Dr. Munir MUJIĆ
KARAKTERISTIKAT E STILIT KRYESOR TË LITERATURËS BOSHNJAKE TË SHKRUAR ME
SHKRIMIN ARAB*
Dr. Munir Mujić |
Hyrje
Përhapja e Islamit në Bosnje solli përdorimin e shkrimit arab në Bosnje
përmes veprave dhe librave të ndryshëm të shkruar në gjuhën arabe, osmane dhe
perse. Me kohë, shkrimi arab u përshtat për shkrimin në gjuhën boshnjake. Gjatë
një periudhe të gjatë, shkrimi i emrave boshnjakë vendas ishte shkaku kryesor i
kësaj përshtatjeje. Përdorimi shprehës i shkrimit arab për shkrimet në gjuhën
boshnjake vërehet në fillim të shekullit 17. Mënyrat e përdorimit dhe
përshtatjes së shkrimit arab në sistemin fonologjik të gjuhën boshnjake ishin
shumë të ndryshme. Mënyra e pranuar gjerësisht dhe mënyra e shkrimit u shfaq në
shekullin 19, pas procesit të përshtatjes së alfabetit arab të kryer nga
dijetari dhe udhëheqësi i njohur fetar, reisi Xhemaludin Çauseviç. Shumë vepra
fetare dhe letrare, si edhe libra shkollorë, janë krijuar në gjuhën boshnjake,
të shkruSara me shkrimin arab. Disa revista boshnjake janë shtypur me shkrimin
boshnjak. Së bashku me shkrimin latin dhe sllav (cirilik), shkrimi arab në
Bosnje dhe Hercegovinë është përdorur deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Më shumë se 40 libra me një numër të pakrahasueshëm të shpërndarjes, gjysmë
milionë, janë botuar në gjuhën boshnjake, të shkruar me shkrimin arab. Në këtë
kumtesë, çështja kryesore i është kushtuar dorëshkrimeve të belles letters
(letërsisë artistike) në gjuhën boshnjake të shkruar me shkrimin arab, më
saktë, karakteristikës së gjinisë kryesore të kësaj letërsie, poezisë fetare.
Gjuha e poezisë fetare është e afërt me gjuhën e poezisë popullore. Ky
është një tipar i kundërt krahasuar me poezinë mistike të krijuar në arabisht,
osmanisht dhe persisht e cila karakterizohet nga një stil i lartë. Ndryshe nga
poetët e divanit, stili i poetëve fetarë është i thjeshtë, gjithëpërfshirës dhe
i afërt më pak të edukuar. Kështu që duhet vënë një kufi mes këtyre dy gjinive.
Ndryshe nga poezia sufiste e cila është shkruar në gjuhët orientale, poezia
fetare e shkruar në boshnjakisht me shkrimin arab nuk përdor një gjuhë
simbolike. Ajo nuk përdor terma metaforike dhe mënyra alegorike të paraqitjes
si në rastin e poezisë tipike sufiste. Këto poezi janë shumë të afërta me
poezinë didaktike. Dallimi në planin formal është se poema fetare është më e
shkurtër dhe ka më shumë kuptim emocional. Ndryshe nga poemat didaktike, poemat
fetare nuk përdorin forma të gjata dhe elemente treguese. Përmbajtja e tyre
është e shkurtër, e qartë dhe më etike sesa natyra mistike:
Tek Zoti i Plotfuqishëm që krijoi gjithçka
Si do të shkoj unë, si do ta takoj?
Atë i Cili i dha mendjen dhe shpirtin çdo gjëje
Si do të shkoj unë, si do ta takoj Atë? (Sirri, 61)
Disa nga këngët fetare janë shkruar për të treguar se si një njeri për të
jetuar me ndershmëri duhet të pranojë jetën e dervishit dhe t’i përkasë
dervishit. Prandaj, disa nga këto poema janë kënduar në rrethe dervishësh deri
në ditët tona në Bosnje dhe Hercegovinë:
Nëse do të bëhesh dervish
zemra jote do të bëhet e pastër... (Sirri, 69)
Poemat me karakter fetar, shprehin kryesisht paaftësinë njerëzore, kërkojnë
faljen e gjynaheve dhe udhëzimin në rrugën e drejtë. Vlen të përmendet se
poezia fetare përfshin poema të gjata treguese për jetën e profetëve Ismail,
Ibrahim, Is’hak, Ejjub, etj. Këto poema janë shkruar nga Muhammed Rusdi. Veç
kësaj, aty gjendet një nën-gjini e veçantë e kësaj poezie e quajtur “mevlud”.
Mevludi është poema kushtuar profetit Muhammed a.s. dhe prezantohet nëpër xhami
edhe sot. Kryesisht, këto poema të mevludit janë përkthime të poemave osmane të
shkruara nga Sulejman Çelebiu.
Poezi dashurie
Gjenden vetëm disa poezi dashurie në gjuhën boshnjake me shkrimin arab.
Megjithatë, duhet të themi se kënga e parë e shkruar në gjuhën boshnjake me
shkrimin arab ka një temë dashurie. Kjo këngë titullohet “Hirvat turkisi”, që
nga viti 1588, dhe është shkruar nga Muhammed Erdeljaç.
Poemat e dashurisë nuk i kushtohen një të dashuri ideal, por një njeriu
real, ndonëse emri i saj nuk është përmendur. Për shembull:
Oh, nusja ime e dashur, ti je shpirti im
Më mbush mua plot me gaz e hare
Deri kur zemra ime pushon së qenuri
Dhe i vë zjarrin lumturisë brenda meje.
Dashuria në këto vjersha nuk shprehet në kuptimin e ndërsjellë. Aty nuk ka
dialog si një shkëmbim fjalësh, ndonëse poema përfshin të dy personat poetikë,
një folës (poeti), dhe dëgjuesi (e dashura). Në vështrimin
kryesor të poemës, ne ndeshim të dashuruar i cili i vjen rrotull të dashurës së
tij. Këto poema janë të mbushura me tone të ulëta emocionale dhe ndjeshmëri
tragjike. Dashuria është perceptuar si një plotësim i pazbatuar. Një shembull
unik i poezisë së dashurisë është poema e shkruar nga Fejzo Softa, në të cilën
tema e dashurisë është zhvilluar përmes alfabetit arab. Në një mënyrë shumë
interesante dhe të stërholluar, poeti e mëson të dashurën e tij në alfabetin
arab. Për shembull:
“Ba” është hëna me një pikë poshtë saj
Ti je hënë dhe unë jam pikë
Për një hënë pika është dritë
Për një pikë hëna është ngrohtësi
Poezia didaktike
Elementet didaktike janë shpërndarë gjatë gjithë letërsisë së shkruar në
gjuhën boshnjake me shkrimin arab. Poemat didaktike i kushtohen kryesisht fëmijëve,
por ka dhe poema të tjera, si p.sh. “Këshillë gruas” ose “Poemë kundër pirjes
së duhanit”. Është e dukshme se këshillat në poemat didaktike janë paraqitur pa
kërcënime, kanosje dhe mallkime. Toni është i butë dhe i këndshëm. Kjo mbase
është arsyeja se pse këto poema ishin shumë të përhapura në mesin e njerëzve.
Një nga poemat më të famshme të këtij lloji është poema “Abdija”, e shkruar
nga Murad Bej Čengić kushtuar kushëririt të tij Abdiut. Kjo poemë është shkruar
në vitin 1870. Në të vërtetë, kjo poemë është prezantuar si një varg
këshillash:
Mos mendo diçka
Mos fol diçka tjetër
Mos e vrit tjetrin
E keqja do të të kthehet ty, Abdija (92)
Veç kësaj, autori tërheq vëmendjen se vlerat e përkohshme nuk mund të jenë
më të rëndësishme sesa vlerat e përhershme:
Vdekja është një dragua
Ti je vetëm një udhëtar
Vdekja është një lak tatar
Qofsh i lumtur Abdija (94)
Shumë interesante është një poemë e gjatë didaktike me titull “Letra e
babait” nga poeti dhe muderrizi Alija Sadiković (v. 1936) - poeti i fundit i
mirënjohur i cili shkroi poezi në gjuhën boshnjake me shkrim arab. Në këtë
poemë ai këshillon djalin e tij. Kjo poemë mund të konsiderohet si një lloj i
poezisë didaktike të shkruar në vargje kushtuar rinisë në përgjithësi. Poeti në
fillim jep disa këshilla dhe më pas “përkthen” po të njëjtën këshillë në formën
e paraqitjes me aforizma ose të një pasqyrimi poetik. Në poezinë e tij ne
gjithashtu gjejmë disa elemente me aforizma. Pasqyrimet dhe krahasimet të cilat
janë përdorur për tema diskutimi janë ilustruar me shembuj nga natyra:
Duhet ta dish, fshikullimi nuk mund ta lëndojë bujarin
Për këtë, shpatat dhe pambukun e butë duhet të kujtosh. (114)
Ai që urren të punojë fortë, do të dështojë me siguri
Për këtë, duhet të kujtosh bletën mashkull që do të vdesë. (117)
Në fund, duhet të përmendim se poezia didaktike e këtyre poetëve është
shumë e afërt me prozën përmes të shprehurit dhe ritmit të saj.
Poezia shoqërore dhe politike
Poezia e shkruar në gjuhën boshnjake me shkrimin arab na përçon neve imazhe
të besueshme të marrëdhënieve në shoqëri dhe problemeve shoqërore gjatë krizës
në Sulltanatin Osman në shekujt 18 dhe 19. Poetët qëndruan trimërisht kundër
padrejtësisë, tiranisë, korrupsionit, shërbyesve të pamoralshëm, dijetarëve dhe
gjykatësve (kadive) të korruptuar fetarë. Ne mund të konstatojmë lirshëm se kjo
poezi ishte zëri i njerëzve të zakonshëm në kuptimin e vërtetë të fjalës. Poema
më e rëndësishme e këtij lloji është poema “Një kohë e çuditshme filloi.” Kjo
poemë mbart një kritikë guximtare të shoqërisë, e cila ishte prezantuar nga
Abdulvehab Ilhami, një poet i cili jetoi në fund të shekullit 18 dhe fillim të
shekullit 19. Ai paraqiti një kritikë të fortë kundër autoriteteve dhe
përfaqësuesve osmanë të autoritetit hipokrit fetar.
Një kohë e çuditshme filloi
Çdokush u bë batakçi
Çfarë duan ata, për hir të Zotit?!
.............
Dijetarë të çuditshëm fetarë ka tani
Kotësia tani i lavdëron ata
Ata e shkatërruan veten për pasuri
Çfarë duan ata, për hir të Zotit?!
----------
Në një mënyrë të fshehtë dhe të stërholluar, ai kritikon zyrtarët e lartë
osmanë, si p.sh. pashallarët, dhe thotë:
Në mesin e pashave ka njerëz të mirë
Ai që është i mirë, ai ndjen dhimbje
Por kur e keqja njerëzit sundon
I vetmi që di është Zoti
Poeti Ilhami u ekzekutua nga kryetari turk i Bosnjës, Xhelaludin pasha, më
1822.
Po e përfundojmë duke thënë se poezia shoqërore përfaqëson një thirrje të
përgjithshme. Ajo na tregon neve për belatë e njeriut të zakonshëm. Megjithatë,
kjo poezi nuk bën thirrje direkte për revoltë kundër autoriteteve. Kjo tregohet
qartë në poemën e famshme “Të varfërit boshnjakë shkruajnë një kërkesë”. Poeti
Mustafa Firaki e ka shkruar këtë poemë në vitin 1815, kur në emër të popullit
boshnjak ai ia adresoi sulltanit, të cilin ai e përshkruajti si “Dielli i ndritur”,
në fund të çdo vargu:
Ne po të shkruajmë një kërkesë modeste
Që ti mund të dëgjosh zërin tonë
Në lidhje me pasurinë tonë të varfër
Të cilën e patëm dhe e shpenzuam, për ty, dielli i ndritur.
Përktheu nga gjuha angleze: Ermal BEGA
* Ky shkrim u botua në revistën “Zani i Naltë”, viti 3 (17)
i botimit, Nr. 7 (160), Prill 2014, Tiranë. ISSN 2305-655X
No comments:
Post a Comment