Ermal BEGA*
BOSNJA, TRASHËGIMIA ORIENTALE E EUROPËS[1]
(Kronikë kulturore udhëtimi)[2]
Në datat 7-12 Nëntor 2013, një grup prej 3 vetash, në emër të Qendrës
Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania), ishin ftuar në një udhëtim
kulturor në Bosnjë. Ky grup ishte i përbërë nga orientalisti Ermal Bega,
drejtori ekzekutiv i qendrës së mësipërme, Edvin Cami si pjesë e bordit
drejtues të kësaj organizate (gjithashtu doktorant i shkencave filologjike,
profesor i Universitetit të Durrësit dhe përkthyes) dhe Ardian Shanaj (regjisor
i njohur në disa media shqiptare).
Ditën e enjte, më 7 Nëntor 2013, u nisëm drejt Shkodrës. Nga ora 07:30 e
mëngjesit mbërritëm atje, ku shijuam mëngjesin në lokalin Cliché, në
shoqërinë e mikut tonë Artur Tagani, njëkohësisht menaxher i lokalit. Më pas u
nisëm drejt Hanit të Hotit për të kaluar në qytetin e Podgoricës dhe prej andej
vazhduam rrugën drejt kufirit që ndan Malin e Zi me Bosnjën. Rruga nga Shkodra
deri në Podgoricë dhe nga Podgorica deri në Nikshiq ishte shumë e mirë, me
autorrugë të gjerë, të pastër dhe moderne, ndërsa nga Nikshiq deri në kufi me
Bosnjën ishte shumë e vështirë e gjarpëruese mes malesh e vargmalesh, tunelesh
të shumta, herë pas herë anës humnerash të rrezikshme, që kërkojnë kujdes të
veçantë prej drejtuesve të mjeteve.
Më në fund, arritëm në kufirin Mali i Zi me Bosnjën, në kufirin e të
ashtuquajturës “Republika Srpska”, ku pas kontrollit të pasaportave e të dokumenteve
të makinës, vazhduam rrugën brenda territorit boshnjak.
Shenja të ruajtura nga lufta e Bosnjës gjatë viteve 1992-1995, Sarajevë
Në pasditen e ditës së enjte, duke u ngrysur e premte, arritëm në qytetin e
bukur të Sarajevës, një qytet me një trashëgimi të pasur kulturore nga të
gjitha kohërat, kryesisht orientale. Që në hyrje të qytetit na ranë në sy
shenjat e shkatërrimit nga lufta e viteve 1992-1995 të ndërtesave të banimit dhe
objekteve të tjera, të shkatërruara nga forcat serbe. Banorët e Sarajevës, me
qëllim nuk i kishin meremetuar ato ndërtesa, për t’i lënë si shembull të terrorit
më të egër të një nacionalizmi ekstrem, që nuk toleron kombësinë dhe besimin
fetar të të tjerëve.
Mikpritësi ynë zyrtar në Bosnjë dhe Hercegovinë ishte Qendra për Studime të
Përparuara, e drejtuar nga Dr. Ahmet Alibašić, ndërsa personi që na priti në
Sarajevë, dhe na shoqëroi gjatë gjithë ditëve të qëndrimit tonë atje, ishte Dr.
Munir Mujić, profesor në fakultetin e filozofisë, departamenti i filologjisë
orientale, universiteti i Sarajevës. Me Dr. Munirin jemi njohur në Tiranë, në
një simpozium shkencor zhvilluar në vitin 2010, dhe prej atij viti kemi ruajtur
kontakte të herëpashershme.
Pas vendosjes në hotel “Stari Grad” (Qyteti i Vjetër), në qendër të
Sarajevës, fare pranë çarshisë së vjetër të njohur si Baščaršija, dolëm të shëtisnim pak atë natë, dhe u kthyem për të pushuar në hotel deri
në agimin e ditës së premte.
Dita e premte, si dita e parë e qëndrimit tonë në Bosnjë, për ne ishte
shumë e ngarkuar me vizita në pjesë të ndryshme të qytetit, si dhe me disa
zyrtarë të institucione të ndryshme kulturore dhe arsimore të Sarajevës.
Pas ngrënies së mëngjesit në hotel, Dr. Muniri erdhi të na marrë dhe na
shoqëroi drejt pazarit të vjetër të Sarajevës, ku vizituam rrugët dhe rrugicat
e vjetra orientale me kalldrëm, medresenë e famshme Gazi Hüsrev Beg, xhamitë e
vjetra të pazarit të vjetër, objektet e vjetra kulturore etj. Në atë vend, ku
shkelnim për herë të parë, të dukej vetja sikur po ktheheshim në traditën dhe
trashëgiminë e vjetër e të shuar të Tiranës, të pazarit të vjetër, xhamive të
vjetra, rrugëve me kalldrëm të Tiranës etj.
Me drejtorin e medresesë Gazi Hüsrev Beg, Dr. Mustafa Jahić.
Në medresenë Gazi Hüsrev Beg u takuam me drejtorin e saj, Dr. Mustafa Jahić.
Ai na shoqëroi në të gjithë librotekën e saj, ku pamë në detaje vendosjen e
librave, standardin teknologjik të përkujdesjes për botimet e ndryshme, sidomos
ato të vjetra orientale, si dhe digjitalizimin e të gjitha botimeve që hynin në
librotekën e kësaj medreseje me famë në Bosnjë, rajon dhe botë. Kjo librotekë
përmbante një numër të madh dorëshkrimesh orientale, në gjuhën arabe, osmane,
perse, si dhe dorëshkrime arebica (boshnjakisht me shkrim arab).
Drejtori i medresesë më pas na shoqëroi në zyrën e tij, ku na gostiti me kafe
turke shoqëruar me llokume, si dhe na dhuroi disa botime e dokumentarë në CD lidhur
me historikun e medresesë. Nga ana jonë, ne i dhuruam institucionit disa botime
të qendrës sonë, duke e pasuruar në këtë mënyrë librotekën e medresesë dhe me
disa botime në shqip.
Më pas, shkuam të falim namazin e xhumasë, ndërsa më pas shkuam për drekë,
ku u takuam dhe me drejtorin e Qendrës për Studime të Përparuara, Dr. Ahmet
Alibašić. Gjatë drekës, e falënderuam Dr. Ahmet Alibašić për ftesën zyrtare që
i bëri qendrës sonë. Aty, ai na foli për sukseset e arritura nga Qendra për
Studime të Përparuara, të drejtuar nga ai, në fushën e seminareve dhe
trajnimeve, aktiviteteve të ndryshme sociale dhe shkencore, botimeve dhe
sidomos suksesin e veçantë që ka arritur me organizimin e shkollës verore, për
herë të parë në vitin 2013, të cilën do ta vazhdonin sërish dhe në vitin 2014, ku
ftohen të marrin pjesë studiues magjistature dhe doktorature nga vende të
ndryshme të Europës. Më pas na prisnin kafeja dhe ëmbëlsirat në kafenenë e
hotel “Wien”, një lokal me emrin e një kryeqyteti si për të kujtuar historinë e
pushtimit të Bosnjës në fillim të shek. 20 nga austro-hungarezët, pas largimit
të Sulltanatit Osman. Aty diskutuam me Dr. Ahmet Alibašić mbi mundësitë e
bashkëpunimit mes dy organizatave tona, pjesë të shoqërisë civile të shteteve
përkatëse, ku parimisht ramë në ujdi për disa bashkëpunime kulturore. I
arsimuar në Malajzi dhe me një kulturë të gjerë për Orientin dhe Oksidentin,
prej disa vitesh ai është drejtori i Qendrës për Studime të Përparuara, me
qendër në Sarajevë.
Me Dr. Munir Mujić (majtas) dhe Dr. Ahmet Alibašić (djathtas)
Pasditen e ditës së xhuma, na ishte lënë një takim me drejtorin e
Fakultetit të Studimeve Islame të Bosnjës, fakultet i vendosur në një ndërtesë
të ndërtuar fillimisht si shkollë kadilerësh nga Shteti Osman, ndërsa tavani i
asaj ndërtese me stil oriental-maur ishte ndërtuar nga austro-hungarezët në
vitin 1887, si përpjekje për të ofruar arkitekturën perëndimore me orientalen.
Atje na priti vetë drejtori i saj, Prof. dr. Ismet Bušatlić. Nga emri, e
kuptuam menjëherë se mbiemri i tij ishte shqiptar, dhe pasi e pyetëm për
kuptimin, e vërteta na doli ashtu. Ai është me origjinë nga Shkodra, nga
familja e dikurshme sunduese e Shkodrës dhe rajoneve përreth, Bushatlinjtë. Të
gjithë ne i dimë historitë e asaj familje të madhe shqiptare nga Shkodra; familje
nga e cila rridhte dhe profesori i nderuar, drejtori i fakultetit. Ai na tregoi
që prej vitesh ndodhen në Bosnjë, ku jetojnë e punojnë. Ai na tregoi se vetëm
në Fakultetin e Studimeve Islame në Sarajevë, punojnë tre arnautë, njëri prej
tyre ishte profesori vetë, ndërsa dy të tjerët mbanin mbiemrin Arnaut, numri i
të cilëve nuk është i pakët në Bosnjë, për të cilët do të shkruajmë në një
shkrim të posaçëm. Në bisedë e sipër, profesor Munir Mujić me shaka thotë:
“Meqë Fakulteti i Studimeve Islame në Sarajevë drejtohet nga tre Arnautë,
atëherë duhet të kërkojmë autonomi universitare dhe propozon që të shpallet
territor autonom shqiptar.”
Me Prof. dr. Ismet Bušatlić (i dyti nga e djathta)
Përveç pretendimit të prejardhjes së përbashkët të boshnjakëve dhe
shqiptarëve nga ilirët, mes nesh u diskutua dhe historia e përbashkët gjatë
Shtetit Osman. Ndër të veçantat e diskutimit tonë ishte se të dy popujt i kemi
dhënë Shtetit Osman shumë kryevezirë dhe kemi pasur shumë shkëmbime familjare,
si p.sh. rasti i familjeve Bushatlija ose Bushatlić që kanë prejardhje të
njëjtë. Profesor Bushatlić na thotë se kur Bosnja u bë ejalet osman për herë të
parë, Ferhad Pasha u zgjodh si veliu i parë i saj dhe ishte me prejardhje shqiptare
(Arnaut).
Në fund të takimit, për librotekën e fakultetit i dhuruam profesorit
Bushatlić disa nga botimet e Qendrës Shqiptare për Studime Orientale, duke
menduar që mund të shfrytëzohen nga shqiptarët të cilët jetojnë atje, ose prej
atyre që shkojnë për studime.
Kjo ishte një nga ditët më të ngarkuara të qëndrimit tonë në Bosnjë.
Ditën e shtunë, u nisëm për një vizitë në qytetin e bukur të Mostarit, atje
ku terroristët serbë kishin vrarë dhe masakruar pa asnjë mëshirë me qindra
boshnjakë, duke përfshirë gra, pleq e fëmijë, vetëm pse kishin një besim e
kombësi tjetër nga ata. Përveç masakrave të shumta, fati i shumë banorëve të
zhdukur nuk është ende i ditur. Gjithashtu, dora terroriste serbe, në emër të
ortodoksizmit dhe shovinizmit, nuk kishin lënë pa shkatërruar dhe shumë
trashëgimi orientale, të njohura botërisht, si shumë xhami dhe institucione të
tjera kulturore, arkitekturore dhe arkeologjike, duke përfshirë shkatërrimin e
shumë xhamive si monumente kulturore të dorës së parë, gjithashtu shkatërrimi i
disa hamameve, urës së famshme të Mostarit, çarshive të vjetra, rrugëve me
kalldrëm etj.
Nga vizita në Mostar, sipër urës së gurit
Pasi i bëmë një vizitë qytetit dhe vizituam disa nga pjesët dhe monumentet
kulturore më karakteristike të tij, si p.sh.: një nga xhamitë më të vjetra të
qytetit, çarshinë e vjetër të shtruar me kalldrëm (që na ngjante me Krujën), urën
e famshme të Mostarit (të meremetuar) etj., Dr. Muniri na dërgoi të hamë një
drekë të këndshme në qendrën e vjetër të qytetit, dhe më pas na çoi në një
ëmbëltore pranë çarshisë me kalldrëm, që kishte ujë burimi poshtë saj, ku shijuam
nga një kafe turke sipas stilit boshnjak, si dhe nga një ëmbëlsirë të lokalit.
Në fakt, është për t’u përmendur se Dr. Munir Mujić në çdo vend që na ka dërguar
për të ngrënë, gjithmonë na ka këshilluar ushqimet më të mira dhe të përdorura
më shpesh mes boshnjakëve, dhe për këtë meriton falënderimin tonë.
Nga vizita në Blagaj, ku gjendet rrjedhja e Bunës
Udhëtimi ynë më pas, vazhdoi për në zonën turistike të rajonit Blagaj, jo
shumë larg Mostarit, ku gjendet burimi i lumit Buna, që kalon edhe nëpër
Shqipëri. Ky burim është një nga më të mëdhenjtë dhe më të bukurit në Europë. I
ndodhur rrëzë një mali të madh, nga një e çarë e madhe e tij dilte me vrull uji
i pastër dhe shumë i ftohtë i lumit Buna. Vetëm 9 kilometra larg tij, ky lumë
bashkohej me lumin Neretva, afër fshatit Buna. Me zhurmën e mrekullueshme dhe
të fortë të gurgullimës së rrjedhës së lumit Buna, dhe nga rrethimi i një mjedisi
të mrekullueshëm mistik, ne shijuam nga një çaj turk në lokalin ngjitur, si për
të freskuar dhe qetësuar pak mendjen dhe shpirtin tonë.
Më tej, pas një qetësie dhe ambienti vërtetë mbresëlënës, morëm rrugën e
kthimit për në Sarajevë, por gjatë rrugës, në qytezën e vogël por tërheqëse Konjic
kishim lënë një takim vërtetë të veçantë me disa miq të njohur nga interneti, për
arsye studimi.
Nga vizita në Konjic. Në foto (nga e majta në të djathtë):
Dr. Munir Mujić, Zana Arnaut, Sejo Arnaut, Dino Arnaut, Elvedina Arnaut,
Ermal Bega, Ardian Shanaj
Atje u takuam me miken time Elvedina Arnaut, si dhe me disa të afërm të
saj, po me mbiemrin Arnaut, pasi ia kërkuam vetë që të njihnim një numër
familjesh me mbiemër Arnaut që jetojnë atje. Kushërinjtë e saj të afërm ishin
Sejo Arnaut, Zana Arnaut dhe Dino Arnaut. E dimë shumë mirë që në Turqi dhe në
botën arabe shumë Arnautë kanë lënë gjurmë të thella kudo ku kanë udhëtuar në
vendet pa skaj të Sulltantit Osman, edhe pse shumë pak studime janë bërë nga
institucionet në Shqipëri dhe Kosovë për arnautët që jetojnë atje, por askujt
nuk mund t’i shkojë ndërmend që edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë ndodhet një
numër i madh i Arnautëve (shqiptarëve) të shpërngulur në ato troje gjatë
sundimit të Shtetit Osman. Historia se si kanë arritur deri atje mund të jetë e
ndryshme, por morëm vesh se vetëm në qytezën malore Konjic ku jetojnë jo më
shumë se 26.000 banorë, ndodhet një fshat me emrin Arnaut, dhe ku shumica e
banorëve mbajnë mbiemrin Arnaut, dhe sigurisht nuk martohen me njëri-tjetrin. Sipas
informacionit që na dha Elvedina dhe kushëriri i saj, gjendet një libër i
shkruar në boshnjakisht me titull “Uhode” (Spiunët), nga autori Derviš Sušić
(Dervish Sushiç) dhe botuar në vitin 1971 në Sarajevë, në të cilin tregohet se
në Bosnjë dhe Hercegovinë jetojnë rreth 10.000 arnautë (shqiptarë).
Ditën e diel, një ditë pushimi për shumë prej institucioneve, rreth orës
shtatë të mëngjesit vendosëm që unë (autori i shkrimit) dhe Edvini të dilnim në
mëngjes për një shëtitje në zonën e vjetër të qytetit të Sarajevës, në zonën Baščaršija. Atë ditë, në Sarajevë ra një shi i lehtë, i cili e zbukuroi edhe më shumë
shëtitjen tonë në qytet. Duke shijuar ecjen dhe rigat e shiut në rrugicat e
ngushta të çarshisë së vjetër në Sarajevë, papritur dëgjojmë dy mesoburra duke
hapur derën e një dyqani dhe duke folur shqip dhe menjëherë e vura në dijeni
shoqëruesin tim Edvinin, se po dëgjoja shqip. Menjëherë, nga gëzimi iu afrova
atyre dhe u fola: “Mirëmëngjes! Më falni, shqiptarë jeni?”
Ata, sikur nuk e prisnin që t’u flisnim shqip, duke u dukur të huaj për ta,
dhe sidomos në atë orë të mëngjesit, thanë me gojën plot: “Po, shqiptarë jemi.”
Pasi i treguam që jemi tre shqiptarë nga Tirana të cilët kemi ardhur për
herë të parë të ftuar zyrtarisht për një vizitë kulturore në Sarajevë dhe në
Bosnjë, atëherë ata nisën të flasin më lirshëm me ne dhe na ftuan brenda në
dyqan. Ai ishte një dyqan të cilin ata shqiptarë donin ta kthenin në hotel,
duke parë interesimin e vizitorëve vendas dhe të huaj që vinin të shihnin
Sarajevën dhe zonën e vjetër Baščaršija. Ata na thanë se janë shqiptarë nga Gostivari që ndodhet
nën Maqedoni dhe kanë ardhur në Sarajevë prej shumë vitesh, rreth 50-60 vite më
parë.
Kështu, u prezantuam me Baftiarin dhe shqiptarin tjetër, dhe kur u ndamë, Baftiari
na tregoi vendin se ku e kishte restorantin, duke na ftuar t’a vizitonim, dhe
ne i thamë që do ta vizitojmë me kënaqësi, sapo të kishim kohë të lirë.
U kthyem në hotel, ku gjetëm Dr. Munirin që kishte ardhur për të na marrë
dhe për të dalë.
Dr. Muniri na tha se do shkonim për vizitë në varrezat e dëshmorëve të
Bosnjës, atje ku prehej trupi i gjeneralit dhe presidentit historik të Bosnjës,
Dr. Alija Izetbegović. Ishte vërtetë një ndjesi e veçantë për ne të vizitonim
ato varreza, duke mësuar në këtë mënyrë një pjesë të historisë së lavdishme
luftarake të popullit boshnjak për liri dhe pavarësi, dhe në të njëjtën kohë
për një nga historitë më tmerruese të Bosnjës dhe Europës të shek. 20, dhe të
të gjitha kohërave. Lufta terroriste, barbare dhe gjakatare e ekstremistëve dhe
e shovinistëve ortodoksë serbë, kundër popullit civil të pafajshëm musliman boshnjak,
vetëm pse kishin një etnitet dhe besim fetar ndryshe nga serbët, solli si
rezultat afro 200.000 - 220.000 të vdekur, të plagosur dhe të zhdukur, për
fatin e shumë prej të cilëve ende nuk dihet asgjë. Gjatë luftës në Bosnjë, gjenocidi
më i madh dhe më i tmerrshëm është e famshmja “masakra e Srebrenicës” në vitin
1995, ku nga papërgjegjshmëria dhe paaftësia e ushtarëve holandezë, u vranë dhe
masakruan mbi 8000 civilë të pafajshëm dhe të paarmatosur.
Nga vizita në varrezat e dëshmorëve të luftës së Bosnjës, Sarajevë,
ku pas nesh gjendet dhe varri i gjeneralit dhe presidentit historik, Dr.
Alija Izetbegović
Pranë varrit të të ndjerit Alija Izetbegović, bëmë një dua (u lutëm) për
shpirtin e tij, dhe për shpirtin e të gjithë dëshmorëve të varrosur aty, ku
prehen dhe trupat e shumë shqiptarëve të vjetër nga Bosnja (me mbiemër Arnaut),
por edhe trupat e shumë shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia që kanë shkuar të
luftojnë gjatë luftës në Bosnjë kundër ushtrisë brutale dhe terroriste
ortodokse serbe, dhe kanë rënë dëshmorë atje.
Pas vizitës në varrezat e dëshmorëve, shkuam për të ngrënë drekë në lokalin
e Baftiarit (me të cilin e lamë të shihemi për kafe në mbrëmje). Na ofruan të shijojmë
byrekun më të famshëm në Sarajevë, nga restoranti i tyre “Burektore Bosna”,
një specialitet i vlerësuar me çmimin e parë si byreku më i mirë në Bosnjë,
ndërsa restoranti i tyre kishte fituar çmimin e tretë në botë për ushqim të
shpejtë (Fast food), pas McDonalds dhe një kompanie tjetër.
Nga takimi me profesorin shqiptar Shaqir Ismaili në Sarajevë
Pas drekës, kishim lënë një takim me një figurë shqiptare të njohur në
Sarajevë dhe në Bosnjë, ai ishte Prof. Shaqir Ismaili. U takuam me të, u ulëm
të pimë nga një kafe, për të pasuar më vonë me një bisedë të pasur dhe të
mrekullueshme së bashku. Kur na takoi neve, ai u gëzua që takonte shqiptarë nga
Shqipëria pas shumë vitesh. Vetë ai është një shqiptar me origjinë nga
rrethinat e Ulqinit, më saktë nga fshati Bojk, zona Ana e Malit, në Ulqin, i
cili prej vitesh kishte studiuar, punuar dhe jetuar si mësues dhe edukator në
Sarajevë. Fliste një shqipe të pastër, të cilën ishte munduar t’ua ruante edhe
fëmijëve të vet. Ishte autor i disa librave dhe njërin prej tyre të shkruar së
fundmi, që fliste për fshatin dhe zonën e tij të origjinës, na e dhuroi dhe
neve nga një kopje. Kështu, libri i tij “Bojku në Anë të Malit”, u shtua si
pasuri në librotekat tona personale.
Nga takimi me biznesmenët shqiptarë nga Gostivari, në lokalin e tyre
“Burektore Bosna” në Sarajevë
Nga e djathta në të majtë: Ardian Shanaj, Baftiar Fidani, Ermal Bega, Mitat
Fidani, Edvin Cami, Rezak Fidani
Në mbrëmjen e së dielës, shkuam sërish në restorantin e shqiptarëve nga
Gostivari. Atje, pasi ishin vënë në dijeni për vizitën tonë, kishin ftuar dhe
shqiptarë të tjerë nga Gostivari, kushërinj të tyre. Kështu, në lokal na pritën
dy vëllezërit pronarë, Baftiar Fidani dhe Mitat Fidani, nipi i tyre Rezak
Fidani dhe Imer Fidani, djali i xhaxhait të Baftiarit dhe Mitatit. Për të na
respektuar neve, tryezën e kishin shtruar me fruta dhe lëngje të ndryshme, ndërsa
nuk munguan ëmbëlsirat dhe kafet. Bisedat tona vazhduan deri vonë në darkë,
duke biseduar për shumë histori dhe tema të ndryshme, ku ndër to zuri vend jeta
e shumë shqiptarëve që jetojnë në Sarajevë dhe Bosnjë, si dhe kur kanë ardhur, veprimtaritë
e tyre kulturore, arsimore dhe të biznesit etj. Ishin të kënaqur dhe me
aktivitetet, sado të pakta, të ambasadës shqiptare në Sarajevë, por të
dëshpëruar që qeveria shqiptare kishte vendosur ta mbyllë së fundmi. Baftiari
gjithashtu na tregoi dhe disa foto me disa personalitete shqiptare të cilët
kishin vizituar lokalin e tyre në Sarajevë. Sipas informacioneve që na tregon
Imer Fidani, thotë se vetëm në Sarajevë para luftës ka pasur rreth 30.000
shqiptarë, por një pjesë e tyre janë larguar gjatë luftës në Bosnjë. Ai thotë
se shqiptarët janë qytetarë të denjë të Bosnjës dhe Hercegovinës, kanë marrë
pjesë në luftë, kanë rënë dëshmorë, madje edhe sot shumë syresh janë komandantë
në ushtrinë e atij vendi. Po sipas tij, muslimanët boshnjakë janë ndier më mirë
gjatë pushtetit të Alija Izetbegoviç.
Takimi me Dr. Esad Duraković (i dyti nga e majta), në fakultetin filozofik,
departamenti i orientalistikës
Të hënën në mëngjes, pasi erdhi Dr. Muniri, dolëm për të vazhduar takimet
tona zyrtare, meqë dhe koha ishte shumë e ngushtë për ne. Kështu, u nisëm drejt
e për në fakultetin filozogjik, departamenti i orientalistikës, pjesë e
universitetit të Sarajevës. Atje na priste Dr. Esad Duraković, me të cilin
kisha shkëmbyer disa e-maile që prej 2 vitesh para se të vija në Bosnjë, ku
bisedonim rreth përkthimit në shqip të një prej librave të tij të fundit, me
titull “Orientologjia”. Në zyrën e tij erdhi dhe një profesor tjetër i degës së
studimeve orientale në Sarajevë, Dr. Mirza Sarajkić. Profesor Esad Duraković
kishte një lidhje të gjatë me shqiptarët, sepse gjatë Jugosllavisë, kishte
dhënë për disa vite mësim në degën e orientalistikës në Prishtinë. Gjatë
bisedave me të, i shprehëm që dhe në Tiranë është e domosdoshme hapja e katedrës
së studimeve orientale dhe prej tij morëm mbështetjen e plotë për realizimin e
kësaj ideje.
Gjatë vizitës në studion gjigante të Al Jazeera Balkans, me Sead
Kreševljaković (i pari nga e majta),
drejtori përgjegjës për dokumentarët
Pas takimit dhe bisedave të frytshme me këta profesorë, bashkë me Dr.
Munirin u nisëm për takimin e radhës. Ishte një vizitë në televizionin Al Jazeera
Balkans, një media shumë e fuqishme për Bosnjën, rajonin dhe Europën, si pjesë
e rrjetit të fuqishëm të televizionit Al Jazeera, me qendër në Doha, Katar.
Atje na priste drejtori përgjegjës për dokumentarët, Sead Kreševljaković, dhe
bashkë me të ishte dhe Edhem Fočo, drejtori i medias në Al Jazeera Balkans.
Duke qenë se Al Jazeera Balkans transmeton vetëm në gjuhën boshnjake (për
Bosnjën dhe vendet sllave përreth), ndër bisedat tona, u shtrua tema për
mundësinë e mbulimit të Shqipërisë nga Al Jazeera Balkans, e cila do të ishte
një mundësi për mbi 10 milionë shqiptarë që jetojnë në trojet e tyre në
Ballkan, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe
Çamërinë, pa përmendur dhe diasporën. Ata shprehën dashamirësinë për një ide të
tillë dhe thanë që do ta diskutojnë me drejtuesit e Al Jazeera-s në zyrat
qendrore. Një diskutim tjetër ishte bashkëpunimi i Qendrës Shqiptare për
Studime Orientale me këtë televizion, ku Al Jazeera Balkans mund të realizonte
disa dokumentarë në Shqipëri, dhe qendra jonë mund të ishte koordinatore e tyre
këtu. Duke shpresuar që të arrijmë të realizojmë disa bashkëpunime, me dëshirën
më të mirë dhe prej drejtuesve të Al Jazeera Balkans që takuam në Sarajevë, u
përshëndetëm duke uruar që të kemi edhe takime të tjera.
Ardian Shanaj, Ermal Bega, Edvin Cami
Në mbrëmje, dolëm së bashku me Dr. Munirin, për darkën e lamtumirës, pasi
të nesërmen do të niseshim për në Tiranë. Folëm, u pamë dhe diskutuam për herë
të fundit, duke e falënderuar shumë në emrin tim personal dhe në emër të
Qendrës Shqiptare për Studime Orientale, për gjithë kohën e kaluar me ne, për
të gjitha takimet e mundësuara për ne, për të gjitha kontaktet e krijuara për
ne, në mënyrë që të ndiheshim sa më mirë si miqtë dhe vëllezërit e tij. Gjatë
darkës, biseduam rreth të gjitha takimeve dhe veprimtarive që patëm gjatë
qëndrimit tonë 5-ditor në Sarajevë dhe Bosnjë dhe bëmë disi konkluzionet e
vizitës sonë atje, ku u vlerësuan shumë njohje dhe kontakte të dobishme dhe të
frytshme. Nga ora 11 e darkës, u ndamë përzemërsisht me Dr. Munirin, duke u përqafuar
vëllazërisht dhe duke uruar të takohemi sërish bashkë, në Sarajevë, por duke e
ftuar dhe ne në Tiranë.
Nga kafet e shijshme boshnjake që kemi shijuar në Sarajevë
Në mëngjesin herët të së martës, nga ora 02:00 pas mesnatës, morëm rrugën e
kthimit, që kësaj radhe menduam që t’i bimë nga Kroacia, duke menduar të
shijojmë paksa qytetin e bukur të Dubrovnikut, dhe duke i rënë buzë detit
Adriatik me makinën tonë, për të shijuar pjesën bregdetare të Kroacisë dhe
Malit të Zi. Por, fatkeqësisht, në kufirin boshnjako-kroat, patëm një ndalim
jonormal nga kufitarët kroatë, të cilët e kontrolluan me hollësi të tepruar makinën
tonë dhe na bënë shumë pyetje, të cilët në këtë mënyrë na lanë një shije të
hidhur gjatë udhëtimit tonë nëpër Kroaci.
Pasdite, arritëm në Shkodër, ku drekuam dhe në mbrëmje arritëm shëndoshë e
mirë në shtëpitë tona, ku treguam për të gjitha aventurat dhe peripecitë e
kaluara gjatë rrugës së vajtjes dhe kthimit nga Bosnja, dhe për kohën që kaluam
gjatë qëndrimit tonë në Bosnjën e mrekullueshme, me trashëgiminë më të madhe dhe
më të pasur orientale në Ballkan.
* Ermal Bega është drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare
për Studime Orientale (ACFOS-Albania) në Tiranë.
[1] Në këtë shkrim ka kontribuar dhe Edvin Cami, anëtar i bordit drejtues të
Qendrës Shqiptare për Studime Orientale dhe pedagog në Universitetin e Durrësit
(UAMD).
[2] Ky shkrim është botuar në revistën kulturore-shkencore për
studime orientale “URA”, nr. 12-13, Tiranë 2014.
No comments:
Post a Comment