01 May 2013

"Xhamia e Madhe" e Tiranës dhe zvarritjet për ndërtimin e saj

Ermal BEGA*

"XHAMIA E MADHE" E TIRANËS DHE ZVARRITJET PËR NDËRTIMIN E SAJ

Ditën e shtunë, më datë 20 prill 2013, u zhvillua ceremonia e fillimit të punimeve për ndërtimin e xhamisë së madhe në Tiranë. Në këtë ngjarje madhështore për nga natyra e saj, morën pjesë zyrtarë të lartë të shtetit, ambasadorë, deputetë, pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme fetare në Shqipëri dhe popull i thjeshtë. Dhe, si për çudi, më shumë të binin në sy zyrtarët me truprojat e tyre dhe mediat sesa vetë besimtarët muslimanë, të cilët nuk ishin të shumtë. Gjithashtu, të ftuar ishin dhe pjesëtarë të bashkësive të ndryshme fetare në Shqipëri, si dhe zyrtarë të bashkësive fetare islame nga Mali i Zi, Kosova e Maqedonia.
Nuk është hera e parë që bëhet një “përurim” i tillë për nisjen e punimeve për këtë xhami, të ashtuquajtur “Xhamia e Madhe”, por si sot fiks 20 vjet më parë u vu gurthemeli për ndërtimin e kësaj xhamie të re, tek po i njëjti vend dhe shumë më afër parlamentit, aty ku njihet si “Namazgjaja”. Por, ai gur ngeli vetëm simbol i “përurimit” të punimeve në atë vit, që kurrë nuk u përfol dhe nuk u ndërtua për 20 vjet me radhë, deri më sot. Dhe dje, njësoj si sot, shiritin e “përurimit” e preu Sali Berisha, dje president i Shqipërisë e sot kryeministër i saj, ndërsa nga viti në vit dhe nga një qeveri në tjetrën, çështja e kësaj xhamie ose u fshinte nga diskutimi publik, ose faji i hidhej sa njërës sa tjetrës qeveri që vinte.

Pamje nga lart e pjesëmarrësve në këtë aktivitet.
Vërtetë, ky objekt madhështor (sipas të vetmit projekt që u prezantua nga një studio turke) është një vepër e madhe dhe sigurisht gëzim për qytetin e Tiranës dhe qytetarët e saj në radhë të parë, pastaj për të gjithë komunitetin musliman shqiptar, e pastaj për të gjithë Shqipërinë e shqiptarët kudo që ndodhen, duke plotësuar kështu një drejtësi dhe barazi të mohuar prej vitesh kundër komunitetit musliman shqiptar pas ndërtimit të dy objekteve të mëdha për të krishterët, katedralen katolike dhe manastirin ortodoks, në pika strategjike të qendrës së Tiranës.
Duhet përmendur se për asnjë objekt tjetër fetar në Tiranë, nuk është bërë kaq shumë bujë, sesa për xhaminë e muslimanëve sunitë. Është për t’u çuditur se në asnjë objekt tjetër fetar në Tiranë (qoftë teqe, katedrale, manastir apo sinagogë), politika shqiptare nuk ka futur më shumë hundët dhe nuk është përzier më shumë, duke diskutuar kundër ose pro saj, duke folur për të se si duhet bërë, sa e madhe duhet bërë, ku duhet ndërtuar dhe kur duhet ndërtuar. Dhe deri më sot, vakëfet e mëdha të muslimanëve shqiptarë në Shqipëri (që zënë jo më pak se 2/3 e territorit të Shqipërisë dhe të shtetëzuara padrejtësisht nga sistemi ateisto-komunist), kanë ecur nëpër ferrat dhe ngërçin e fortë për t’u rikthyer tek të zotët e tyre, tek institucioni fetar që është Komuniteti Musliman Shqiptar (KMSH) dhe tek shfrytëzimi i tyre nga vetë besimtarët.

Myftiu i Shqipërisë, inxhinier Selim Muça gjatë firmosjes së marrëveshjes me shtetin shqiptar për nisjen e punimeve.
Për ndërtimin e kësaj xhamie të madhe në këtë vend ku u vendos për të dytën herë gurthemeli, besimtarët muslimanë nuk kanë qenë asnjëherë të mendimit që të ndërtohet në atë vend, sepse ai vend prej vitesh e shekujsh është njohur për tiranasit si “namazgjaja”, që në kuptimin fetar do të thotë një vend apo shesh i madh në të cilin mund të zhvillohen aktivitete të ndryshme fetare të veçanta, si p.sh.: falja e Bajrameve. Në të gjitha qytetet e mëdha në trojet shqiptare ka pasur një shesh të tillë. I tillë ka qenë rasti dhe me Tiranën, ku ai vend nuk është shfrytëzuar asnjëherë për faljet ditore të besimtarëve. Dhe, për të mos e humbur atë traditë të hershme, autori i këtij shkrimi ka këshilluar gjatë një vizite për Bajram në KMSH vetë kryetarin e KMSH-së sot, inxhinier Selim Muçën si dhe myftiun e Tiranës deri para pak kohësh, Hafiz Shaban Saliaj, që mos pranojnë në asnjë mënyrë nga shteti ynë që tek namazgjaja të ndërtohet xhami, se në këtë mënyrë do të mohojnë traditën dhe do të ndryshojnë amanetin e të parëve tanë tiranas që e lanë pasuri (vakëf) si amanet për të gjithë muslimanët.

Gurthemeli i namazgjasë i vendosur për herë të parë në vitin 1993.
Sa e sa premtime kemi marrë dhe vazhdojmë të marrim ne muslimanët shqiptarë nga politikanët tanë, duke marrë vetëm premtime boshe kundër nesh. Dhe kjo mendojmë se vjen nga paaftësia jonë si individë, si shoqëri dhe si komunitet që nuk jemi të denjë për të marrë pishtarin e drejtuesit të çështjeve tona dhe për të qenë faktor në mbrojtjen e të drejtave tona, dhe duke mos u bërë vasalë të asnjë partie politike që vjen në pushtet.


Megjithatë, me të gjitha peripecitë që hasim ne si komunitet fetar musliman, shpresojmë që kjo xhami të ngrohë vërtetë zemrat e besimtarëve, ku nijeti i vetëm për ndërtimin e saj të ketë qenë dashuria për Allahun e Madhëruar dhe Profetin e Tij. Gjithashtu, duke ditur nga historia e arkitekturës islame të xhamive gjatë Sulltanatit Osman, shpresojmë që ky objekt fetar të ketë një arkitekturë sa më të përshtatshme me arkitekturën e ndërtimeve në Shqipëri, ku mund të jetë një ndërthurje e mrekullueshme e tradicionales me modernen.

Besimtarët muslimanë në Tiranë duke falur namazin e Bajramit para ardhjes së komunizmit.
A do të nisë këtë herë me të vërtetë ndërtimi i kësaj xhamie, duke shpresuar që të pasojnë me të tjera xhami më vonë, apo jo? Mbetet të shpresojmë tek i Madhi Zot që me ndërtimin e saj të kënaqim sytë e ballit dhe të shpirtit sa më shpejt!

Video:


* Autori është orientalist.

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *