08 April 2013

Organizohet takimi i parë i arnautëve në Lindjen e Mesme

Ermal BEGA*

ORGANIZOHET TAKIMI I PARË I ARNAUTËVE NË LINDJEN E MESME

Përfaqësuesit arnautë nga vendet e ndryshme

Më 27 shkurt 2013, në ndërtesën e bukur të UNESCO-s në Beirut të Libanit, u mbajt takimi i parë i arnautëve (shqiptarëve) në Lindjen e Mesme. Ky aktivitet u organizua nga organizata “Zëri Ndërkombëtar i Arnautëve për Kulturë dhe Art” (Sawt Arnaout International for Culture and Art), me qendër në Beirut të Libanit. Të ulur në podium ishin përfaqësues të arnautëve nga vende të ndryshme arabe, si nga Libani, Siria, Iraku, Egjipti, Tunizia dhe Palestina për të përfaqësuar në mënyrë simbolike vendin nga ata vinin. Të ulur gjithashtu në podium ishin dhe dy të ftuar specialë, orientalisti Ermal Bega nga Tirana si përfaqësues i Shqipërisë në emër të Qendrës Shqiptare për Studime Orientale, si dhe zonja Shpata Hoti si përfaqësuese e shqiptarëve të Kosovës.
Pjesëmarrës në këtë program ishin personalitete të larta të Libanit, përfaqësues të partive të ndryshme politike, nga organizata dhe institucione të ndryshme kulturore, ambasadorë etj. Në mesin e pjesëmarrësve ishte dhe Tamam Bek Selam, ish-ministri i kulturës në qeverinë e kaluar të kryeministrit Refik Hariri.
Ky aktivitet konsiderohet si një ndërmarrje kulturore historike për arnautët (shqiptarët) që jetojnë prej shekujsh në vendet arabe, si dhe për shqiptarët kudo që jetojnë, për vetë arsyen se organizohet nga një organizatë kulturore e vetë arnautëve në botën arabe. Gjithashtu, është për t’u përmendur se është takimi i parë i organizuar në nivel të tillë në botën arabe për përfaqësimin sa më të denjë të arnautëve dhe origjinës së tyre shqiptare.
Rol të madh gjithashtu për përfaqësimin e arnautëve (shqiptarëve) në botën arabe, më herët kanë dhënë dhe shumë personalitete të tjera shqiptare nga kjo pjesë e botës, si Dr. Abdulatif Arnauti, Dr. Muhamed Mufaku (Arnauti), Prof. Shefqet Gavoçi etj., të cilët nëpërmjet botimeve të ndryshme në shqip dhe arabisht kanë treguar rolin e lartë të shqiptarëve në botën arabe, personalitetet tona të shumta, si dhe respektin që kanë gjetur në vendet ku janë vendosur.

Abdulkerim Arnauti gjatë fjalës së tij

Hapjen e këtij aktiviteti e bëri shkurtimisht Dr. Abdulkerim Arnauti, drejtori ekzekutiv i organizatës “Zëri Ndërkombëtar i Arnautëve për Kulturë dhe Art”, i cili falënderoi të gjithë të ftuarit për pranimin e ftesës, në veçanti përfaqësuesit nga Shqipëria dhe Kosova, dhe më pas ia dha fjalën personave që ishin caktuar për të folur në këtë aktivitet.
Fjalën e mori ambasadori i Irakut në Liban, i cili përshëndeti këtë aktivitet të rëndësishëm kulturor, si dhe foli për lidhjen e shqiptarëve (arnautëve) me botën arabe.
Pas tij, fjalën përshëndetëse për këtë aktivitet e morën: historiani dhe akademiku i njohur Hasan Halak nga Universiteti Arab i Beirutit, një përfaqësues nga fiset arabe të Libanit, shkrimtari palestinez Ahmed Shejh, orientalisti Ermal Bega në emër të Qendrës Shqiptare për Studime Orientale, si dhe Abdulkerim Ba’albaki në emër të organizatës “Dialogu i Përhershëm Kulturor”.

Disa prej arnautëve nga Libani dhe Siria të cilët morën pjesë në këtë aktivitet

Në fund, fjalën e mori sërish Abdelkerim Arnauti i cili falënderoi përzemërsisht institucionin kulturor të UNESCO-s dhe drejtorin e saj Antoine Harb, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë aktivitet me shumë emocione. Gjithashtu, ai prezantoi dhe një punim artistik, një sënduk me stika pishe të punuar nga zonja Hend Arnauti, shqiptare nga Egjipti, vetëm me dorë dhe pa kimikate, punim i cili ka një histori dhe qëllim të veçantë për të cilin mund të shkruajmë në një shkrim tjetër.
Gjithashtu u prezantuan dhe dorëshkrimet e sjella nga Tirana të orientalistit shqiptar Ermal Bega, në emër të Qendrës Shqiptare për Studime Orientale.
Organizatës “Zëri Ndërkombëtar i Arnautëve për Kulturë dhe Art” dhe kryetarit të saj Abdulkerim Arnauti, i urojmë që të organizojnë sa më shumë aktivitete të tilla kulturore në të ardhmen për të treguar me krenari origjinën e tyre, duke e lutur Zotin që shqiptarët të ndihen mirë kudo që jetojnë. Gjithashtu, i shprehim atyre përkrahjen tonë në emër të Qendrës Shqiptare për Studime Orientale dhe në emër që Shqipërisë si pjesë e shoqërisë civile që jemi, pa kursim dhe sa herë që mundemi.
Me këtë rast i bëjmë thirrje dhe institucioneve kulturore dhe zyrtare në Shqipëri dhe në Kosovë që t’i hedhin sytë dhe nga shqiptarët që jetojnë në botën arabe dhe orientale, të cilët nuk janë të paktë dhe kanë nevojë për njohjen dhe përkrahjen tonë.



* Ermal Bega është drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale, në Tiranë.

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *