Ermal BEGA
U MBAJT KUVENDI I 2-TË
I ALEKSANDRISË PËR EDUKIMIN
(16-18 dhjetor 2012)
Nga 16-18 dhjetor 2012, në Aleksandri të Egjiptit u mbajt
Kuvendi i 2-të i Aleksandrisë për Edukimin (II Alexandria Education Convention),
organizuar nga Fondacioni Anna Lindh (ALF), në bashkëpunim me Institutin Suedez
në Aleksandri. Qendra Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania) ishte
pjesë e këtij aktiviteti, dhe përfaqësohej nga kryetari i saj, Ermal Bega.
Ermal Bega dhe Andreu Claret |
Fokusi i Kuvendit të 2-të të Aleksandrisë (i pari u mbajt
më 30-31 tetor 2011) ishte që të përfshijë pjesëmarrësit e përzgjedhur në një
proces konsultimi për futjen e një programi në lidhje me edukimin qytetar
ndërkulturor dhe paraqitjen e një burimi mësimor në këtë fushë drejtuar
praktikuesve të edukimit formal dhe jo-formal.
40 përfaqësues nga rrjetet kombëtare të Fondacionit Anna
Lindh (ALF), si dhe të ftuar të tjerë nga institucione të ndryshme ishin ftuar
për të marrë pjesë në këtë kuvend i cili si qëllim kryesor kishte konsultimin
dhe diskutimin për futjen e një programi në edukimin qytetar ndërkulturor i
cili ka të bëjë me edukimin formal dhe jo-formal. Vetë programi arsimor synon
që të përkrahë zhvillimin e praktikave dhe aktiviteteve arsimore për të
ndihmuar të rinjtë dhe të rriturit për të pasur një rol aktiv në shoqëri.
Gjithashtu, ky program arsimor do të përkrahë pjesëmarrësit për të ushtruar të
drejtat dhe përgjegjësitë e tyre në shoqëri, duke kuptuar dhe vlerësuar
mendimet, traditat e ndryshme, si dhe mënyrën ndryshe të jetesës së qenieve
njerëzore.
Kuvendi i 2-të i Aleksandrisë për Edukimin u zhvillua
përmes seancave plenare dhe 3 grupe pune duke i bërë pjesëmarrësit shumë aktivë
në procesin e përgatitjes së burimeve mësimore dhe burimeve të internetit për
edukimin qytetar ndërkulturor.
Këto grupe u mblodhën që të diskutonin së bashku me
pjesëmarrësit e tjerë për çështje studimore në lidhje me përbërësit mësimorë
nga vetë përvojat e tyre duke ndarë praktikat më të mira dhe duke diskutuar për
sfidat bashkëkohore të mësimdhënies.
Në fund të kuvendit, organizatorët zhvilluan një diskutim
të hapur me pjesëmarrësit në lidhje me hapat e mëtejshëm në edukimin qytetar
ndërkulturor.
Në këtë aktivitet ishte ftuar për të ndarë mendimet e tij
dhe ambasadori i Francës në Egjipt, z. Nicolas Galey.
Disa nga pjesëmarrësit në këtë kuvend do të marrin pjesë
gjithashtu në Forumin e 2-të Anna Lindh 2013, i cili zhvillohet në Marsejë të
Francës, më 4-7 prill 2013.
I përfshirë në këtë aktivitet ishte dhe një vizitë e
paharrueshme në Librotekën e Aleksandrisë (Bibliotheca Alexandria), darka në
një nga restorantet më të njohur të Aleksandrisë me kuzhinë tradicionale
orientale, etj. Gjithashtu, disa foto të përbashkëta i bënë më emocionuese këto
ditë të aktivitetit.
No comments:
Post a Comment