26 April 2012

"Ura", një urë lidhëse ndërmjet Orientit e Oksidentit

Intervistë me Ermal Begën, orientalist nga Tirana

“URA”, NJË URË LIDHËSE NDËRMJET ORIENTIT E OKSIDENTIT

Arritjet dhe problemet e studimeve orientale në Shqipëri

Ermal Bega
Në intervistën ekskluzive për gazetën “Epoka e Re”, Ermal Bega, drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale, në Tiranë, shpalos në detaje projektet madhore që ka bërë deri më tani, përkthimin dhe botimin e shumë librave, mbatjen e seminareve dhe ekspozitave me qëllim të kultivimit dhe ruajtjes së vlerave të mirëfillta shqiptare. Ai sqaron edhe për problemet dhe mungesën e përkthimeve të letërsisë orientale në gjuhën shqipe. Gjithashtu, ai shqetësohet për mungesën e një katedre për studime orientale në Shqipëri e cila është tejet e nevojshme për arsye historike, kulturore dhe filologjike që i lidh shqiptarët me botën orientale.



Keni studiuar orientalistikën, një fushë pothuajse e panjohur në Shqipëri (të paktën në aspektin universitar). Çfarë ju shtyu që të merreni me studimet orientale?

Bega: Keni të drejtë, studimet orientale ose orientalistika është një fushë pothuajse e panjohur në Tiranë, në aspektin universitar. Ka shumë arsye se pse ka ndodhur një gjë e tillë, por ndikimin, apo më mirë të themi kundërshtimin ndaj kësaj fushe studimi, e dha sistemi komunist në Shqipëri, ku një nga qëllimet kryesore ishte shkëputja me Orientin dhe studimet për të, si dhe për lidhjet e shumta historike dhe kulturore të shqiptarëve me Orientin, veçanërisht Orientin islam. Ndërkohë, pas rënies së sistemit dhunues komunisto-ateist në Shqipëri, me ardhjen e sistemit demokratik, nga një “ateizëm i plotë” kundër feve në Shqipëri, u kalua në një islamofobi të skajshme ku u mundua të mënjanohet çdo kontakt i shqiptarëve me Orientin, si nga aspekti kulturor, tradicional, fetar, ekonomik etj.
Arsyeja që më shtyu të merrem me studimet orientale është tepër e hershme, shumë kohë para se të nisja studimet e mia. Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë, në një lagje tiranase relativisht të vjetër, ku të paktën shtëpitë përdhese të vjetra tiranase, rrugicat e ngushta mes shtëpive, disa prej tyre me kalldrëm, puset dhe frutat e ndryshme në ato shtëpi, ishin dhe ende janë tërësisht me burim oriental, gjë që më ngjiti në zemër, dhe një ndjenjë e tillë më shtyu që të lexoja e të interesohesha më shumë për kulturën dhe letërsinë orientale në përgjithësi, dhe ndikimin e saj tek shqiptarët në veçanti, e cila vazhdoi me studimet në fakultet të studimeve orientale në universitetin e Prishtinës. Vepra të mëdha botërore të letërsisë orientale, si Rubaijjati Umer Khajjamit, përkthyer nga origjinali persisht mjeshtërisht nga Hafiz Ali Korça, pastaj Gjylistani dhe Bostani i Saadiut, përkthyer nga Vexhi Buharaja, si dhe libra të ndryshëm nga letërsia arabe, perse dhe turke kanë ndikuar tek unë në fillim që të studioj këtë fushë studimi dhe kulturën orientale, aq të afërt me atë shqiptare.

Gjatë studimeve dhe pas tyre keni shkruar shumë punime shkencore në revistat e njohura brenda dhe jashtë vendit. Me çfarë shkrimesh dhe temash jeni marrë më konkretisht?

Bega: Në shkrimet e punimet e mia kryesisht jam marrë me problematika të shoqërisë shqiptare në aspektin e kundërshtimit dhe përpjekjeve për t’u shmangur nga Orienti. Kam shkruar gjithashtu punime për Islamin në mesin e shqiptarëve, mbi qytetërimin islam në Shqipëri, mbi shqiptarët (arnautët) që jetojnë në Orient, mbi marrëdhëniet orient-oksident dhe rolin e shqiptarëve, etj. Gjithashtu kam përkthyer dhe shumë shkrime, libra kulturorë, si dhe poezi nga letërsia arabe. Shumë prej këtyre shkrimeve dhe artikujve, autorialë apo përkthime, janë botuar në gazeta dhe revista të ndryshme në Tiranë, Shkodër, Prizren, Prishtinë, Preshevë, Nju Jork etj., dhe gjithashtu shumë prej shkrimeve e punimeve të mia personale janë përkthyer dhe në gjuhë të huaja, si në anglisht, italisht, arabisht etj.

Pas përfundimit të studimeve në Prishtinë, keni kryer një specializim në Damask të Sirisë. Atje keni takuar edhe shumë shqiptarë (arnautë) me të cilët keni krijuar shumë miqësi dhe keni hulumtuar për shqiptarët (arnautët) që ende jetojnë në shumicën e vendeve arabe. Deri ku kanë arritur hulumtimet tuaja?

Bega: Dua të korrigjoj diçka. Në Damask kam qenë në vitin 2004, ende pa përfunduar studimet. Ka qenë viti i katërt i studimeve, për të cilin u kërkova leje shefit të degës dhe profesorëve nëse ishte e mundur që të shkoja atje për një specializim njëvjeçar të gjuhës arabe, dhe ata duke më përkrahur moralisht, më lejuan të shkoja. Ishte një përvojë jashtëzakonisht e madhe për mua, të jetoja 1 vit në një vend oriental dhe arab, ku mund të njihesha më nga afër me gjuhën arabe, me jetën e arabëve dhe popujve orientalë, qytetërimin dhe kulturën e tyre etj. Ishte gjithashtu një mënyrë e mirë për të parë dhe ndjerë nga afër atë që mësonim në fakultet për Orientin dhe banorët e tij.
Në Damask, duke ditur emigrimet e shumta dhe në kohë të ndryshme të shqiptarëve, e dija që ekzistonte një komunitet i madh i tyre, dhe për këtë arsye, përveç studimit të gjuhës arabe, nisa të interesohem dhe për shqiptarët (arnautët) të cilët jetojnë atje. Prej atyre të cilët pata rast të takohem e të bisedoj personalisht, sigurisht në gjuhën shqipe, ishin: Dr. Abdulatif Arnauti, Dr. Muhamed Mufaku-Arnauti, dijetarët e mëdhenj muslimanë shqiptarë Abdulkadër Arnauti dhe Imam Vehbi Sulejman Gavoçi, profesorin Shefqet Gavoçi etj.
Me Dr. Muhamed Mufaku (Arnauti), Tiranë 2006
Pas mbarimit të studimeve, nisa të interesohem më shumë mbi komunitetin shqiptar (arnautët) në Damask e Siri. Pas hulumtimeve të shumta kam arritur që përveç atyre në Damask, të gjej se ekzistojnë edhe një numër i madh shqiptarësh në qytete të tjera të Sirisë, si në Halep, Hama, Hums, Suvajda, Lattakia etj., për të cilët kam shkruar në një intervistë tjetër dhënë më herët (me nisjen e pranverës arabe), posaçërisht për Sirinë dhe shqiptarët (arnautët) të cilët jetojnë atje. Shumë prej shqiptarëve (arnautëve) të cilët jetojnë atje janë të arsimuar dhe kanë arritur suksese të mëdha në fusha të ndryshme të jetës.
Gjithashtu, për të treguar më shumë rreth shqiptarëve të cilët jetojnë në Orient, revista kulturore-shkencorë për studime orientale “URA”, organ i qendrës, numrin e pestë të saj (vjeshtë/dimër 2010) ia dedikoi shqiptarëve (arnautëve).

Jeni themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania). Pse u formua një qendër të tillë?

Bega: Një vit pasi përfundova studimet e mia në Prishtinë, pas një konsultimi të gjatë me shumë profesorë të ndryshëm në Tiranë dhe në Prishtinë, në vitin 2007 vendosa të hapja Qendrën Shqiptare për Studime Orientale, në Tiranë. Një qendër kulturore e tillë, si dhe botimet në emër të saj, me një status, logo dhe vulë të veçantë, besoj se ka qenë një nevojë e kahershme në Tiranë. Kjo qendër gjithashtu u formua me qëllimin për të grumbulluar rreth saj figurat më eminente, si dhe profesorë e studiues të ndryshëm të cilët kanë dhënë kontribute të vogla ose të mëdha në këtë fushë, me anë të shkrimeve, studimeve e botimeve të ndryshme. Në bordin këshillimor të saj kemi figura të rëndësishme si Dr. Muhamed Mufaku (Arnauti) në Amman-Jordani, Dr. Abdulatif Arnauti në Damask-Siri, Dr. Dritan Egro në Tiranë, Dr. Feti Mehdiu në Prishtinë, Ma. Azem Xheladini në Maqedoni etj.

Cilat janë arritjet e qendrës suaj deri tani?

Bega: Qendra Shqiptare për Studime Orientale që nga viti 2007 e deri më tani mendojmë se ka pasur shumë fryte. Prej arritjeve kryesore të saj kanë qenë botimet e shumta në fushën e studimeve orientale dhe islamologjisë, rreth lidhjeve të shqiptarëve me Orientin etj. Këtu mund të përmendim botimin e librave “Lidhjet letrare shqiptare-arabe” nga Dr. Muhamed Mufaku-Arnauti, “Fjalor bazë i Islamit” nga autorja britanike Ruqaijjah Waris Maqsood, “Vështrim ndaj orientalizmit dhe orientalistëve” nga Behxhet Jashari, “Hafiz Ibrahim Dalliu (Jeta dhe vepra)” nga Xhemal Balla, “Abdul Kadër Arnauti (Jeta dhe vepra)” nga Mahmud Muhamed Xhemil El-Kesr, “Jusufi me Zelihanë” nga Hafiz Ali Korça, librin me aforizma “Dervishi i tha djalit të tij” nga autori nga Libia me origjinë shqiptare Dr. Ali Mustafa El Misrati etj.
Lidhjet letrare shqiptare-arabe
Dervishi i tha djalit të tij
Gjithashtu, një arritje e madhe është dhe botimi 2 herë në vit i revistës së specializuar dhe profilizuar për studime orientale “URA”, e cila ka grumbulluar rreth vetes autorë dhe studiues të njohur shqiptarë dhe të huaj të cilët kanë shkruar mbi studimet orientale.
Arritje të tjera janë përfaqësimi në emër të qendrës nëpër aktivitete, seminare dhe konferenca brenda dhe jashtë vendit, në një mënyrë sa më dinjitoze. Kjo qendër deri më tani është përfaqësuar në Tiranë, Shkup, Barcelonë etj.

Revista kulturore-shkencore për studime orientale “URA”, organ i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale ka bërë sot një traditë mbarëshqiptare. Në të kanë botuar figurat më eminente nga fusha e filologjisë, orientalistikës, historisë etj. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Numri 7 i revistës “URA”, vjeshtë/dimër 2011
Bega: Revista kulturore-shkencore për studime orientale “URA”, që me botimin e numrit të parë të saj në periudhën vjeshtë/dimër 2008, kur u bë dhe promovimi i saj, nisi të marrë një jehonë në mesin e studiuesve dhe profesorëve të ndryshëm në Tiranë dhe Prishtinë, por edhe në trojet e tjera shqiptare. Tirazhi i saj nuk është i madh, për shkaqe të ndryshme, por ajo arrin të shpërndahet në institucione dhe biblioteka të ndryshme në trojet shqiptare. Me një përzgjedhje të autorëve shqiptarë dhe të huaj si dhe të shkrimeve autoriale apo të përkthyera, mendojmë se kemi arritur të nxjerrim një revistë model për studimet orientale në Shqipëri.
Titulli simbolik “URA” ka si qëllim lidhjet kulturore mes Orientit dhe Oksidentit, nëpërmjet Shqipërisë, ku bashkëjetesa mes kulturave dhe feve të ndryshme luan një rol të veçantë.

Ju jeni dhe një mbledhës i dokumenteve dhe dorëshkrimeve orientale. Në mesin e shumë librave dhe dorëshkrimeve të vjetra që keni grumbulluar në Shqipëri keni ribotuar edhe disa libra të rrallë me vlerë të pakrahasueshme. Si arritët të grumbulloni gjithë këtë literaturë të vjetër?

Bega: Me mbledhjen e dokumenteve dhe dorëshkrimeve orientale, në gjuhën shqipe, arabe, osmane, perse, të shkrimeve me dorë etj., merrem që herët në shkollë të mesme (rreth 15-16 vjet më parë), duke shkuar në shtëpitë e familjeve të vjetra tiranase dhe duke kërkuar prej tyre që të më dhuronin (ose t’u bleja me sa mundësi kisha) librat e tyre të vjetra të cilat i kishin ruajtur që para komunizmit (nëpërmjet ndonjë hoxhe, të afërmi, shokë etj.). Në të njëjtën mënyrë nisa të shkoja në shumë qytete të tjera të Shqipërisë, si në Durrës, Krujë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Berat, Kavajë etj., duke kërkuar sërish për dokumente dhe dorëshkrime të vjetra.
Në të vërtetë, me botime nga fusha e studimeve orientale jam marrë që para se të themeloj këtë qendër, ku në emër të shoqatës kulturore “Rinia e së Ardhmes” (të cilën e kam drejtuar që nga viti 2002 deri në vitin 2007) kemi botuar disa libra me rëndësi nga fusha e studimeve orientale, ku ndër më të rëndësishmet mund të përmend ribotimin e librave “Rubaijjati Umer Khajjamit” dhe “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë” nga autori dhe dijetari i madh musliman shqiptar Hafiz Ali Korça, për botimin e të cilave u botuan artikuj të veçantë në disa gazeta të njohura në Tiranë, si dhe në gjuhën arabe në Jordani dhe Egjipt.

Në muajin nëntor 2011, për 2 ditë rresht keni organizuar një ekspozitë me dorëshkrimet orientale në Tiranë. Çfarë janë ekspozuar në atë ekspozitë dhe sa ka tërhequr kureshtjen e publikut shqiptar?

Bega: Po, një ekspozitë personale e imja, në emër të Qendrës Shqiptare për Studime Orientale, e realizuar më 18-19 Nëntor 2011, së bashku me një seminar në fillim në lidhje me studimet orientale në Shqipëri, pati një jehonë të mirë në mediat vizive në Tiranë, ku u transmetuan intervista me rastin e kësaj ekspozite personale të veçantë në Shqipëri. Në atë ekspozitë u prezantuan rreth 100 dokumente të vjetra, si libra, revista, dhe dorëshkrime, në gjuhën arabe, osmane, perse, shqip si dhe dorëshkrime shqip me alfabet arab.
Pamje nga ekspozita e organizuar nga ACFOS-Albania, nëntor 2011
Në këto përmbledhje u ekspozuar libra të ndryshëm fetarë, kulturorë, politikë, historikë, enciklopedi, gazeta etj. Gjithashtu u prezantuan botime nga personalitete të shquara të kulturës shqiptare si nga Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Sami Frashëri, Ferid Vokopola, etj.
Me këtë rast, për të treguar vlerën e mbledhjes së dokumenteve dhe dorëshkrimeve orientale, si dhe për vlerat që ato mbajnë në vetvete, në seminarin e organizuar folën profesor Bedri Telegrafi, Dr. Assoc. Genciana Abazi-Egro dhe unë. Të ftuar ishin profesorë të ndryshëm, drejtues OJF-sh të ndryshme dhe ambasadorë.

Mendoni se në Ballkan nevojitet një qendër mbarëshqiptare për studime orientale?

Bega: Po, sigurisht që po, mendoj që është një nevojë e patjetërsueshme. Në fakt, disa vite para se në Tiranë të hapej Qendra Shqiptare për Studime Orientale, një shoqatë për studime orientale u hap në Prishtinë, nga profesorët e mi atje, me titull “Shoqata e Orientalistëve të Kosovës”, e cila përveç 2 numrave të revistës kulturore-shkencore me titullin “Studime Orientale” nuk ka realizuar ndonjë aktivitet tjetër. Mendoj gjithashtu që projekte të përbashkëta mes këtyre dy organizatave kulturore për studime orientale do të ishin me interes të përbashkët për të dy qendrat e mëdha shqiptare, Tiranën dhe Prishtinën. Ne kemi personalitete të shumtë, të hershëm dhe tani, të cilët kanë dhënë dhe japin kontribute të mëdha në fushën e studimeve orientale, prandaj një qendër mbarëshqiptare për studime orientale do të ishte një pikë e mirë referimi për të gjithë shqiptarët, për të bërë studime dhe hulumtime në këtë fushë.

Keni shkruar dhe përkthyer shumë artikuj e libra, të cilat janë botuar si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë, kryesisht nga fusha e studimeve orientale dhe qytërimit islam. Si keni arritur i vetëm të bëni kaq shumë punë që në totalin e përkthimeve dhe botimeve mbajnë me mijëra faqe?

Bega: Të them të drejtën, ka qenë një punë jashtzakonisht e vështirë për të drejtuar një qendër të tillë, e të pranosh barrën e madhe të organizimit në detaje për arritjen e objektivave të saj. Kërkimi për të realizuar kontakte të shumta me shkrimtarë e përkthyes të cilët janë marrë me këtë fushë, ka qenë një vështirëse më vete, ku jam dashur të ndaj një kohë të mirë. Por, mendoj se asgjë nuk është e pamundur në këtë dunja, vetëm me nijet, vullnet dhe dëshirë të mirë mund të arrihet shumë lart, dhe sado e madhe dhe e vështirë të duket një punë, aq më e lehtë bëhet kur nisesh me qëllimin që të arrish atje ku synon. Kam ende punë për të bërë, dhe kam punë me shkrime dhe libra deri tani më duken shumë pak nga çfarë mendoj të bëj, ku përveç vetes të angazhoj dhe vullnetarë dhe studiues të tjerë të kontribuojnë në fushën e studimeve orientale dhe qytetërimit islam.

Sa e vështirë është që të merreni me studimet orientale në Ballkan?

Bega: Mendoj që nuk është aspak e vështirë të merresh me studimet orientale në Ballkan. Ne shqiptarët dhe boshnjakët, kemi një fat të mirë nëse duam të merremi me këto studime. I gjithë Ballkani ka qenë nën kupolën e Shtetit Osman për më shumë se 500 vjet, dhe ne si shqiptarë kemi pranuar (ndryshe nga shtetet rreth nesh) që të jetojmë në atë shtet gjigand të kohës, i cili pas pranimit të Islamit na hapi dyer të mëdha.
Ballkani është i mbushur me trashëgimi orientale. Qytete të tëra të trojeve shqiptare, ashtu dhe në Bosnje, kanë ende një trashëgimi të pasur kulturore orientale, si xhami, kala, çarshi, hamame, shtëpi, rrugë me kalldrëme, zeje, zanate, literaturë etj. Mjafton vetëm që ne të edukojmë të rinjtë me dashurinë për këtë kulturë dhe trashëgimi të pasur që na kanë lënë të parët tanë. Duhet të edukojmë sa më shumë të rinj që të merren me studime mbi këtë trashëgimi dhe kulturë njësoj si me trashëgimitë dhe kulturat e tjera të botës ku jetojmë.
Trashëgimia jonë orientale ka qenë dhe është pasuria jonë, mos ta shkatërrojmë!

Dikur letërsia orientale përkthehej e lexohej me endje nga shqiptarët, por sot mungon përkthimi dhe botimi i asaj letërsie. Përse?

Bega: Meqenëse kemi qenë edhe ne pjesë e një superfuqie të madhe si Shteti Osman, përveç pushtetit politik, kemi qenë të “sunduar” edhe nga pushteti kulturor i Orientit. Shumë studiues perëndimorë gjithashtu kanë studiuar dhe studiojnë me ëndje letërsinë orientale, e cila është ndër më të pasurat e botës. Duke qenë se Shteti Osman ka mbajtur në gjirin e saj nacionalitete dhe fe të ndryshme, dhe shqiptarët, të inkuadruar në mënyrë aq të mrekullueshme në këtë shtet të madh, u njohën shumë me letërsinë orientale e cila më vonë u shfaq më gjerësisht dhe në shkallë më të madhe në letërsinë e ashtuquajtur “letërsia e bejtexhinjve”, të cilët shkruanin poezi në shqip me shkrim arabo-osman.
Pas rënies së Shtetit Osman, me ndarjen e Shqipërisë prej atij shteti dhe fitimit të mëvetësisë, si dhe latinizimit të gjuhës shqipe, atëherë letërsia orientale, arabe, perse dhe turke, nisi të përkthehet në gjuhën shqipe me shkronja latine. Populli ende ishte i lidhur me kulturën dhe qytetërimin oriental-islam, prandaj dhe letërsia orientale sigurisht që luante një rol të madh në mentalitetin e popullit shqiptar. Fillet e para të përkthimit të letërsisë orientale në gjuhën e sotme shqipe nisin që në fillim të shekullit XX. Të shumtë kanë qenë përkthyesit dhe autorët shqiptarë të cilët kanë përkthyer letërsi orientale, kryesisht nga origjinalët në gjuhën arabe, perse dhe turke, ku populli shqiptar ka qenë i etur për këtë letërsi.
Ndërkohë që komunizmi në Shqipëri krijoi një vakum tepër të madh në përkthimin dhe botimin e letërsisë orientale në shqip, në përgjithësi, në trojet e tjera shqiptare si në Kosovë e Maqedoni ka pasur tek-tuk disa përkthime të letërsisë orientale me një tirazh relativisht të madh, që nënkupton që shqiptarët ende ishin të interesuar për këtë letërsi.
Po të flasim për ditët e sotme, keni të drejtë të mendoni se letërsia orientale po gjen gjithmonë e shumë më pak njerëz të aftë për ta përkthyer dhe botuar atë, si dhe pak terren për ta lexuar. Mendoj se moderniteti ndërkombëtar ka hyrë relativisht dhe në mesin e shqiptarëve, duke u munduar të pengojë ose shfarrosë depërtimin sërish të letërsisë orientale tek ne. Por, kohët e fundit (e kam fjalën në përgjithësi pas vitit 1990), kam vënë re se si në Tiranë ashtu dhe në Prishtinë janë shtuar disa botime të përkthyera të letërsisë orientale, nga origjinalët në gjuhën arabe, turke dhe perse, si dhe nga gjuhë të treta në shqip, si nga frëngjishtja, rusishtja, anglishtja etj. Duket si një ogur i mirë, por shpresojmë të shtohen sa më shumë të tilla botime. Mendoj gjithashtu që duhet shtuar numri i studentëve që studiojnë në botën orientale për gjuhën dhe letërsinë arabe, turke e perse, nga ku mund të kontribuojnë në përkthimin e kësaj letërsie në gjuhën shqipe direkt nga gjuhët origjinale.

Padyshim që në gjithë këtë punë që bëni mungojnë edhe fondet. Si arrini t’i siguroni ato?

Bega: Vështirësitë për të punuar sot në fushën e studimeve orientale janë shumë të mëdha. Modernizimi po mundohet të humbasë traditat, zakonet, adetet etj., të ruajtura me fanatizëm deri vonë nga shqiptarët, prandaj dhe interesimi për të punuar në këtë fushë po bie ndjeshëm. Këto punë kërkojnë përkrahje nga institucione shtetërore dhe private, si dhe nga biznesmenë të ndryshëm të cilët ia dinë vlerën kësaj fushe studimi, e të financojnë për përhapjen e saj.
Qendra jonë, deri më sot, nuk ka arritur të sigurojë asnjë donator të mirëfilltë për objektivat e mëdha që i ka vënë vetes, as nga brenda e as nga jashtë shtetit, por falë Zotit në përgjithësi kemi pasur disa miq të cilët na kanë përkrahur në botimin e disa librave dhe ndonjë numri të revistës, bile pa kërkuar që t’u dalë as emri si donatorë. Shpresojmë që dashamirës të tillë të shtohen sa më shumë në të ardhmen.

Mund të na zbuloni për gazetën tonë disa nga planet për të ardhmen?

Bega: Projekte të qendrës kemi shumë, por ndër më të rëndësishmet që mendojmë të realizojmë këtë vit po përmendim disa. Në të ardhmen e afërt mendojmë të realizojmë: 1. Botimin e disa librave mbi orientalistikën, dhe një libër me poezi arabe nga poeti i famshëm arab Nizar Kabbani, të përkthyer ekskluzivisht nga origjinali arabisht; 2. Organizimin e një seminari për arritjet e studimeve orientale në Shqipëri deri më sot, si dhe një emision të posaçëm në TV për të njëjtën çështje; 3. Botimin e dy numrave të rinj të revistës “URA”.
Ndërsa në plan afatgjatë, një nga objektivat kryesore të qendrës sonë ka qenë këmbëngulja për të bërë të mundur hapjen e katedrës së studimeve orientale (orientalistikës) në Tiranë. Pas asaj në Prishtinë dhe Tetovë, vetëm Tirana ka ngelur pa një katedër të tillë. Shpresojmë që shteti shqiptar në të ardhmen të mendojë seriozisht në këtë aspekt.

Faleminderit për intervistën!
Intervistoi: Liridon KADRIU
Prishtinë, Prill 2012

*Shënim: Kjo intervistë e gjatë është botuar në dy pjesë në gazetën "Epoka e Re" në Prishtinë, më 17 dhe 18 Prill 2012.
Epoka e Re, 17 Prill 2012
Epoka e Re, 18 Prill 2012

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *