U MBAJT KONFERENCA E 8-të NDËRKOMBËTARE PËR GJUHËN ARABE
Në datat 15-16 Janar 2013, në Beirut të Libanit u zhvillua konferenca e
8-të ndërkombëtare për gjuhën arabe. Kjo veprimtari u organizua nga Organizata
Botërore për Gjuhën Arabe, me qendër në Beirut të Libanit. Tema kryesore e
kësaj konference ishte: “Gjuha arabe nga rreziku i dobësisë tek pasojat
modernizuese”.
Në këtë aktivitet morën pjesë studiues dhe profesorë të ndryshëm të gjuhës
arabe, nga 12 vende të ndyshme të botës arabe, nga Irani etj. Këta studiues
diskutuan mbi të folurën e arabishtes në botën arabe dhe mësimin e saj në
shkollat e ndryshme. Gjithashtu u fol për fonemat e ndryshme të përdorura nga
arabët si dhe u bënë krahasime nga vende të ndryshme arabe të mësimit të gjuhës
arabe, asaj letrare dhe të folurës së përditshme.
Pas seancës së parë të ditës së parë të konferencës, u organizua përmbyllja
e vitit universitar 2012-2013 të studentëve të Universitetit të Thirrjes në Beirut.
Në këtë aktivitet ishte ftuar dhe një kaligraf i njohur nga Tripoli i
Libanit, i cili prezantoi një koleksion të kaligrafive të punuara prej tij, në
lloje të ndryshme të shkrimit arab. Gjithashtu, i ftuar i veçantë në këtë
konferencë, me ftesë të Organizatës Botërore për Gjuhën Arabe dhe nga
organizata Zëri Ndërkombëtar i Arnautëve për Kulturë dhe Art, të dyja me seli
në Beirut, ishte i ftuar dhe orientalisti Ermal Bega, drejtori ekzekutiv i
Qendrës Shqiptare për Studime Orientale, i cili paraqiti një koleksion të
dorëshkrimeve orientale që zotëron kjo qendër.
Ky aktivitet në fund u mbyll me disa kaligrafi dhuruar kryetarit të
Organizatës Botërore për Gjuhën Arabe, Dr. Abdulnasr Xhebr, si dhe dhënien e
vlerësimeve për pjesëmarrësit në këtë organizim.
No comments:
Post a Comment