Zeina Azzam SEIKALY*
GJUHA ARABE - ELEMENTI I CILI E
LIDH BOTËN ARABE**
Zeina Azzam Seikaly |
Nëse një algjerian, një egjiptian, një sirian dhe një nga Arabia Saudite do
të pyeteshin, “Çfarë ju bën juve të ndiheni arab?” ata të gjithë pa dyshim do të
përfshinin gjuhën në përgjigjet e tyre. Në të vërtetë, kjo gjuhë është elementi
i cili e lidh botën arabe, nga Maroku deri në Kuvajt. Gjuha arabe ka luajtur një
rol të rëndësishëm në historinë e njëjtë për të gjithë arabët, dhe ajo vazhdon
që ta pajisë shoqërinë arabe me një ndjenjë të lidhur dhe të fortë të
identitetit.
Deri me ardhjen e Islamit në shekullin e shtatë, gjuha arabe ishte
kryesisht një gjuhë e folur. Kur’ani, libri i shenjtë i Islamit, iu shpall
Profetit Muhammed në gjuhën arabe, duke i dhënë në këtë mënyrë gjuhës arabe një
domethënie të madhe fetare. Muslimanët besojnë se për të kuptuar plotësisht
mesazhin e Kur’anit, ai duhet të lexohet në gjuhën e tij origjinale: në
arabisht. Prandaj, rëndësia e gjuhës arabe shtrihet përtej kufijve të botës
arabe. Jetojnë mbi 1 miliardë muslimanë në të gjithë botën, dhe të gjithë ata përpiqen
që ta mësojnë gjuhën arabe për të lexuar dhe për t’u falur në gjuhën e
shpalljes.
Fjala e parë: Lexo!
Muslimanët besojnë se fjala e parë e cila iu shpall Profetit Muhammed ishte
ikra, ose “lexo.” Ky është urdhri të
cilin Zoti ia dha Muhammedit kur Profeti nisi që të merrte shpalljet të cilat më
vonë u mblodhën në Kur’an. Fjalë për fjalë, Kur’an do të thotë “recitim.” Në
fakt, folja ikra përmban rrënjën me
tre shkronja në të cilën është bazuar fjala “Kur’an” - K, R dhe A (shihni më
poshtë “Rrënja dhe sistemi strukturor”). Muslimanët gjithashtu e komentojnë
këtë urdhër të Zotit si një urdhër ndaj njerëzimit jo vetëm për të mësuar që të
lexojnë dhe të shkruajnë, por gjithashtu edhe për të fituar një kuptim të thellë
të jetës dhe natyrës shpirtërore përmes mësimit.
Tre format e gjuhës arabe: Klasike, standarde moderne, dhe e folur
Kur’ani u bë standardja e pandryshueshme për gjuhën arabe, veçanërisht për
formën e shkruar të gjuhës. Arabët e konsiderojnë “arabishten klasike” të
Kur’anit si bazë të bukurisë dhe përsosmërisë gjuhësore. “Arabishtja standarde
moderne,” e bazuar në formën klasike të gjuhës, përdoret në letërsi, mjetet e
shtypit, dhe mjetet e komunikimit zyrtar si p.sh. emisionet e lajmeve. “Arabishtja
e folur,” ose dialekti i folur në një vend të caktuar, ndryshon nga vendi në
vend dhe nga krahina në krahinë në të gjithë botën arabe.
Format e gjuhës së folur dhe të shkruar të arabishtes janë shumë të
lidhura. Në ceremonitë fetare dhe në ligjërimet ose takimet zyrtare, forma e
shkruar e arabishtes përdoret gojarisht. Arabishtja standarde moderne përdoret
në emisionet e lajmeve në radio dhe në televizion përgjatë botës arabe, duke i
lejuar folësve të gjuhës arabe nga vende të largëta si Libani dhe Maroku për të
kuptuar njëri-tjetrin. Gjatë bashkëbisedimit, megjithatë, folësit e arabishtes
nga vende të ndryshme mund të hasin probleme në të kuptuarit e njëri-tjetrit
kur ata flasin në dialektet e tyre përkatëse të vendit. Ata mund të komunikojnë
në arabishten standarde moderne, një formë e përdorur zakonisht për takime
zyrtare, por ajo mund të duket paksa e rëndë ose e vështirë.
Ndonëse arabishtja e shkruar ka ndryshuar relativisht pak që nga shekulli i
shtatë, arabishtja e folur ka marrë shumë ndryshime lokale dhe krahinore. Ajo
ka përfshirë gjithashtu fjalë të huaja; për shembull, në shekullin njëzet, shumë
fjalë të reja jo-arabe kanë gjetur mënyrën e tyre brenda gjuhës, veçanërisht
fjalë në lidhje me teknologjinë moderne. Ndonëse ka fjalë të barasvlershme për
“kompjuter,” “telefon,” “televizion,” dhe “radio,” shumë arabë, në të folur, do
të përdorin përkthimet angleze ose franceze të këtyre fjalëve.
Në të njëjtën kohë, gjuhët perëndimore kanë huazuar një bollëk fjalësh nga
gjuha arabe. Gjatë kulmit të vet, qytetërimi islam ishte konsideruar si një
qendër e diturisë, dhe arabishtja ishte mjeti për mjekësinë dhe matematikën, filozofinë,
dhe astronominë. Fjalë të tilla si alkool, algjebër, admiral, alkimi, eliksir,
garzë, dhe magazinë kanë të gjitha rrënjë nga gjuha arabe. Shumë prej emrave të
yjeve rrjedhin nga gjuha arabe; ku si shembull përfshihen Betelgeuse dhe Rigel
(që të dyja në yjësinë e Orionit), Deneb (në yjësinë Signus), Altair (në yjësinë
Akuila), dhe Aldebaran (në yjësinë Taurus). Veç kësaj, gjuha spanjolle dhe
portugeze përmbajnë gjithashtu një bollëk fjalësh me origjinë arabe, për shkak
të lulëzimit të qytetërimit arab në gadishullin Iberik nga shekulli i tetë deri
në shekullin e pesëmbëdhjetë.
Karakteristikat e gjuhës arabe
Arabishtja është një gjuhë semite, njësoj si hebraishtja dhe aramaishtja. Ajo
ka 28 shkronja, shumë prej të cilave janë shkronja të ngjashme me alfabetin
romak, dhe shkruhet nga e djathta në të majtë. Shkronjat ose tingujt e barasvlershëm
me P dhe V nuk ekzistojnë në gjuhën arabe. Anasjelltas, shumë nga tingujt e
shkronjave në gjuhën arabe janë të panjohur për folësit e disa gjuhëve të tjera.
Për shembull, tingulli grykor ajn
krijohet duke e shtrënguar fytin dhe nuk ka të barasvlershëm në gjuhët perëndimore
(në tekstin e transkriptuar ai shënohet shpesh me një apostrofë). Tingulli gajn i ngjan tingullit francez “r,” dhe
tingulli kha tingëllon si “ch” e
thellë gjermane. Disa shkronja arabe përfaqësojnë tingujt që shkruhen si dy
shkronja në gjuhë të tjera, si p.sh. shkronja shin që jep tingullin “sh,” dhe shkronja tha siç shqiptohet në fjalën “thin”.
Gjuha arabe ka gjashtë zanore: një “i” të gjatë; një “i” të shkurtër; një
“a” të gjatë; një “a” të shkurtër; një “u” të gjatë; dhe një “u” të shkurtër. Të
tre zanoret e gjata (i, a dhe u) përcaktohen nga shkronja të veçanta, ndërsa
shkronjat e shkurtra shënohen me shenja theksimi. Prandaj, shumë fjalë arabe
shkruhen si një varg me bashkëtingëllore, me shenja theksimi që shoqërojnë
shkronjat për të treguar zanoret. Në të shkruarit e përditshëm, këto zanore
shpesh nuk përdoren; lexuesi i njeh fjalët si pasojë e përvojës si dhe e
kontekstit.
Përveç formimit të njëjësit dhe shumësit, gjuha arabe ka një formë të
quajtur “i dyfishtë” e cila tregon pikërisht dy gjëra. Për shembull, një
stilolaps shkruhet kalem, dy
stilolapsa bëhet kalemejn dhe shumë
lapsa bëhet aklam. Njësoj si në frëngjisht,
spanjisht, dhe shumë gjuhë të tjera, emrat arabë nuk kanë gjini, ndërsa foljet
dhe mbiemrat pranojnë gjini. Në arabishten e shkruar, fundet e rasave përdoren
për të treguar pjesë të ligjëratës (njerëz, sende, shprehje parafjalore, etj.),
në një formë të njëjtë me latinishten dhe gjermanishten.
Shkronjat arabe janë të lidhura bashkë për të formuar fjalë të një lloji; nuk
ka dallim mes shkimit të shtypit apo shkrimit kursiv, si në anglisht. Po ashtu
nuk ka shkronja të mëdha dhe të vogla - të gjitha shkronjat janë njësoj. Forma
e shkronjës, megjithatë, ndryshon në varësi të vendndodhjes së saj në një fjalë
(në fillim, në mes, në fund). Disa prej tyre bashkohen vetëm nga njëra anë, ndërsa
të tjera nga të dyja anët. Format e shkronjës përfshijnë lakime dhe pika, si
dhe veçori të tjera të cilat i japin shkrimit një vlerë artistike (shihni
“Kaligrafia arabe,” faqe 30).
