30 December 2014

Që shqiptarët ta kuptojnë bukur burrin e famshëm, Khajjamin

Alma MILE

QË SHQIPTARËT TA KUPTOJNË BUKUR BURRIN E FAMSHËM, KHAJJAMIN*
Pas përkthimit të Nolit, botohet një tjetër shqipërim i Rubairave, nga Hafiz Ali Korça

Të famshmet Rubaira të Umer Khajjamit (Omar Khajjamit) këndojnë sërish shqip, por këtë herë nga një tjetër shqipëronjës. Hafiz Ali Korça, një nga atdhetarët dhe teologët e njohur të fesë islame, ka lënë në fondin e përkthimeve një nga thesaret e letërsisë botërore. Prej pak ditësh bibliotekës së librit iu shtua edhe “Rubaijjati”, apo “Katrorët e Umer Khajjamit”. Një botim i tretë që vjen nga “Rinia e së Ardhmes”. Ndonëse “Rubairat” janë vargje që i këndojnë dashurisë, gëzimit për jetën, verës, për shqiptarët janë të njohura falë përkthimit që Fan S. Noli bëri nga anglishtja, vetë Hafiz Ali Korça synon t’i sjellë lexuesit një përkthim sa më afër origjinalit. Dhe në të vërtetë Korça i shqipëron “Katrorët” nga persishtja, një gjuhë që ai e zotëronte mjaft mirë. “Nga ky shkak më shtrëngojë ndërgjegja të gjejë Rubairat e Umer Khajjamit dhe t’i përkthej, që kësisoj brezi i ri shqiptar ta kuptojë bukur burrin e famshëm, Khajjamin se cili është”, - shkruan Korça i cili e botoi këtë përkthim fillimisht në vitin 1930 në shtypshkronjën “Ora e Shkodrës” dhe 12 vjet më vonë në 1942 në shtypshkronjën “Shkodra” në Tiranë.
Hafiz Ali Korça, jetoi në vitet 1874-1957. Studioi shkencat ekzakte dhe mori njohuri mbi letërsinë e gjuhën. Ishte njohës i mirë i arabishtes, persishtes, turqishtes, frëngjishtes, etj. Në kohën e Princ Vidit ishte Këshilltar i Ministrisë së Arsimit e më pas drejtor i Arsimit. Edhe pse ishte një prej atdhetarëve të kohës, Korça u përndoq dhe u internua nga regjimi komunist. E larguan si mësues nga Medreseja e Tiranës, e internuan në Kavajë ku edhe ndërroi jetë. Hafiz Ali Korça shkroi mbi 20 vepra, mes të cilave “Gjylistani dhe Bostani” të Saadiut, “Vuajtjet dhe dënimet e mija me vdekje”, “Gramatika syntaksë Shqip-Arabisht”, etj. Në parathënien e botimit të vitit 1942, e cila i është shtuar edhe botimit që sapo është hedhur në qarkullim, diplomati Rauf Fico dëshmon se Hafiz Ali Korça gjithashtu ka përkthyer edhe disa pjesë nga “Shahnameja” e Firdeusit, Librin e Mbretërve të cilën tashmë e kemi shqip prej origjinalit nga Vehxhi Buharaja.




* Ky shkrim është botuar në gazetën “Shekulli”, 21 Shtator 2006.

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *