08 March 2012

Shtatë profetësitë e një të urti

Ermir HOXHA

SHTATË PROFETËSITË E NJË TË URTI*

Shtatë Endrrat e Shqipërisë
Së afërmi del i ribotuar libri i klerikut të njohur të viteve ‘20-‘40, Hafiz Ali Korça, i titulluar "Shtatë ëndrrat e Shqipërisë". Iniciativa i përket Ermal Begës, një i ri i dhënë pas veprave të vjetra të kulturës orientale dhe jo vetëm fetare.

Ato, në fakt, janë shtatë ëndrrat e klerikut të madh, Hafiz Ali Korçës, një ndër personalitetet më të mëdha të fillimshekullit të kaluar, një ndër postet e larta shtetërore të të cilit, e paimagjinueshme për kohët e sotme kur klerikët duhet të shohin të prapmet e tyre, ishte ai i këshilltarit të Ministrisë së Arsimit, në vitet e para të shtetformimit shqiptar. "Shtatë ëndrrat e Shqipërisë" është një libërth i tij, që i përket vitit 1944, i cili së shpejti do të jetë në një botim të ri, iniciativë e orientalistit riosh, Ermal Bega, që ka prirjen të mbledhë visare të letërsisë orientale, me përmbajtje nga shumë fusha. Përgjithësisht, veprat e Ali Korçës janë pasioni i tij, pasi kjo figurë, nga më prodhimtaret dhe më aktivet në vitet ‘20-‘40, ku veçohen përkthimet e "Rubairave" në një variant anti-Nolian, apo një manifest kundër Bolshevizimit, mbetet pak i njohur ndër shqiptarë, përveç brezit të hershëm.

"Shtatë ëndrrat e Ali Korçës" janë një vepër e rrallë dhe e klasifikueshme mes atyre veprave madhore të klerikëve patriotë shqiptarë të të gjitha besimeve, të cilët formimin, dellin dhe kulturën e tyre krijuese ua kanë kushtuar ndjenjave atdhetare. Përmes shtatë ëndrrave, Ali Korça ka bërë një pasqyrë të realitetit shqiptar të viteve të nxehta monarkike, haxhiqamiliste e më pas komuniste, duke parandjerë përçarjen e kombit dhe retë e zeza të së ardhmes. Krahas kësaj, shtatë poezitë përmbajnë dhe zbërthimin e kuptimit të tyre, po me gjuhë poetike, një rast i rrallë ky në letrat shqipe. Të shtatë poezitë emërtohen thjesht me numër të paraprirë nga fjala poezi, ndërsa shtjellimi i tyre, vjen më pas i emërtuar si "Ç‘provim i ëndrrës së..." Por kjo vepër nuk është e kufizuar vetëm në shtatë poezi. Ajo është dhe një vepër në prozë, ku Ali Korça e ka plotësuar me kujtime, ide e komente për zhvillimet shqiptare të kohës. Prej tyre, veçohen 5 propozimet e Ali Korçës, bërë në Kongresin e Dibrës, ku si pikë e parë e tij është: "Mësimi i gjuhës shqipe zyrtarisht në çdo shkollë". Pikë tjetër është: "Mosdërgimi i djemve shqiptarë si ushëtar në shkretëtirat e zjarrta të Jemenit se dy të tretat s‘kthehen". Ndërsa pika e katërt e propozimeve të Ali Korçës është: "Pastërimi i moçalevet, ndreqja e rugavet dhe e uravet..."

Ardhja e princ Vidit është një tjetër rrëfenjë e Ali Korçës në librin e tij "Shtatë ëndrrat e Shqipërisë". Mësohet se ai ka qenë një ndër mikpritësit në mbërritjen e princit karriershkurtër. Shkruan Ali Korça: "Dërvish Hima, unë dhe dy të tjerë mbajtmë nga një fjalë frëngjishte dyk e kallzuar gëzimin e ardhjes së tij. Së fundi na u përgjigj frëngjisht dhe ajy". Libri i Ali Korçës, që pritet të dalë nga botimi si çdo vepër e llojit të saj, nga njëra anë pasqyron personalitetin e autorit, nga ana tjetër, është pasqyrim i një realiteti të caktuar, të një kohe të turbullt, e mbetur e tillë dhe sot, për shkak të devijimeve ideologjike të historiografisë shqiptare.

Orientalistika si pasion

Libri i Hafiz Ali Korçës, "Shtatë ëndrrat e Shqipërisë", ndodhet në një vandak librash të vjetër të mbledhur me merak e skrupulozitet nga një i ri i dhënë pas orientalistikës. Ermal Bega është diplomuar për këtë fushë në Universitetin e Prishtinës, por pasionin e tij e ka më së shumti empirik, të datuar që para 11 vjetësh, ku gërmonte kudo për të gjetur ekzemplarë të rrallë në gjuhët orientale. Librat që ka arritur të mbledhë janë më së shumti në persisht, osmanisht dhe arabisht. Janë libra me fletë të zverdhura nga vjetërsia, diku më fletë të hapërdara dhe diku të thërrmuara si tallash. Në këtë lloj pasurie ka libra politikë, sociologjikë, fetarë, shkencorë dhe libra letërsie. Kamus El-Alam (Enciklopedinë turke), vepra pak e njohur ndër shqiptarë e Sami Frashërit me mbi 4000 faqe, ndodhet në bibliotekën "antike" të Begës. Ajo është origjinale, e shkruar në osmanisht dhe është trajtuar nga autori si një enciklopedi botërore, për të gjitha fushat. Po nga Sami Frashëri, posedon në origjinal "Kamus Turki", (Fjalori i parë i gjuhës turke), që konsiderohet si një ndër kryeveprat dhe bazat e kulturës e mendimit turk.

Po ashtu, në duart e orientalistit të ri ndodhet dhe një përmbledhje origjinale e revistës "Dituria" të Lumo Skëndos, alias Mit‘hat Frashëri, si dhe një numër revistash të Kadri Vokopolës, kryetarit të shoqatës "Drita Hyjnore" të titulluara "Njeriu". Kjo pasuri e rrallë e poseduar privatisht nga Bega, është planifikuar të publikohet në një panair bukinistësh, që Ministria e kulturës do të organizojë së afërmi në qytetin e Vlorës. Shumë prej veprave, sidomos ato që mbajnë autorësinë e disa figurave të mëdha klerikale të kohës, si Ibrahim Dalliu apo Haki Sharofi, janë në planet e orientalistit Bega për t‘u ribotuar në variante të reja.


* Botuar në gazetën “Shqip”, 23 Nëntor 2006, Tiranë.

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *