02 April 2013

Ligjëratë për Shqipërinë dhe shqiptarët në Beirut të Libanit

Ermal BEGA

LIGJËRATË PËR SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT NË BEIRUT TË LIBANIT

Më 2 shkurt 2013, në sallën e aktiviteteve të Universtitetit të Thirrjes në Beirut të Libanit, në të cilin ndodhet dhe Organizata Botërore për Gjuhën Arabe, orientalisti shqiptar Ermal Bega, njëkohësisht Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale, mbajti një ligjëratë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo ligjëratë zgjati më shumë se 1 orë duke ngjallur kureshtjen e studentëve.
Ligjëratën e tij, ai e nisi duke bërë një historik të shkurtër të origjinës së shqiptarëve që nga kohët e lashta, për ekzistencën e tyre para ilirëve, duke vazhduar më pas me emrat e ndryshëm me të cilët janë njohur shqiptarët ndër shekuj, dhe duke ardhur deri në ditët tona, duke dhënë një përshkrim të të gjitha trojeve shqiptare dhe sistemet e ndryshme politike që kanë kaluar ata.

Orientalisti Ermal Bega gjatë ligjëratës

Duke qenë pjesë kryesore dhe fushë studimi për të, orientalisti Ermal Bega në kumtesën e tij i dha një rëndësi të veçantë shqiptarëve gjatë Sulltanatit Osman (të njohur si Arnautë), si dhe shpërndarjes së tyre në të gjitha kufijtë e sulltanatit osman. Gjithashtu, ai përmendi rolin e madh të arnautëve (shqiptarëve) në këtë sulltanat, duke arritur dhe poste të larta në atë shtet, deri dhe kryeministër të atij shteti gjigant, duke punuar në atë shtet me krenari dhe jo si robër ose popull i dorës së dytë.
Ashtu siç shqiptarët kanë një histori të pasur kur janë quajtur ilirë, arbër, albanë, arbëreshë, arvanitas etj., po ashtu ata kanë pasur një histori të gjallë e të pasur kur janë quajtur arnautë, duke marrë një emër shumë të rëndësishëm dhe duke qenë të respektuar çdokund ku kanë shkuar. Është për t’u veçuar se edhe sot, në Turqi dhe në vendet arabe, kudo që të shkosh e të përmendësh familjen “Arnaut”, të flasin me respekt dhe nderim të veçantë, duke përmendur me emra disa prej personaliteteve shqiptare që kanë qenë si udhëheqës në vendet ku kanë shkuar. Për këtë aspekt do të flasim në një artikull tjetër të veçantë.
Më pas, orientalisti Ermal Bega foli për mënyrën e shpërndarjes së arnautëve në Turqi dhe në trojet arabe, mbi origjinën e emrit “arnaut” dhe për disa nga personalitetet e mëdha arnaute (shqiptare) që janë njohur më shumë në trojet arabe, duke përfshirë këtu personalitet fetare, kulturore, arsimore, politikë etj.
Në vijim, ai diskutoi mbi krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1912, mbi ndarjen e tij nga Sulltanati Osman, mbi sulmet e zullumqarëve fqinj serbë dhe grekë, të cilët në emër të urrejtjes së tyre ndaj shqiptarëve për shkaqe të cilat dihen, u sulën si ujqër duke grabitur sa më shumë toka shqiptare, duke vrarë e masakruar shumë pleq, gra e fëmijë të pafajshëm. Ai foli gjithashtu në pika të shkurtra dhe për mashtrimet e fuqive të mëdha europiane ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, mbi sundimet e njëpasnjëshme të nazistëve gjermanë dhe fashistëve italianë ndaj Shqipërisë, mbi farën e zezë komuniste-ateiste, si dhe mbi periudhën dhe historinë pas-komuniste në Shqipëri, mbi luftën e Kosovës, mbi tokat shqiptare në Mal të Zi, Kosovë, Serbi, Maqedoni, Greqi etj.
Duke përfunduar ligjëratën e tij, orientalisti Ermal Bega, bëri një përshkrim të shkurtër të qendrës që ai drejton në Tiranë dhe rolin e madh që ai vetë dhe kjo qendër i ka dhënë arnautëve, si pjesë e studimeve orientale, dhe me një rëndësi të veçantë për trashëgiminë dhe të ardhmen e shqiptarëve që jetojnë në Orient.
Fjalën më pas e mori Abdulkerim Arnauti, drejtori ekzekutiv i organizatës Zëri Ndërkombëtar i Arnautëve për Kulturë dhe Art, me qendër në Beirut të Libanit, i cili foli disa fjalë mbi respektin dhe krenarinë që gëzojnë arnautët të cilët jetojnë në mesin e popujve arabe. Ai përmendi gjithashtu që në Liban dhe në botën arabe në përgjithësi jetojnë një numër i madh arnautësh (shqiptarësh), të cilët kanë nevojë për organizime të tilla kulturore.
Pas ligjëratës së tij, orientalisti Ermal Bega falënderoi përzemërsisht zyrtarët e universitetit për ftesën që i bënë për të mbajtur këtë ligjëratë, si dhe studentët dhe të ftuarit e tjerë të pranishëm në këtë ligjëratë.

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *