05 February 2015

Liria e ndërgjegjes - një ndër kushtet kryesore në fenë islame

Ermal BEGA

LIRIA E NDËRGJEGJES - NJË NDËR KUSHTET KRYESORE NË FENË ISLAME*

Ermal Bega

Feja islame nuk i ka dhënë të drejtë kurrkujt të ndërhyjë në ndërgjegjen e tjetrit. Kur’ani na e kujton në shumë ajete lirinë e ndërgjegjes dhe të besimit. Muslimanët, të mbështetur në këtë liri, kanë nderuar gjithmonë fetë e tjera dhe kanë pritur me kënaqësi çdo diskutim që është bërë rreth fesë. Mund të themi se muslimanët u kanë bërë dhurata në këtë fushë të krishterëve.
Është një dokument i shkëlqyer porosia që Muhamedi (a.s.) i bën, përmes një letre të dërguar Aliut r.a., për të mos marrë nëpër këmbë të krishterët. Po këtë rrugë kanë ndjekur edhe halifët që kanë ardhur më vonë me urdhra, që i kanë kushtuar sundimtarëve të viseve të pushtuara e të banuara me të krishterë.
Feja islame e ka ndaluar luftën kundër popujve për shkak të ndryshimit të fesë. Kur’ani i urdhëron muslimanët që të sillen vëllazërisht dhe brenda caqeve të drejtësisë me çdo komb që s’ka qëllime të dëmshme ndaj tyre (muslimanëve). Është e vërtetë se kundër armiqve të fesë dhe të atdheut, muslimanët s’mund të rrinë duarkryq, por, përsëri edhe në këtë rast nuk duhet t’i ndahen drejtësisë dhe duhet të sillen me mëshirë. Ata që s’i njohin këto të vërteta, e dënojnë fenë islame si fe që frymëzon fanatizëm dhe mëri kundrejt besimtarëve të feve të tjera.
Asnjë fe s’e ka siguruar ashtu si feja islame lirinë e ndërgjegjes e të besimit. Se ky lavdërim t’i mbetet fesë islame janë duke e pohuar në veprat e veta shumë dijetarë të Europës dhe të Amerikës. Në Europë liria e ndërgjegjes dhe toleranca fetare u njohën mbas shumë grindjeve dhe luftërave. Prapëseprapë, kjo liri nuk ka qenë ideale dhe njerëzore. Europianët e përdorën këtë liri në politikën e brendshme, për të qenë dorëlirë ndaj ndikimit të klerit dhe në politikën e jashtme e morën atë liri si një ndërhyrje ndaj qeverive të dobëta. Liria e ndërgjegjes në Europë, duke qenë e bazuar në qëllime politike, shohim se në kryengritjen franceze, shenjtorët fetarë u larguan, priftërinjtë u dëbuan dhe u shembën organizatat e tyre. Krejt e kundërta, liria që predikon feja islame përkon me arsyen dhe me natyrën e njeriut. Qeveritë islame ua lanë ashtu si i gjetën organizatat shoqërore dhe fetare të kombeve të ndryshme; i lanë të lirë në ndërgjegje, në zhvillim shoqëror, në punë e në veprime. Përkundrazi, në shumë vende të pushtuara prej mbretërive të tjera, populli dalëngadalë ka nisur të humbasë ekzistencën fetare dhe kombëtare të vetën.

Si e mendon luftën Islami?

Ka nga ata që mendojnë se lufta është një nevojë e urdhëruar nga feja islame dhe se kjo nevojë e urdhëruar cenon lirinë e ndërgjegjes. Shumë gabim!
Është e vërtetë se feja islame e ka bërë luftën të ligjshme, por lufta, sipas saj, është për mbrojtjen e fesë. Kuptimi i saktë i luftës për Zotin është të luftuarit kundër armiqve të fesë me trup dhe me pasuri. Është gabim të nxjerrësh prej kësaj kuptimin se Islami e frymëzon gjakderdhjen dhe tmerrin kundër besimtarëve të feve të tjera. Islami urdhëron falje dhe mëshirë: “Ki mëshirë, urdhëro mirësinë, ruaju prej të paditurve”. (Kur’an, Sure El-A’rafë, ajeti 199)
Sipas parimeve islame, lufta u shpallet atyre që marrin nëpër këmbë të drejtën e tjetrit, që duan të nxjerrin muslimanët prej vendeve të tyre dhe që duan të pushtojnë vendet muslimane, e jo atyre që s’janë në fenë islame, për t’i sjellë në këtë fe dhe për qëllime hakmarrjeje. Lufta u bëhet detyrë muslimanëve, atëherë kur këta të jenë sulmuar në nder, në jetë, në pasuri e në fe prej të tjerëve. Për çdo njeri që i shkel gjërat që ai i mban për të shenjta, mjeti i fundit i mbrojtjes pa dyshim është shpata. Prandaj, është një gabim trashanik që feja islame të quhet “feja e shpatës”, pse kjo fe e cilëson të ligjshme luftën.




* Ky shkrim është botuar në gazetën “Drita Islame”, Nr. 21 (152), Nëntor 1998 (Rexhep 1419), Tiranë.

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *