30 June 2011

Arnautët - Shqiptarët e (pa) njohur dhe të famshëm

Ermal BEGA*

ARNAUTËT
~ SHQIPTARËT E (PA) NJOHUR DHE TË FAMSHËM** ~

Ermal Bega
Shumë prej nesh kemi dëgjuar për arnautët ose shqiptarët që jetojnë në Orient, prej shumë shekujsh. Por, fatkeqësisht, pak ose shumë pak prej nesh janë të informuar mbi ta, jetën dhe traditat e tyre, ndikimin social të tyre në vendet ku jetojnë, kontributin e tyre në zhvillimin e vendit ku jetojnë etj.
Termi Arnaut është përdorur për herë të parë gjatë kohës së Shtetit Osman, ku shqiptarët njiheshin me emrin Arnaut ndërsa Shqipëria si Arnautluk.
Ka shumë teza të ndryshme në lidhje me origjinën e fjalës أرناؤوط (Arnaut), por do të duhej një artikull i veçantë për të diskutuar në lidhje me këtë temë.
Përdorimi i termit Arnaut për të përcaktuar origjinën shqiptare të një populli të caktuar në vendet orientale, u shtua në masë pas dobësimit dhe në fund rënies së Shtetit Osman, kur me daljen në skenë të nacionalizmit, popujt e ndryshëm brenda këtij shteti nisën të krijonin shtetet e tyre në baza etnike, fetare etj. Ndërkohë që për muslimanët shqiptarë në vendet orientale, të cilët nuk ishin brenda shtetit të ri të krijuar shqiptar, ndodhi dukuria e përvetësimit të emrit Arnaut për të treguar origjinën e tyre shqiptare.
Është e çuditshme, se përveç muslimanëve shqiptarë (që përbënin pjesën më të madhe të popullit shqiptar), këtë emër e përvetësuan edhe shqiptarët e krishterë, shumica e tyre katolikë, për të treguar origjinën e tyre shqiptare. Për shembull, përveç muslimanëve me origjinë shqiptare që gjenden në një numër të madh në Bosnje dhe Hercegovinë, Bullgari, Turqi, Siri, Jordani, Liban, Palestinë, Egjipt, Sudan, Jemen, Libi, Algjeri, Tunizi, Arabinë Saudite etj., mund të gjenden ende familje të tëra të krishtera me origjinë shqiptare, kryesisht në Liban, ku historia e tyre buron që nga emërimi i katolikut shqiptar Vaso Pasha, nga administrata e Perandorisë Osmane, si guvernator i Libanit, ku mori me vete edhe familje të krishtera shqiptare që vendosën të jetonin në Liban dhe të cilët ende edhe sot e kësaj dite mbajnë me respekt dhe nderim mbiemrin Arnaut, si term përcaktues të origjinës së tyre shqiptare. Sipas kërkimeve të fundit, kemi hasur edhe në disa familje të krishtera ortodokse të cilët jetojnë në Ukrainë, dhe mbajnë mbiemrin Arnaut.
Revista "URA", nr. 5
Ndërkohë që shumica e arnautëve (shqiptarëve) të cilët jetojnë në Orient mbajnë mbiemrin Arnaut për t’u dalluar si pjesë e kombit shqiptar, shumë familje të tjera në vende të ndryshme arabe dhe në Turqi mbajnë mbiemra të tjerë, shumë prej tyre me emra vendesh ose mbiemra familjesh të njohura në Shqipëri. Këtu mund të përmendim familjen Albani në Jordani, nga gjiri i së cilës ka dalë dhe dijetari i famshëm musliman shqiptar Nasiruddin Albani (nga Shkodra), dijetari tjetër musliman shqiptar i famshëm në botën islame Vehbi Sulejman Gavoçi (po nga Shkodra), etj. Ndër familjet të cilat mbajnë një mbiemër që ka lidhje me vendin e origjinës është familja e gjerë shqiptare me mbiemrin Shkodra në Liban.
Ndër personalitet më të njohur arnautë (shqiptarë) në botën orientale mund të përmendim: dijetarët muslimanë Abdulkadër Arnauti dhe Shuajb Arnauti, letrarët e famshëm me origjinë shqiptare Ma’ruf Arnauti dhe Dr. Abdulatif Arnauti, letrarin dhe historianin e njohur Dr. Muhamed Mufaku (Arnauti), poeten dhe shkrimtaren Aishe Arnauti, dijetarin tjetër musliman Nasiruddin Albani, nismëtarin për hapjen e shkollave për popullin e thjeshtë në Liban Nadim Arnauti, aktorin e njohur nga Damasku Jasin Arnauti, letrarin dhe mësuesin Shefqet Gavoçi etj. Përveç kësaj, shumica e shqiptarëve që jetojnë në Orient janë të edukuar mirë, me studime të larta dhe funksione të ndryshme dhe të larta në shoqëritë në të cilat jetojnë.
Në këtë kontekst, duke marrë parasysh rëndësinë dhe rolin e madh që kanë luajtur dhe luajnë shqiptarët në vendet orientale, redaksia e revistës kulturore-shkencore për studime orientale “URA” mendoi që këtë numër ekskluziv t’ia dedikojë pikërisht atyre, arnautëve.
Në lidhje me këtë, nuk mund të rrimë pa falënderuar të gjithë ata që kontribuuan sadopak dhe me gjithë dëshirë e vullnet për realizimin e kësaj vepre. Ata janë: autoret arnaute të shkrimeve ekskluzive për këtë numër të revistës, Nuha Arnauti, Ghina Arnauti dhe Elvedina Arnauti; autorët e tjerë që ndihmuan me artikuj ekskluzivë për këtë numër, Dr. Dritan Egro, Ledian Cikalleshi; përkthyeset Rezarta Saliaj, Suela Dibra, Armir Taraj dhe Ardita Kovaçi; intervistuesin nga Kajro, Indrit Lita e shumë të tjerë të cilët u përpoqën të na përkrahnin sipas mundësive.
Zoti ia shpërbleftë të gjithëve me të mira. Amin!

Ky artikull është botuar dhe në Gazetën Shqiptare (Suplementin "Milosao", Tiranë më 19 Shkurt 2012).
Gazeta Shqiptare, Suplementi "Milosao" - Arnautët


* Ermal Bega është Drejtori Ekzekutiv i “Qendra Shqiptare për Studime Orientale”, në Tiranë-Shqipëri.
** Ky artikull është marrë nga Hyrja e nr. 5 të revistës “URA”, Vjeshtë-Dimër 2010, që botohet në Tiranë - Numër ekskluziv për Arnautët (shqiptarët që jetojnë në Orient). Titulli është vendosur nga vetë autori i shkrimit.

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *