Ermal BEGA
KU PO SHKOJMË?!
Kur dikush pyetet në lidhje me pyetjen se ku po shkon kjo botë, njerëzit përgjigjen: Drejt Europës! - thotë njëri. Drejt perëndimit dhe Amerikës! - thotë tjetri. Nuk e di! - thotë i treti, duke ngritur supet. Këto janë disa nga përgjigjet (ose të themi më kryesoret) të cilat na i kthejnë njerëzit e thjeshtë, por edhe "intelektualët", të cilët në të vërtetë nuk e dinë se ku po shkojnë. Mund të duket absurde kjo që po them, por mua personalisht më duket se ne jemi duke shkuar në "Gropë - Europë" dhe në "Degradim - Perëndim."
Kur e pyetën një dijetar musliman se ç’mendon për përparimin perëndimor, ai tha: “Është e vërtetë që ju në perëndim keni bërë përparime të mëdha në shkencë, teknikë, ekonomi, teknologji etj., bile keni arritur që të shkoni dhe të ecni edhe në hënë, por ju nuk keni arritur ende që të ecni dhe të silleni si njerëz në tokë.”
Problemi më i madh për njerëzit është se ku do të përfundojnë dhe çfarë kanë ndërmend të realizojnë. Nëse njerëzit nuk janë të aftë që t’i përgjigjen vetëm tre pyetjeve në lidhje me jetën e tyre, atëherë vihet në dyshim qëllimi për të cilin janë krijuar. Do të doja që njerëzit të uleshin dhe të meditonin ndonjëherë rreth asaj se: 1) Cili është Krijuesi i kësaj gjithësie, i njeriut, dhe i asaj që gjendet në tokë dhe në hapësirë, 2) Cili është qëllimi i krijimit tonë si njerëz dhe i krijesave të tjera në këtë botë dhe, 3) Ku do të përfundojnë njerëzit (pas vdekjes)?! Këto pyetje ia bëj shumë njerëzve që i njoh, dhe në një rast, kur ia bëra një mikun tim të rastësishëm francez të njëjtat pyetje, iu drejtova në mënyrë direkte: Cili është qëllimi i jetës tënde, ai ngriti supet dhe më tha: "I don’t know!" - "Nuk e di!"
Nëse ne arrijmë që t’i përgjigjemi këtyre pyetjeve "elementare" të jetës, atëherë ne do të arrijmë që të njohim dhe vetë veten tonë.
Në kohët e sotme ka filluar të ndryshojë gjithçka dhe vazhdon që të ndryshojë sa hap e mbyll sytë.
Unë do të doja të dija disa gjëra për të cilat mendja ime është turbulluar shumë. Do të doja të dija, për shembull, se nga buroi ky "civilizim" dhe ku e kur do të përfundojë, sepse dihet se asnjë civilizim nuk ka qëndruar dhe nuk do të mbesë përjetësisht.
Në disa libra të mëhershëm kam lexuar një pyetje që shtrohej shpesh, që bënte fjalë se si u krijua rruzulli tokësor dhe se cili ishte qëllimi i krijimit të njeriut dhe i çdo gjëje që gjendet në natyrë. Kjo pyetje, në fakt, përfshin në vetvete edhe shumë pyetje të tjera: Si u krijuan lulet, bimët, njerëzit, detet, malet, etj.?
Hovi i madh i shkencës dhe teknologjisë në perëndim dhe përkrahja që iu dha atyre la pasoja shumë të mëdha në moralin dhe personalitetin e njeriut të sotëm perëndimor modern. Është një e vërtetë se nëse i pyesni njerëzit e sinqertë, pa dallime fetare, vendi ose race, do të merrni përgjigjen se perëndimorët janë duke shkuar në një degradim moral-psikologjik, familjar dhe shoqëror. Në të vërtetë, perëndimorët sot janë duke kërkuar një shteg ose rrugëdalje ku mund të dalin dhe të çlirohen nga ai pus i errët në të cilin e kanë futur veten. Për fat të keq, një pjesë e popujve të ndryshëm të botës janë duke kërkuar që të integrohen në mënyrën e jetesës së perëndimorëve, ndërsa në anën tjetër vetë perëndimorët kërkojnë që të çlirohen nga ai "burg". Ç‘gjë absurde!
Në Suedi, një nga vendet me standardin më të lartë jetësor në botë, shumë njerëz humbasin jetën e tyre çdo ditë duke bërë vetëvrasje të ndryshme. Pse e gjithë kjo? Kjo ndodh si pasojë e shfrytëzimit deri në maksimum të të gjitha të mirave materiale, duke mos u munguar asgjë dhe duke mos gjetur prehje në to. E njëjta gjë po ndodh dhe me vendet e tjera të cilat e përkrahin politikën dhe jetesën perëndimore. Por mua më çudit vetëm një gjë, ajo se cila është politika e vërtetë perëndimore dhe çfarë synon? Cilët janë ata të cilët e bëjnë ose e luajnë politikën perëndimore dhe botërore, ose të ashtuquajturin "Rendi i Ri Botëror?" Në të gjitha vendet ku përkrahet politika perëndimore dhe kultura e tyre shohim vetëm veprime të cilat nuk kanë aspak lidhje me natyrshmërinë e asaj krijese të quajtur NJERI.
Kur popuj të ndryshëm kërkojnë që të integrohen në Europë, ata mendojnë se me hyrjen në familjen e madhe europiane do të gjejnë "parajsën" tokësore, ku ndër të tjera do të kenë kufinjtë e hapur, tregtinë e lirë etj. Por, nga ana tjetër, do të humbasin identitetin e tyre kulturor dhe kombëtar, të krijuar nga vetë Krijuesi i tyre. Për fat të keq, këta popuj nuk e kanë kuptuar dhe nuk po e kuptojnë ende (ndoshta me qëllim) se luftrat më të mëdha në botë kanë ndodhur mu në zemër të asaj Europe në të cilën kombet e ndryshme kërkojnë që të antarësohen me çdo kusht. Edhe Franca me parrullën e saj të famshme ‘Liri-Barazi-Vëllazëri’, e cila u ngrit dhe mori hov të madh gjatë revolucionit francez të vitit 1789, nuk mundi të arrinte ndonjë sukses.
Vallë ku kanë gabuar njerëzit?! Ndoshta u ka munguar ndonjë gjë pa të cilën nuk mund të bënin asgjë, dhe nëpërmjet së cilës do të mund të gjenin prehjen dhe mbështetjen e kërkuar... atë shpirtërore?!
Çdo gjë në këtë botë është e lidhur ngushtë me gjendjen shpirtërore të njeriut. Pa shpirt njeriu do të ishte një krijesë e vdekur. Por ky shpirt ashtu si dhe trupi që ka nevojë të ushqehet me ushqim të mirë dhe pije të shëndetshme, ashtu si dhe mendja që ka nevojë të ushqehet me dituri dhe njohuri të dobishme, ashtu dhe shpirti ka nevojë që të ushqehet me besim të vërtetë hyjnor, me besim në një Allah (Zot), krijues i çdo gjëje dhe udhëzues i tyre.
Njeriu është i përbërë nga tre elemente kryesore të cilat janë: trupi (fiziku), mendja dhe shpirti. Nëse njeriut do t’i mungonte njëra nga këto tre komponente kryesore të tij, atëherë ai do të kishte diçka të mangët dhe në vetë krijimin e tij. Por, më e rëndësishmja nga këto elemente është shpirti, sepse njeriu po nuk pati shpirt është një krijesë e vdekur, të cilës nuk i hyjnë në punë pjesët e tjera që përmendëm.
Prandaj edhe Europa, edhe perëndimi, dhe e tërë bota, pa rikthimin në besimin në Zot, në fenë e Tij të vërtetë monoteiste dhe në besimin e zbritjes së një libri hyjnor i cili është udhëzues për njerëzit e mençur dhe sqarues i të vërtetës nga e pavërteta, do të vazhdojnë të kenë gjithmonë probleme të brendshme shpirtërore, psikike, morale dhe sociale.
Rreth kësaj teme është folur nga shumë dijetarë e studiues të ndryshëm, si të lindjes ashtu dhe të perëndimit; por ne bëmë tonën.
Do të doja ta mbyllja me një thënie të Hazreti Aliut r.a., ku thotë:
"Njeriu kur rron gjashtëdhjetë vjeç, gjysmën e jetës së tij ia ha nata, edhe gjysma e gjysmës së mbetur i shkon në fëmijëri dhe rini, dhe nuk e kupton. Një e treta e gjysmës është shpresa, lakmimi dhe mundimi për fitime dhe ushqime. Dhe ajo pjesë e jetës që i mbetet i kalon në sëmundje, pleqëri dhe vdekje. Por, po kërkoi njeriu një jetë të gjatë, është një padituri shumë e madhe, sepse jeta kështu ndahet sado e gjatë që të jetë."
Sa bukur thotë një vjershëtor persian:
"Ç’mund të bëjë njeriu me një jetë kaq të shkurtër? Sa mirë do të ishte që të kishte dy jetë: Njërën për mësim, dhe tjetrën për provë."
No comments:
Post a Comment