U MBAJT KONFERENCA E 9-të NDËRKOMBËTARE PËR GJUHËN ARABE
Më 30 Prill dhe 1 Maj, 2014 (1-2 Rexheb 1435), Organizata Botërore për
Gjuhën Arabe në Bejrut të Libanit organizoi konferencën e 9-të ndërkombëtare
për gjuhën arabe.
Tema e sivjetme për këtë konferencë ishte: “Shkaqet
e rënies dhe përpjekjet për t’u ngritur”.
Në këtë konferencë ndërkombëtare ishin ftuar studiues të gjuhës dhe
letërsisë arabe nga 15 shtete të ndryshme, nga bota arabe, si dhe nga Irani,
Turqia, Shqipëria, Maqedonia etj.. E veçanta e kësaj konference ishte
pjesëmarrja e 3 shqiptarëve, që ishin: Dr. Abdulkerim Arnauti me origjinë
shqiptare nga Bejruti, orientalisti Ermal Bega nga Tirana, drejtori ekzekutiv i
Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania), dhe Gafurr Jusufi nga
Shkupi (drejtori i shoqatës kulturore “Dituria”).
Gafurr Jusufi, Abdulkerim Arnauti, Ermal Bega |
Menjëherë pas prezantimit të konferencës nga Dr. Husein Al-Atwi, u zhvillua
shpërndarja e diplomave për studentët e vitit të fundit universitar 2013-2014,
të diplomuar në Universitetin e Thirrjes në Bejrut.
Më pas, fjalën e mori përfaqësuesi i ministrisë libaneze të Libanit, Dr.
Muhamed Al-Meshni, i cili foli për rëndësinë e kësaj veprimtarie akademike dhe
shkencore në Beirut.
Fjalën pastaj e mori kryetari i Organizatës Botërore për Gjuhën Arabe, Dr.
Abdulnasr Xhebri, i cili pasi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, foli rreth
rëndësisë që ka studimi i gjuhës arabe, si dhe bëri një historik të shkurtër që
nga konferenca e parë e organizuar nga kjo organizatë deri më sot, mbi gjuhën
arabe.
Titulli i kumtesës së përbashkët nga Abdulkerim
Arnauti dhe Ermal Bega të trajtuar këtë vit ishte: “Gjuha arabe dhe ndikimi
i saj i drejtpërdrejtë në ngritjen e pasurisë shkencore ndër shqiptarët”,
ndërsa tema e Gafurr Jusufit ishte “Ndikimi i gjuhës arabe tek joarabët dhe
metodat e të mësuarit”.
(Momenti
i ndarjes së certifikatave)
Gafurr Jusufi, Abdulkerim Arnauti, Ermal Bega |
Në fund të ditës së dytë dhe të fundit të konferencës, të gjithë
pjesëmarrësit morëm nga një certifikatë pjesëmarrjeje në këtë konferencë
ndërkombëtare për gjuhën arabe, ndërsa më pas zhvilluam një vizitë turistike në
zonën malore të quajtur Mlita, jo shumë larg qytetit të Saidas. Në mbrëmje hëngrëm
një darkë të shijshme me peshk të freskët nga bregdeti i Saidas.
Pas konferencën na ishin rezervuar disa takime
zyrtare me përfaqësues të shtetit të Libanit, vizitë kulturore dhe bashkëpunimi
në disa universitete, si dhe me disa përfaqësues nga shoqata të ndryshme të
shoqërisë civile arabe të Libanit. Vlen të përmendet takimi që zhvilluam me
kryeministrin e Libanit, Tamam Bek Selam, të cilin e falënderuam për pritjen që
i bëri delegacionit tonë të përbërë nga 3 shqiptarë, një arnaut nga Beiruti,
një shqiptar nga Tirana dhe një nga Shkupi, në zyrën e tij si dhe i uruam suksese
dhe mbarësi në ushtrimin e detyrës në krye të qeverisë së Libanit.
Kryeministri i Libanit, Tamam Bek Selam dhe Ermal Bega, 4 Maj 2014, Bejrut |
No comments:
Post a Comment