Rrënja dhe sistemi strukturor
Ndoshta aspekti më i rëndësishëm i gjuhës arabe është rregulli i formës së
saj. Fjalët arabe në përgjithësi përftohen nga rrënjët me tre shkronja të cilat
ndryshojnë sipas rregullave të veçanta për të ndërtuar grupe fjalësh kuptimi i
të cilave lidhet me njëri-tjetrin. Familje të gjera fjalësh në gjuhën arabe ndërtohen
duke i shtuar parashtesa, infikse (shkronja të shtuara brenda fjalës), dhe
prapashtesa një rrënje me tre shkronja në një varg strukturash të caktuara. Në
të vërtetë, kur përdoret një fjalor i gjuhës arabe, fjalët nuk duhen parë vetëm
në mënyrë alfabetike. Rrënja me tre shkronja në fillim duhet të përcaktohet,
dhe më pas ajo mund të vendoset në mënyrë alfabetike në fjalor. Poshtë rrënjës,
janë vendosur fjalë të ndryshme të cilat i përkasin asaj familje fjalësh.
Më poshtë gjenden disa nga fjalët e formuara nga rrënja me tre shkronja
XH-L-S.
XheLeSe - të ulesh
eXhLeSe - të ulet (dikush)
XhiLSe - mënyrë e të ulurit
XhuLuS - (veprimi i) të ulurit
iXhLiS! - ulu!
XheLSa - takim ose mbledhje
XheLiS - shoqërues; pjesëmarrës në një takim shoqëror (femërorja bën XheLiSa)
meXhLiS - seancë ose mbledhje
muXheLeSe - shkëmbim ose komunikim shoqëror
Emrat arabë
Shumë familje arabe vazhdojnë të ndjekin zakonet tradicionale të vendosjes
së emrave. Djali i parë që lind, për shembull, do ta emërojë djalin e tij të
parë me emrin e babait të tij. Meqenëse shoqëria arabe është trashëgimore,
vajzat dhe djemtë marrin emrin e babait të tyre si emër të dytë dhe mbiemrin e
tij e marrin si të tyre. Të gjithë emrat kanë nga një kuptim - shpesh u vënë
emrat e një personaliteti të shkëlqyer (p.sh. Kerima do të thotë bujare ose
fisnike; Zaki do të thotë inteligjent). Si në shumë pjesë të botës, emrat arabë
shpesh shënojnë një profesion për të cilin familja është njohur dikur, si Haddad
(Farkëtar), ose Habbaz (Furrtar). Mbiemrat mund të paraqesin gjithashtu qytetin
e familjes ose vendin e origjinës, si Akkavi (nga Akka, ose Akre, në Palestinën
historike) ose Humsi (nga Hums, në Siri).
Kur lexohet historia arabe, ndeshen shpesh fjalët Ibn (ose Bin) dhe Bint, që
duan të thonë përkatësisht “djali i” dhe “vajza e”. Prandaj, Ibn Halduni ose
Ibn Battuta tregojnë Djali i Haldunit dhe Djali i Battutës, dhe Zejnebe Bint
Xhehsh do të thotë Zejnebja, Vajza e Xhehshit. “Benu” ose “Beni” është shumësi
i Ibn; prandaj, Benu Hashim do të thotë fëmijët (ose pasardhësit) e Hashimit,
dhe Beni Adam do të thotë pasuesit e Ademit (Adamit). “Ebu” do të thotë “babai
i” dhe “Umm” do të thotë “nëna e;” pra: Ebu Seleme dhe Umm Seleme janë prindërit
e djalit të quajtur Seleme.
Në Islam, Zoti (Allahu në
arabisht) ka nëntëdhjetë e nëntë emra, ku të gjithë ato emra përshkruajnë mirësinë
dhe madhështinë e Tij. Këto janë atributet të cilat janë përmendur në Kur’an
dhe Hadith (thëniet e Profetit Muhammed). Shumë emra arabë janë formuar duke
bashkuar fjalën Abd (do të thotë “shërbues i”) me një nga 99 emrat e Zotit. Prandaj,
Abd Allah (që shpesh shkruhet si Abdallah, ose Abdullah) do të thotë Shërbyes i
Zotit. Më poshtë ka disa shembuj të tjerë. Vini re se parashtesa “al” është
shquesi i fjalës.
Abd al-Rahman - Shërbyes i të Mëshirshmit
Abd al-Xhebbar - Shërbyes i të Plotfuqishmit
Abd al-Hakim - Shërbyes i të Urtit
Kur këta emra përdoren në një gjuhë tjetër, ata shpesh shkruhen si Abdul
Rahman dhe Abdul Xhebbar. Nuk është një mënyrë e drejtë ose e gabuar që këto
emra të transilterohen, me kusht që të kuptohet se “Abdul” zakonisht nuk qëndron
vetëm si emër. Për më tepër, ai do të thotë “shërbyes i” dhe duhet ndjekur nga
një prej 99 emrave të Zotit.
Më poshtë janë shënuar disa emra të tjerë arabë të zakonshëm dhe kuptimet e
tyre.
Emra femërorë
Muna - shpresë, dëshirë
Lejla - natë
Hanan - butësi, dhembshuri
Selva - ngushëlluese, shpëtimtare
Samira - shoqëruese
Nur - dritë
Aisha - e gjallë, e begatë
Emine - besimtare, që ka besim, paqedashëse
Fatime - vajza e Profetit Muhammed
Hadixhe - gruaja e parë e Profetit Muhammed
Emra mashkullorë
Sherif - i nderuar
Xhemil - i bukur
Umer - me jetë të gjatë, i lulëzuar
Rashid - udhëheqës i drejtë, i arsyeshëm
Selim - i sigurt, i patëmetë
Ferid - unik, i pakrahasueshëm
Emin - i besuar, besnik
Halid - i përhershëm, i përjetshëm
Muhammed, Ahmed, Mahmud - i lavdëruar
Ali - i lartësuar, i lartë
Hasan, Husein - i bukur, më i miri
Emra biblikë
Ibrahim - Abraham
Davud - David
Isa - Jezusi
Hava - Eva
Musa - Mojsi
Jusuf - Jozef
Henna - Gjon
Sara - Sara
Merjeme - Maria
Kaligrafia arabe
Siç u përmend më herët, format e shkronjave arabe dhe stili i lirshëm i
shkrimit i jep gjuhës arabe fuqi të madhe artistike. Në të vërtetë, kaligrafia
arabe gjendet në të gjithë botën islame dhe mund të shihet si në mjedisin fetar
ashtu edhe në atë laik.
Një thënie (hadith) i Profetit
Muhammed thotë: “Kaligrafia e bukur e qartëson më shumë besimin.” Meqë
komuniteti musliman është rritur, kaligrafia arabe është përshtatur në përdorime
të ndryshme. Për shembull, shkrimi i Kur’anit ka nevojë që të jetë më i bukur
dhe më i kuptueshëm. Ngaqë letra ishte e shtrenjtë, shkrimi i ngjeshur u përdor
për punë dhe korrespondencën personale. Kaligrafia dekorative në ndërtesa, përpunimin
e metalit, dhe tekstile është zbukuruar (stolisur) gjerësisht dhe është
riprodhuar në stile të llojeve të ndryshme - elegante dhe të rrjedhshme, ose këndore
dhe gjeometrike. Në këtë mënyrë, modelet kaligrafike u shtuan dhe vazhdojnë të
zhvillohen edhe në ditët tona.
Disa nga karakteristikat e kaligrafisë arabe janë përpjesëtimi, simetria, përsëritja
dhe stolisja. Shkronjat horizontale, si “ba”
dhe “sin,” mund të zgjaten për të
mbushur një hapësirë ose formë të veçantë, ose për të shtuar një cilësi dramatike.
Shkronjat vertikale, si “elif” dhe “lam,” mund të shtrihen, të bëhen të
pjerrëta, ose të shndërrohen në një model pingul. Dikush mund të “ndjejë”
lirshmërinë e shkrimit në një drejtim të veçantë. Lakimet, pikat dhe shenjat e
theksimet ngjallin interes, ekuilibër, dhe zbukurim, si dhe ndihmojnë për një
kuptim më të përgjithshëm të rregullit dhe harmonisë.
Kaligrafët arabë ndonjëherë ndërtojnë kaligramë - fjalë ose shprehje të
cilat i përshtaten formave ose figurave të veçanta, si p.sh. një drejtkëndëshi
ose një kafshe. Një kaligram mund të përfshijë gjithashtu “shkrimin përmbys,” ku
kaligrafia e fjalës ose e shprehjes është një imazh përmbys i përkryer në secilën
anë të një vije të përfytyruar të simetrisë. Shumë herë këto kanë një cilësi si
labirinte, dhe në të njëjtën kohë një vlerë enigmatike dhe tërheqëse estetike.
Marrë nga faqja: http://www.amideast.org/publications/arabic-language.pdf
Përktheu nga gjuha angleze:
Ermal BEGA
No comments:
Post a Comment