31 December 2012

Prof. Dr. Abdulatif Arnauti viziton Shqipërinë

Ermal BEGA

PROF. DR. ABDULATIF ARNAUTI VIZITON SHQIPËRINË

Pas një kohe të gjatë, që prej viteve ’70 të shekullit 20, Prof. Dr. Abdulatif Arnauti viziton sërish Shqipërinë. Këtë herë ka ardhur për një arsye shumë të veçantë, nga dashuria për vendin e tij të origjinës shqiptare, dhe për nder të festimeve dhe organizimeve për 100-vjetorin historik të Shtetit Shqiptar. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC), më 29 Nëntor 2012, e ftoi atë në amfiteatrin e vet për të çelur ciklin e leksioneve me temë “Popuj e kultura” me takimin: “Arnautët e Sirisë - Një Shqipëri e vogël larg atdheut të tyre”, i cili ka në fokus trajtesa të ndryshme nga personalitete të shquar të shkencës, kulturës e artit nga brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë shumë personaliteteve të botës akademike, kulturore e diplomatike shqiptare - bashkëpunëtorë të AIITC.
Nuk është hera e parë që Dr. Abdulatif Arnauti viziton trojet shqiptare; në vitin 1964 ai ka vizituar familjarët dhe kushërinjtë e vet në Kosovë, ndërsa në vitin 1971-72 ai ka ardhur në Shqipëri, ku ka qëndruar 10 ditë tek ish-hotel “Dajti” në Tiranë, i ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, ku është takuar dhe me shkrimtarë të njohur shqiptarë të asaj kohe.
Në këtë takim, Dr. Abdulatif Arnauti, i cili është me origjinë nga fshati Dobërllukë i Vushtrrisë në Kosovë, e nisi bisedën duke folur veçanërisht për shqiptarët në Siri, dhe në përgjithësi në botën arabe si dhe për rolin, ndikimin dhe veprimtarinë e tyre atje, duke dhënë një kontribut të shquar kulturor dhe atdhetar.
Dr. Abdulatif Arnauti njihet si një ndër shkrimtarët më të njohur në Siri, dhe gjithashtu si përkthyesi i parë dhe më i mirë i letërsisë shqipe në arabisht.
Fjalën e hapjes së këtij aktiviteti e bëri Dr. Ramiz Zekaj, drejtori i AIITC, i cili bëri një rezyme të shkurtër mbi atë se cili është qëllimi i nisjes së këtyre leksioneve me të ftuar dhe personalitete të ndryshëm nga brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe më pas duke e falënderuar Dr. Abdulatif Arnautin për pranimin e ftesës, bëri një prezantim të shkurtër për jetën e tij.
Më pas fjalën e mori Dr. Abdulatif Arnauti, i cili duke folur pastër dhe rrjedhshëm në gjuhën shqipe, tregoi për historinë e ardhjes së arnautëve (shqiptarëve) në Siri, që nga koha e Ibrahim Pashës, djalit të sunduesit shqiptar Muhamed Ali Pasha të Egjiptit, në vitin 1831. Që nga ajo kohë nga Egjipti në Siri kanë shkuar 100-200 familje shqiptare. Ky konsiderohet dhe grupi i parë i arnautëve të vendosur në Siri.
Grupi i dytë i arnautëve në Siri, sipas Dr. Abdulatif Arnautit, ka qenë në fillim të shekullit 20, pas ndarjes së Shqipërisë nga Sulltanati Osman (rreth viteve 1912-1913), dhe më pas në vitin 1931, ku shumë arnautë (shqiptarë) kryesisht nga Kosova dhe trojet shqiptare në Maqedoninë e sotme, u detyruan me dhunë nga përndjekjet e serbëve ortodoksë që të shpërngulen në Turqi, ku disa prej tyre shkuan në Siri. Kësaj periudhe i përket dhe familja e Dr. Abdulatif Arnautit, e cila në vitin 1913 u shpërngul në Damask, ndërsa vetë Dr. Abdulatif Arnauti ka lindur atje në vitin 1931.
Në vitin 1924, në Damask shkuan dhe një grup familjesh shqiptare nga Shkodra. Prej këtij grupi ishte dhe familja e njohur shkodrane Gavoçi, të cilët prej aty shkuan në Egjipt, por më vonë u kthyen sërish në Siri.
Gjithashtu, shumë shqiptarë nga Shqipëria e sapo bërë shtet, u larguan prej trojeve të tyre për të ruajtur fenë dhe moralin e tyre, dhe më pas në vitin 1948 një grup prej tyre u larguar për të shpëtuar nga sistemi i egër diktatorial komunist dhe ateist në Shqipëri e Jugosllavi, por sipas Dr. Abdulatif Arnautit shumë prej tyre u shpërngulën në Amerikë.
Dr. Abdulatif Arnauti më pas tregoi para auditorit mbi jetën dhe studimet e tij në Damask. Ai tha se deri në klasën e parë të shkollës fillore nuk ka ditur arabisht, sepse të gjithë arnautët e vegjël në atë kohë në lagje dhe shtëpi kanë folur vetëm shqip, por më vonë ai nisi të mësojë. Më pas tregon: “Në shkollën fillore më erdhi një dëshirë e madhe për të mësuar gjuhën arabe, dhe në gjimnaz kam pasur një nivel të lartë të asaj gjuhe.”
Krijimtarinë e tij letrare në prozë e poezi e nisi në vitet ’40 të shekullit të kaluar. Më vonë, pas studimeve, nisi një veprimtari të gjerë në fushën e letërsisë, duke pasur dhe shumë funksione të ndryshme, si për shembull, ka qenë zëvendës-ministër i arsimit në Siri, dhe ka punuar në Lidhjen e Shkrimtarëve të Sirisë. Deri në vitin 1997 ka qenë sekretar i redaksisë së revistës “Trashëgimia Arabe”, dhe gjithashtu ka marrë pjesë në shumë borde revistash në botën arabe dhe në trojet shqiptare. Mos lëmë pa përmendur këtu se emri i Dr. Abdulatif Arnautit është vendosur që në numrin e parë të revistës “URA”, organ i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania).
Në vitin 1958-59 ai boton romanin e parë të tij me titull “Aroma e hirit”, i cili flet për dashurinë e autorit me një femër arabe.
Në vitet ’50 të shek. 20 ai nisi të përkthente vepra të letërsisë shqipe në gjuhën arabe. Këto përkthime të tij u tërhiqnin shumë nga lexuesi arab, dhe atëbotë Egjipti kërkonte që t’ia botonte edhe atje për t’u shpërndarë më vonë në të gjithë botën arabe.
Deri më sot ai ka bërë 21 përkthime, të cilat përbëjnë një numër të konsiderueshëm të gjithë librave të tij, numri i të cilëve është 61 vepra me krijimtari letrare, përkthime e studime.
Ndër veprat kryesore të përkthyera prej tij nga shqipja në arabisht, mund të përmendim:
1. Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur - Ismail Kadare
2. Kështjella - Ismail Kadare
3. Dosja H - Ismail Kadare
4. Njeriu me top - Dritëro Agolli
5. Dasma e Sakos - Vath Koreshi
6. Toka jonë - Kolë Jakova etj.

Gjithashtu, ka përkthyer dhe disa tregime dhe vjersha nga shqipja në arabisht. Ndërkohë në shqip, njihet përkthimi i tij bashkë me Dr. Ismail Ahmedin i librit “Të Huajt” (El-Guraba), një dramë bashkëkohore siriane nga autori Ali Ukle Irsan, botim i shtëpisë botuese “Logos-A” nga Shkupi, në vitin 1994.
Dr. Abdulatif Arnauti përmendi se lufta e fundit në Siri ka qenë e vështirë për të, sepse atij i kanë djegur shtëpinë ku banonte, së bashku me librotekën e tij të pasur, të cilën ia ka parë vetë në Damask dhe autori i këtij shkrimi.
Dr. Abdulatif Arnauti nuk është i vetmi personalitet i famshëm i diasporës shqiptare në Siri dhe në botën arabe në përgjithësi, dhe në trojet shqiptare gjithashtu. Nga familja e tij një tjetër personalitet shqiptar atje është dhe vëllai i tij, Abdulkadër Arnauti, një nga piktorët më të njohur jo vetëm në Siri por në mbarë botën arabe. Gjithashtu dhe 2 motrat e tij, Aishe Arnauti, e cila jeton prej vitesh në Paris, si dhe motra tjetër Hatixhe Arnauti, kanë krijuar personalitetin e tyre si poete të njohura në rrethet letrare në Siri.
Ai nuk la pa përmendur dhe personalitetet e tjerë shqiptarë që kanë dhënë kontribute të ndryshme në Siri, si dijetarët e famshëm muslimanë Abdulkadër Arnauti, Nasirudin Albani dhe Vehbi Sulejman Gavoçi, gjithashtu letrarin dhe historianin Dr. Muhamed Mufaku, poetin Ma’aruf Arnauti etj.
Më pas, Dr. Abdulatif Arnauti përmendi dhe një klub kulturor të shqiptarëve i cili ka ekzistuar në Damask dhe ka shërbyer për mbledhjen e shqiptarëve, duke folur lirshëm në shqip dhe duke diskutuar për çështje të ndryshme. Nuk la gjithashtu pa përmendur dhe emrin e profesorit të nderuar dhe të palodhur Shefqet Gavoçi, i cili ka dhënë një kontribut të madh në mesin e arnautëve të Sirisë, kryesisht në Damask, për ruajtjen e gjuhës, traditës dhe kulturës shqiptare.
Një e veçantë tjetër në këtë aktivitet, ishte se Dr. Abdulatif Arnauti me vete kishte marrë për herë të parë dhe mbesën e vet, znj. Maria Arnauti, e cila dhe kjo ishte një personalitet në Siri në fushën e artit dhe kulturës, dhe momentalisht është drejtoresha e përgjithshme e Teatrit të Operës në Damask. Me këtë rast ajo mbajti një fjalë rasti, ku pasi përmendi mikpritjen e madhe që kishte pasur në Kosovë dhe Shqipëri, ndër të tjera tha: “Jam shumë e lumtur që vij për herë të parë në vendin e origjinës së të parëve të mi, por gjithashtu më vjen keq që nuk flas dot shqip, përveç disa fjalëve, por jam mahnitur shumë pasi pashë Kosovën dhe Shqipërinë, dhe shpresoj që herën tjetër kur të vij të flas dhe të përshëndes në shqip”.
Pas ligjëratës së Dr. Abdulatif Arnautit, atij iu drejtuan disa pyetje, ku njëra prej tyre ishte se sa arnautë (shqiptarë) ndodhen në Siri, për të cilën ai u përgjigj se llogaritet që jetojnë rreth 300 familje (shtëpi) shqiptarësh në të gjithë Sirinë, ndërsa gjatë luftës së fundit civile në Siri, ai përmendi se numri i arnautëve (shqiptarëve) të vrarë llogaritet rreth 100 të vdekur.
Takimi i cili zgjati për më se dy orë u mbyll me një dhuratë simbolike që kryetari i Bordit Drejtues të AIITC, Dr. Faruk Borova, ia dorëzoi mikut të nderuar - një flamur kombëtar me shqiponjë të qëndisur, i cili do t’ia zëvendësonte edhe flamurin e vetëm shqiptar që shkrimtari e mbante në librotekën e tij personale, tashmë të djegur.
Ndërsa autori i këtij shkrimi, Dr. Abdulatif Arnautit i dhuroi disa nga botimet e Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania), si dhe një fotografi të vjetër ku Dr. Abdulatif Arnauti ka dalë bashkë me të në vitin 2004, në shtëpinë e tij në Damask.
Në fund për të pranishmit u shtrua një koktej.

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *