Ermal BEGA
Drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania),
Tiranë
IDENTITETI
FETAR I EMIGRANTËVE SHQIPTARË NË SHOQËRITË PRITËSE EUROPIANE
(organizatat
kulturore muslimane shqiptare)*
Të nderuar pjesëmarrës, fillimisht ju përshëndes dhe ju falënderoj për
pjesëmarrjen në këtë takim kulturor të rrjetit shqiptar të Fondacionit Anna
Lindh.
Falënderoj gjithashtu AFALC, që më besuan të flas për temën me titull: “Identiteti
fetar i emigrantëve shqiptarë në shoqëritë pritëse europiane (organizatat
kulturore muslimane shqiptare)”.
Nuk është e lehtë që të flas për një temë të tillë, sepse unë nuk jam një
personalitet fetar ose përfaqësues i një komuniteti fetar si institucion, në
këtë rast i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, që të jap një informacion më të
detajuar mbi çfarë duhet diskutuar në këtë takim në lidhje me këtë temë, por si
orientalist dhe si studiues jam marrë edhe me njohjen e shqiptarëve muslimanë
në Europë, por jo vetëm, si dhe organizatat e tyre në vendet europiane, duke marrë
një informacion për aq sa mua më ka interesuar për studimet e mia në lidhje me
organizimin e shqiptarëve, muslimanë në këtë rast, nëpër xhami, bashkësi
fetare, institucione kulturore, edukative-arsimore e të tjera, në Europë.
Nga tradita dhe historia islame, dihet shumë mirë se organizimi i
besimtarëve muslimanë ka nisur që nga xhamitë, dhe kjo është e tillë që nga
koha e shpalljes së Profetit Muhamed, i cili me ndërtimin e xhamisë së parë në
Medine, ai themeloi dhe shtetin e parë të muslimanëve në botë.
Kjo dukuri e njëjtë ka vazhduar gjithashtu në mesin e muslimanëve gjatë
halifatit të Emevive, halifatit të Abasidëve, deri në kohën e Sulltanatit Osman
i cili gjatë sundimit për një kohë të gjatë hodhi bazat e institucioneve fetare
me bashkësi politike, kulturore, arsimore dhe shoqërore, brenda objekteve
fetare të muslimanëve, ku brenda një ndërtese apo kompleksi të madh fetar islam,
ka pasur një xhami, me minare apo jo (ndryshe: vendfalje, musal’la në
arabisht), por gjithashtu ka pasur edhe një organizim politik brenda tyre ku
zyrtarët që bënin politikë mblidheshin dhe diskutonin për çështje të ndryshme
shoqërore dhe shtetërore nëpër xhami. Ka pasur ndonjë medrese (e cila duhet
kuptuar si shkollë publike normale, jo vetëm si shkollë fetare, sepse
nga arabishtja d.m.th. “shkollë”), ka pasur gjithashtu pazar për tregti të
ndryshme (brenda kompleksit), shatërvane, çezme etj., d.m.th. kanë qenë
komplekse diturie dhe jete shoqërore.
Një rast tjetër shumë i rëndësishëm për t’u përmendur në lidhje me temën që
po trajtojmë është situata e Andaluzisë, ish-Spanjës së sotme, e cila për
Europën e Mesjetës së errët ishte një fanar ndriçues për dituri të ndryshme,
sepse në xhamitë-shkolla ose xhamitë-universitete të Andaluzisë shumë prej
priftërinjve europianë, fëmijët e tyre ose fëmijët e të pasurve, kanë marrë
dituritë më të mëdha botërore të kohës.
I sollëm këto informacione historike për të treguar që historia e
bashkësive fetare të muslimanëve ka nisur dhe ende nis nga xhamitë, si dhe për
të bërë një lidhje me kohët e sotme dhe organizatat e të ashtuquajturës shoqëri
civile të muslimanëve shqiptarë në Europë.
Pas viteve ’90, të shekullit të kaluar 20, dihet mirë emigrimi i shumë
shqiptarëve nga Shqipëria kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Europian të asaj
kohe, ku kryesisht emigrimet më të mëdha u bënë në Greqi, Itali, Gjermani,
Austri, Suedi, Zvicër, Norvegji, Britaninë e Madhe, Francë etj.
Shqiptarët që shkuan në Europën perëndimore, ishin shumë më të mirëpritur
sesa në shtetin fqinj Greqi, i cili edhe pse një vend i Bashkimit Europian, në
karakter ushtronte dhe ushtron ende një antipati të madhe dhe turpëruese do të
thoja për një shtet europian ndaj shqiptarëve në përgjithësi, dhe ndaj
muslimanëve shqiptarë në veçanti. Rastet e shumta të detyrimit me dhunë të
shqiptarëve në Greqi që të ndërrojnë fenë dhe kombësinë, si detyrim për të marrë
letrat në Greqi, janë të shumta dhe dihen. Këtu në fakt shfaqet shumë hapur një
islamofobi dhe ksenofobi e grekëve kundër muslimanëve shqiptarë, dhe kjo ka
sjellë deri më sot një mungesë të madhe të organizatave të shoqërisë civile të shqiptarëve
për të drejtat e minoriteteve fetare dhe kombëtare në Greqi, veçanërisht të muslimanëve
shqiptarë, por edhe të organizatave të katolikëve dhe ortodoksëve shqiptarë.
Por, në krahasim me Greqinë, në Europën perëndimore terreni ka qenë më
paqedashës për shqiptarët, ku kanë pasur dhe kanë ende hapësira për të shfaqur
lirshëm identitetin fetar dhe kombëtar të tyre. Si shtete të tilla në Europën perëndimore,
me një tolerancë të madhe të lirisë për të drejtat e njeriut, të lirisë së
fesë, të së drejtës së shfaqjes të identitetit kombëtar, si dhe të hapjes së
organizatave kulturore dhe fetare të shoqërisë civile, mund të përmendim
Italinë, Gjermaninë, Austrinë, Francën, Suedinë, Kroacinë, Zvicrën etj..
Shumë prej muslimanëve shqiptarë, siç e përmenda më sipër, në fillim janë
bashkuar me idenë për hapjen ose ndërtimin e një vendfaljeje ose xhamie për
adhurimet e tyre ndaj Zotit, të hapura ose të ndërtuara nga vetë shqiptarët në Europë,
dhe për të shërbyer si një vend grumbullimi për shqiptarët që studiojnë,
punojnë ose jetojnë në vende të ndryshme europiane. Ndërkohë, shumë prej tyre
janë organizuar më vonë dhe kanë qenë nismëtarë të hapjes së qendrave
kulturore, arsimore, sociale dhe profesionale pranë xhamive përkatëse.
Një lajm i gëzuar dhe për t’u përshëndetur është se shumë prej
bashkëkombësve tanë muslimanë të cilët jetojnë në Europë, janë të rinj e të
reja të cilët kanë studiuar lirshëm nëpër universitete të ndryshme dhe të
famshme të Europës. Prindërit e tyre kanë shkuar në Europë fillimisht si
emigrantë për një jetë më të mirë, por fëmijët e tyre i kanë nderuar më shumë
familjet e veta si dhe kombin tonë shqiptar, me arritjet e tyre në studimet
akademike në fusha të ndryshme të jetës, ndërkohë që shfaqja e besimit të tyre
fetar si muslimanë nuk i ka penguar aspak, përkundrazi ka qenë motiv më i lartë
për të arritur më lart në studime.
Kam pasur kontakte me meshkuj dhe femra shqiptare, studentë në Itali,
Gjermani, Austri, Francë etj., të cilët më kanë treguar se prezantimi i tyre si
muslimanë shqiptarë, si dhe aftësia dhe arritja e tyre në studime, ka bërë që
të priten shumë mirë jo vetëm nga studentë të tjerë ndërkombëtare, kolegë të
tyre, por edhe nga pedagogët dhe stafi akademik, duke lënë në këtë mënyrë
gjurmë të dobishme të prezantimit si shqiptarë muslimanë autoktonë në Europë.
Italia ka një numër të madh të organizatave kulturore muslimane të
shqiptarëve në Europë. Këtu mund të përmendim organizatën UAMI (Unioni Shqiptar
i Muslimanëve të Italisë), e cili prej disa vitesh shërben si një kupolë
organizative dhe si mbikqyrëse e të gjitha shoqatave të tjera shqiptare të muslimanëve
shqiptarë të Italisë. Organizimet e tyre kulturore dhe fetare të përmuajshme
dhe të përvitshme janë të një niveli për t’u lavdëruar, dhe kanë pasur një
jehonë të madhe në mediat dhe institucionet italiane, duke thithur kështu
herëpashere dhe fonde nga institucione të tilla. Një nga organizimet e tyre më
të njohura deri tani është kuvendi i përvitshëm i këtij unioni me përfaqësuesit
e organizatave të muslimanëve shqiptarë në Itali, ku ftojnë studiues të
ndryshëm shqiptarë të Islamit, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, si edhe të
ftuar të tjerë të huaj muslimanë, italianë etj. Aktivitetet e tyre kulturore
janë prezantuar shumë nëpër gazetat dhe mediat italiane. Për t’u admiruar është
se pothuajse shumica e organizatorëve dhe drejtuesve të këtij unioni si edhe të
shoqatave të tjera kulturore të muslimanëve shqiptarë në Itali, janë studentë
ose kanë përfunduar studimet në një fushë të caktuar, si ekonomi, mjekësi,
sociologji, psikologji etj., dhe të cilët punojnë nëpër institucione të
ndryshme si profesionistë.
Organizata të tjera kryesore të muslimanëve shqiptarë në Itali mund të
përmendim edhe FAT (Forum Alb Trentino), si edhe Unioni Islam i Maremma-s, në
rajonin e Maremma-s.
Xhamitë dhe organizatat e muslimanëve shqiptarë në Itali janë të shumta dhe
të organizuara mirë nga bashkëkombësit tanë.
Një numër i madh i xhamive dhe shkollave të muslimanëve shqiptarë në Europë
ndodhet edhe në Austri. Austria ka nxjerrë ligje të veçanta për të drejta
maksimale të komuniteteve fetare dhe kombëtare të çdo vendi të botës, dhe atje
mund të shfaqet haptas dhe pa ndonjë frikë besimi fetar dhe kombësia, dhe
askush nuk ndërhyn në jetën e tjetrit, përkundrazi, kanë ligje të rrepta kundër
atyre që kritikojnë pa të drejtë.
Nga organizatat kryesore të muslimanëve shqiptarë të Austrisë është “Bashkësia
Islame Shqiptare” në Vjenë, gjithashtu mund të përmendim shoqatën islame shqiptare
“Bujaria” në Linz, e cila në faqen e saj zyrtare në internet kjo shoqatë sqaron
se “është një qendër qytetare, edukativo-fetare dhe humanitare. Është
organizatë islame e cila kryesisht angazhohet për t'ua krijuar kushtet e nevojshme
besimtarëve muslimanë në realizimin e detyrave të tyre fetare dhe kultivimin e
vlerave të tyre kombëtare”. Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe xhaminë
shqiptare në Salzburg dhe organizatën “Al-Ihlas” (Sinqeriteti), Unioni i Shqiptarëve
Muslimanë në Austri, Bashkësia muslimane e shqiptarëve “Nur”, Shoqata shqiptare
“Abdyl Frashëri”, Forumi i të Rinjve Muslimanë, Shoqata Kulturore e Shqiptarëve
Muslimanë, Bashkësia Shqiptare Muslimane në Wels etj. Në Austri ekzistojnë edhe
disa radio publike në gjuhën shqipe të hapura nga organizatat e muslimanëve
shqiptare, ku ndër radiot më të njohura të muslimanëve shqiptarë atje është
radio “Pendimi”.
Gjermania është një shtet tjetër me standarde të larta në lirinë e
ushtrimit të fesë për besimtarë të feve të ndryshme. Këtë fat kanë pasur dhe
shqiptarët muslimanë, të cilët kanë hapur xhamitë e tyre për mbledhjen e
besimtarëve muslimanë, kryesisht shqiptarë por edhe të huaj, dhe në këtë mënyrë
njihen xhamitë dhe organizatat e tyre kulturore-edukative në Gjermani. Këtu
mund të përmendim Qendrën Islame Shqiptare në Stuttgart, Qendrën
Islame Shqiptare në Munih, xhamia shqiptare “Isa Beu” në Berlin, xhamia
shqiptare “Mëshira” në Bonn, xhamia shqiptare “Drita” në Duisburg, Qendra
Islame e Muslimanëve Shqiptarë në Siegen, Bashkësia Islame Shqiptare “Bashkimi”
në Nürnberg, etj. Në ambientet e këtyre xhamive, qendrave dhe bashkësive fetare
të muslimanëve shqiptarëve, përveç riteve fetare organizohen dhe aktivitete të
ndryshme kulturore për fëmijë dhe të rritur, seminare, trajnine, konkurse
kulturoro-edukative etj.
Zvicra ka gjithashtu shumë xhami, organizata dhe shkolla të emigrantëve
muslimanë shqiptarë nga Shqipëria, nga Kosova dhe shqiptarët nën Maqedoni. Disa
prej tyre si më të njohura janë Xhamia El-Hidaje në St. Gallen, Bashkësia
Islame “Ikre” në Bern, Bashkësia kulturore islame shqiptare në Biel/Bienne.
Numërohen rreth 60 xhami, shoqata fetare-humanitare-kulturore-atdhetare të
muslimanëve shqiptarë në Zvicër.
Në Suedi, është e famshme xhamia e shqiptarëve muslimanë në Malmo, ku përveç
besimtarëve muslimanë shqiptarë të cilët e drejtojnë atë xhami, atje shkojnë edhe
besimtarë muslimanë nga e gjithë bota. Në krah të saj, brenda territorit të
xhamisë gjendet edhe një shkollë e ndërtuar nga muslimanët shqiptarë emigrantë
atje për arsimimin e fëmijëve shqiptarë, për mësimin dhe ruajtjen e gjuhës
shqipe etj., dhe për të cilën është realizuar dhe një dokumentar nga një
televizion suedez.
Norvegjia ka një xhami të madhe të muslimanëve shqiptarë në Oslo.
Gjithashtu, atje gjendet Qendra Shqiptare Fetare dhe Kulturore, si dhe Qendra
Islame Kulturore Shqiptare.
Kroacia në kryeqytetin e saj Zagreb ka një ndër xhamitë dhe qendrat më të
mëdha kulturore të muslimanëve shqiptarë në Europë, që quhet Qendra Islame
Shqiptare.
Për ta përfunduar, kudo në të gjitha xhamitë, organizatat, qendrat dhe
shkollat e ndërtuara nga besimtarët muslimanë shqiptarë në Europë, shqiptarët
muslimanë kanë treguar se janë solidarë për njëri-tjetrin, dhe sa herë është
kërkuar ndihma e emigrantëve muslimanë shqiptarë të cilët jetojnë në Europë,
ata kanë qenë gati të përkrahin jo vetëm shqiptarët pa dallim feje në trojet
shqiptare, por kanë ndihmuar edhe për fatkeqësi të ndryshme të ndodhura në
vende të ndryshme të botës.
Muslimanët shqiptarë, si autoktonë dhe si shumicë në këtë rajon të Europës
i duan vlerat e drejta dhe të vërteta europiane, dhe për këtë mundohen të japin
dhe ata kontributin e tyre fetar si muslimanë dhe kombëtar si shqiptarë në
ndërtimin e vlerave të përbashkëta dhe të qenësishme europiane.
Faleminderit!
* Kjo kumtesë është
mbajtur në Takimin e Rrjetit Shqiptar të Fondacionit Anna Lindh, mbajtur ditën
e enjte, më 23 Tetor 2014, Tiranë. Kumtesa në emër të z. Ermal Bega, u lexua
nga Sidorela Jança.
No comments:
Post a Comment