator 2011, organizoi një seminar rreth personalitetit tuaj dhe në të njëjtën kohë promovoi dy librat tuaj të fundit, 1. Islami dhe 2. Kur’ani, të përkthyer në gjuhën shqipe, ku personalitete shqiptare folën për ju dhe librat tuaj në gjuhën shqipe. Gjithashtu, revista “URA”, organ i qendrës të përmendur më lart ka botuar 6 prej artikujve tuaj në çdo numër të saj. Mund të shtoni diçka në lidhje me këtë?
Dr. Murad Hofmann: I jam mirënjohës Qendrës Shqiptare për Studime Orientale dhe revistës “URA” në Tiranë që kanë paraqitur para publikut shqiptar disa nga librat dhe artikujt e shkruar nga unë si dhe një seminar në lidhje me veprimtarinë time. Gjithashtu dua të falënderoj revistën “URA” që bëri këtë intervistë për lexuesit shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe kudo ku ata jetojnë.

Faleminderit shumë!

Intervistoi dhe përktheu nga gjuha angleze: Ermal BEGA, 2011
Kryeredaktor i revistës “URA”
ISSN 2222-8381
acfos_albania@yahoo.com, uramagazine@gmail.com
Tiranë-Shqipëri


Intervistën origjinale në anglisht mund ta ndiqni në këtë link:
http://albanianorientalist.blogspot.com/2011/12/interview-with-dr-murad-hofmann-for-ura.html


* Kjo intervistë është botuar në numrin e fundit (nr. 7) të revistës “URA”, Vjeshtë/Dimër 2011.

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *