LAJMËRIM
Ndërroi jetë Prof. Dr. Mehdi Polisi*
(1953-2014)
Ditën e mërkurë, rreth orës
23:00, të datës 21 Maj 2014, pas një sëmundje të shkurtër, në moshën 60 vjeçare
ndërroi jetë duke u larguar nga jeta e përkohshme në dunja, Prof. Dr. Mehdi
Polisi.
Sapo e mora vesh lajmin nga
interneti vonë në darkë, kontaktova menjëherë me profesorin tim të
orientalistikës Dr. Isa Memishi, i cili ma konfirmoi vdekjen e profesor
Mehdiut, dhe unë menjëherë nisa të përgatitesha që të nesërmen herët në mëngjes
të nisesha për në Prishtinë me autobusin e parë, për të kapur në këtë mënyrë
zhvillimin e aktivitetit përkujtimor për nder të profesor Mehdiut, i cili u
zhvillua në amfiteatrin e Fakultetit Filologjik, ditën e enjte më 22 Maj 2014.
Të pranishëm në këtë aktivitet
përkujtimor ishin familjarët e tij, kolegët e tij të degës së orientalistikës
dhe profesorë të tjerë, studentë, miq dhe familjarë.
Profesor Mehdi Polisi ishte
një nga profesorët e mi të nderuar dhe të respektuar gjatë kohës së studimeve
të mia në orientalistikë, në Fakultetin Filologjik, në Prishtinë. Përveç
profesor i gjuhës turke, ai për mua ishte një mik i afërt gjatë gjithë kohës. E
kam vizituar shpesh gjatë studimeve në banesën e tij, ku jam njohur gjithashtu me
nusen dhe dy djemtë e tij të cilët tashmë i la pas. Ai gjithmonë ka qenë një
përkrahësi im për kontributet tona në Tiranë dhe Shqipëri në fushën e studimeve
orientale. Ishte një personalitet shumë i thjeshtë si njeri dhe si profesor,
dhe gjithmonë përfitoja nga qëndrimi dhe bisedat me të.
Në lidhje me kontributet e tij
në fushën e orientalistikës dhe letërsisë shqipe folën dekani i Fakultetit
Filologjik, Dr. Sedat Kuçi, si dhe miku dhe kolegu i profesor Mehdiut, Dr. Isa
Memishi. Ndërkaq, në emër të familjarëve foli djali i Dr. Mehdi Polisit, Faton
Polisi.
Kjo veprimtari u prezantua në mediat
e ndryshme të Prishtinës, por për fat të keq asnjë lajm nuk u dha nga mediat në
Shqipëri.
Pak kohë para se të ndërronte
jetë, Prof. Dr. Mehdi Polisi na e la amanet që një nga shkrimet e tij të fundit
në lidhje me Sami Frashërin, të cilin ai e kishte shumë për zemër dhe për të
cilin ka dhënë kontribute të mëdha, që t’ia botonim në Tiranë në revistën tonë
për studime orientale “URA”. Prandaj, atë shkrim e kemi përfshirë në këtë
numër.
Në emër të Qendrës Shqiptare
për Studime Orientale dhe në emrin tim personal, i shprehim ngushëllime të
përzemërta familjarëve të tij dhe botës akademike shqiptare për humbjen e një
shkencëtari të tillë dhe studiuesi të mirëfilltë, siç ishte Dr. Mehdi Polisi.
Varrimi i Dr. Mehdi Polisit u
bë ditën e xhuma, më 23 Maj 2014, në varrezat e fshatit të tij të lindjes në
Strugë të Maqedonisë.
Me respekt,
Ermal Bega
Tiranë
* Ky shkrim është botuar në revistën kulturore-shkencore
për studime orientale “URA”, nr. 12-13, Tiranë 2014.
No comments:
Post a Comment