07 August 2012

Themelohet partia politike "ATDHEU"

Ermal BEGA

THEMELOHET PARTIA POLITIKE “ATDHEU”

Me parrullën “Askush nuk është më i rëndësishëm se Shqipëria”, më 10 Mars 2012, në orën 11 paradite, në një nga sallat e Hotel Tirana International, me pjesëmarrjen e një grupi të madh të ftuarish, ambasadorë, nga shoqëria civile, drejtues organizatash të ndryshme, si dhe miq e dashamirës, të ardhur nga Tirana dhe nga qytete të tjera të Shqipërisë morën pjesë në themelimin dhe prezantimin publik të partisë më të re politike në Tiranë dhe Shqipëri me emrin shumë domethënës “ATDHEU”.
Në fillim u këndua himni i Shqipërisë, dhe më pas z. Jetmir Çela pasi falënderoi të ftuarit për pjesëmarrjen dhe pasi i bëri një rezyme të qëllimeve dhe objektivave të kësaj partie, filloi të prezantonte themeluesit e kësaj partie, të cilët mbajtën dhe fjalën përshëndetëse për këtë aktivitet.
Themeluesit e kësaj partie janë:

1. Kreshnik Osmani (kryetar)
2. Jetmir Çela (sekretar organizativ)
3. Artan Shaqiri (nën/kryetar dhe sekretar i përgjithshëm)
4. Dr. Bedri Bylyku (nën/kryetar dhe sekretar për çështjet e mjekësisë)
5. Stela Cufaj (kryetare e Forumit Rinor të partisë “Atdheu”)
6. Elton Shehu (sekretar për marrëdhëniet me publikun).

Kjo parti i përket spektrit politik të qendrës së djathtë.
Fjalën i pari e mori vetë kryetari i kësaj partie, Kreshnik Osmani. Në fjalën e tij, ai foli për arsyet pse e shtynë atë si kryetar dhe themeluesit e tjerë që të hidhnin hapin për hapjen e një partie të re politike në Shqipëri.
Në fillim të fjalës së tij, kryetari i partisë “Atdheu”, Kreshnik Osmani, duke folur për situatën politike të tanishme u shpreh: “Situata politike në Shqipëri ka shkaktuar reaksione negative, humbjen e shpresës si dhe zbehjen e ndjenjave kombëtare. Siç mund të vihet re, klasa aktuale politike në Shqipëri nuk e konsideron politikën si artin e ngritjes së shtetit dhe të institucioneve të tij, apo si mirëqeverisje, por si një luftë klasash për kontroll dhe si një mënyrë të shpejtë për t’u pasuruar.”
Më tej, duke treguar për parimet në të cilat mbështetet partia shqiptare “Atdheu”, kryetari Kreshnik Osmani tha: “Kjo parti mbështetet në këto vlera themelore: barazia e individit përballë ligjit, bashkekzistenca paqësore dhe diversiteti i vlerave, besimeve, kulturave dhe qytetërimeve si resurse të mëdha vlerash. Partia shqiptare “Atdheu” udhëhiqet nga harmonia, bashkekzistenca, solidariteti mes feve tradicionale, humanizmi dhe përkrahja sociale.”
Pastaj, fjalën e morën themeluesit dhe drejtuesit e tjerë të kësaj partie, zonja Stela Cufaj, Elton Shehu dhe ideatori i kësaj partie dhe kryetari i nderit Artan Shaqiri, të cilët folën në lidhje me idetë dhe objektivat që kërkon të arrijë kjo parti (ndërkohë Dr. Bedri Bylyky nuk foli për shkak të gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore në atë moment).
Në fund, u shtrua një koktej për të pranishmit.

Opinion

Pasi m’u bë ftesa për të marrë pjesë në këtë takim elektoral, mendova që do të ishte mirë që të shkoja të dëgjoja se për çfarë lloj partie bëhet fjalë dhe për të dëgjuar programin e saj. Çfarë më vinte ndërmend para se të shkoja ishte: Mos vallë duan që nga kjo parti të më “përvetësojnë”, kur nuk i jam afruar asnjë partie, duke menduar se do të bëhesha lypës dhe të zbatoja çfarë më “urdhërohej” nga drejtuesit e partive, edhe pse mund të ishte kundër moralit, edukatës dhe arsimimit tim.
Asnjë partie nuk i kam besuar deri tani, sepse të gjitha partitë e sistemit pluralist më janë dukur të pavlera. Gjithmonë kam thënë që nuk më intereson asnjë parti dhe me të vërtetë nuk kam marrë në asnjë aktivitet. Si rrjedhim, në jetën time nuk kam votuar asnjëherë, përveçse në vitin 2009, kur votova për Partinë Demokratike (PD), ku mendova se si për herë të parë që po votoj në vendin tim për “të mirën e popullit” (kështu mendoja), kjo parti duket si më e mira në llumin politik shqiptar, ku çdo deputet ose kryetar i çfarëdo partie në Shqipëri është i ndyrë në një aspekt ose një tjetër. Por në fakt, dhe me këtë votim timin dështova, moralisht dështova, kur pas disa kohësh kryeministri i Shqipërisë (njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike), Sali Berisha, dha të drejtën ligjore për njohjen publikisht dhe ligjërisht të martesave homoseksuale në Shqipëri. Ky ligj i kësaj partie binte ndesh tërësisht me moralin tim, fetar dhe atdhetar (gjithashtu dhe të besimit dhe moralit të shumicës së shqiptarëve), dhe në njëfarë mënyra e mallkova votën time, që ishte hera e parë dhe mbase e fundit në jetën time.
Shqipëria jonë, ku Allahu i Madhërishëm nga krijoi dhe bëri të jetojmë, në kohët moderne po vidhet, mashtrohet, lëndohet e lëngohet dita-ditës, populli po varfërohet, rinia po degjenerohet, historia po humbet dhe po falsifikohet, dhe askush nuk po e shikon vërtetë këtë dhe askush nuk e ndjen siç duhet këtë dhimbje.
Duke qenë njeri i kulturës, kam marrë pjesë në shumë aktivitete kulturore dhe artistike në Shqipëri dhe jashtë saj, dhe tërësisht kam qenë gjithmonë i lidhur me kulturën në përgjithësi, dhe me kulturën orientale në veçanti (meqenëse kam mbaruar për studime orientale).
Është hera e parë që marr pjesë në një takim elektoral të ndonjë partie politike në Shqipëri. Duke njohur personalisht kryetarin e partisë shqiptare “Atdheu”, si dhe disa nga drejtuesit e saj, dhe duke marrë parasysh moralin, atdhedashurinë dhe burrërinë e tyre, mendova të shkoja.
Pasi dëgjova mirë të gjithë ligjëruesit, në pushimin e koktejit, gjatë bisedës së lirë me kryetarin dhe drejtuesit e tjerë, u thashë që do të mundohem me sa të mundem që të kontribuoj në çfarëdo mënyre, të jashtme ose të brendshme, për arritjen e qëllimeve dhe objektivave të kësaj partie.
Mendimi im i përgjithshëm është që Shqipërisë kanë nisur t’i ikin ose t’i ndryshohen BURRAT, dhe mendoj se në objektivat dhe qëllimet e kësaj partie i gjeta sërish. Shpresoj tek Allahu i Madhërishëm që t’ia hapë rrugën kësaj partie dhe drejtuesve të saj për t’i bërë realitet qëllimet dhe objektivat e kësaj partie!

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *