22 December 2008

Përkthyes të njohurive shkencore në Mesjetë





Dr. A. ZAHOOR


Që nga shekulli i dhjetë, epërsia intelektuale e arabëve muslimanë ishte e njohur në Evropë. I krishteri i parë që mori pishtarin ndriçues të të mësuarit ishte Papa Silvester II (Gerbert, 1003 i erës sonë). Ai përhapi astronominë dhe matematikën arabe, dhe vendosi shifrat arabe në vend të shifrave romake. Ai u ndoq nga shumë të tjerë, veçanërisht nga Costantinus Africanus, në shekullin e njëmbëdhjetë, dhe nga Peshkopi Rajmond në shekullin e dymbëdhjetë. Në fillimet e shekullit të njëmbëdhjetë Toledo u bë një qendër për përhapjen e kulturës dhe shkencës islame në Evropë. Një numër përkthyesish lulëzuan atje. Në mesin e dijetarëve, të cilët u mblodhën aty nga e gjithë Evropa, ishin edhe Gerardi i Kremonës (1117-1187) dhe Xhoni i Seviljes. Përkthyes të tjerë të famshëm ishin edhe Adelardi i Bathit, Roberti i Chester, Michael Skot, Stephenson i Saragozës, William i Lunis dhe Filipi i Tripolit. Përkthimet e para në fillim ishin në latinisht dhe disa në hebraisht. Përkthimet e mëpasme ishin bërë nga latinishtja ose hebraishtja në gjuhët amëtare të Evropës.
Shumë përkthyes në Toledo nuk kishin asnjë aftësi mbi gjuhën arabe dhe as njohuri të mjaftueshme të përmbajtjes së çështjes. Ata përkthenin fjalë për fjalë dhe kur nuk kuptonin ndonjë fjalë, e latinizonin fjalën arabe. Nën mbikqyrjen e kryedhjakut Domeniko Gundisalvi, dhe me bashkëpunimin e hebreut Johannes ben David, shkolla e kryepeshkopit të Toledos u shndërrua në latinizimin e një numri të madh të punimeve mbi shkencën dhe filozofinë.
Gerardi, i cili të sjell ndërmend Hunajn ibn Ishak të Toledos, përktheu në latinisht më shumë se shtatëdhjetë libra arabë mbi çështje të ndryshme. Ai u lind në vitin 1114 në Kremona, Itali. Ai u shpërngul në Toledo, Spanjë, për të mësuar arabisht në mënyrë që të mund të përkthente punimet e disponueshme arabe në latinisht. Gerardi qëndroi atje për gjithë pjesën e mbetur të jetës së tij dhe vdiq në vitin 1187 në Toledo, Spanjë (Andaluzi). Emri i Gerardit disa herë gjendet i shkruajtur si Gherard. Ndër përkthimet e tij ishin pjesa kirurgjike e Al-Zahravit (Albucasit), "Kitab al-Mansuri" i Al-Razit (Rhazes) dhe "Kanuni" i Ibn Sinas (Avicena), punimi i Benu Musas, komentimi i al-Birunit mbi al-Havarizmin (sipas të cilit nocioni "Algoritëm" është emërtuar), tabelat e Xhabir bin Aflah dhe Zarkalit. Xhoni i Seviljes nën përkrahjen e Rajmondit përktheu punime të ndryshme të Avicenës, Kusta Ibn Luka dhe al-Faraghni.
Gundisalvi përktheu Kitab al-Nafs (Shpirti), Kitab al-Shifa (Mjaftueshmëria) të Ibn Sinas, al-Kullijat (Kolegjet) të komentimit të Ibn Ruzhdit (Averroes) mbi të. Italiani Plato i Tivolit, Michael Skotus, Roberti i Chester dhe Hermanus Allemanus (Teutonicus) ishin përkthyes të tjerë të famshëm të shekullit të trembëdhjetë. Ata lulëzuan në Tarrangona, Leon, Segovia, Pamplona, dhe qytete të tjera të veriut të Spanjës. Në këtë mënyrë mësimi arabo-spanjoll depërtoi nëpër të gjithë Evropën. Ai kaloi nga portat e Toledos përmes Provencës dhe Alpeve në Lorrains, Gjermani, Evropën Qendrore dhe Angli.
Adelardi i Bathit ishte i pari i serisë së gjatë të dijetarëve arabë të Anglisë i cili udhëtoi shumë në kërkim të librave arabë. Adelardi u lind në vitin 1075 në Bath, Angli. Ai studioi dhe mësoi në Francë dhe vizitoi Sirinë, Sicilinë dhe Spanjën para kthimit në Bath. Ai u bë një mësues i mbretit të ardhshëm Henri II. Adelardi vdiq në vitin 1160. Ai përktheu punime të ndryshme mbi matematikën dhe astronominë. Ndërmjet punimeve më të rëndësishme që ai përktheu ishin edhe Tabelat Astronomike të al-Maxhritit (1126). Adelardi bëri një përkthim latinisht të "Elementeve" të Euklidit nga burimet islame. Ai gjithashtu përktheu tabelat e al-Harizmit dhe punime të tjera mbi numëratorin me rruaza dhe astrolabin. "Quaestiones naturals" e tij përbëhet nga 76 shqyrtime shkencore që rrjedhin nga shkencat islame.
Sicilia dhe Spanja ishin portat kryesore të përhapjes së civilizimit arab (islam) në Evropë. Dy "sulltanët e pagëzuar" të Sicilisë, Roxheri II dhe Frederiku II, ishin mbrojtësit e kulturës dhe mësimit arab (prania islame në Sicili nisi në vitin 827 të erës sonë, dhe ata (muslimanët) e sunduan për më shumë se 250 vjet, duke përfunduar në vitin 1091 të erës sonë). Nga Sicilia frytet e shkencës dhe kulturës islame u përhapën nëpër Itali përmes Alpeve, Lotharingias (Lorraine), Liege, Gorze dhe Cologne. Porta tjetër ishte Spanja përmes së cilës ajo depërtoi ngadalë përtej Pirenejve në Francën perëndimore dhe jug-perëndimore.
Disa orientalistë evropianë si Mirabilis, pas përfundimit të udhëtimeve në vendet islame, ishin kaq të impresionuar saqë pas kthimit të tyre në shtëpi i nxitën studentët e tyre që të lënë shkollat e tyre evropiane për të shkuar në ato arabe dhe kjo i dha rezultate të dobishme. Në fillim të shekullit të trembëdhjetë, Evropa e krishterë ishte duke mësuar mjekësinë, matematikën, fizikën, kiminë dhe astronominë nëpërmjet studentëve të kthyer ne shtëpi nga universitetet e Kordovës, Toledos, Seviljes dhe Granadës.
Kostantin Afrikani, udhëtoi për tridhjetë vite nëpër vendet islame dhe studioi me mësues arabë (muslimanë). Ai përktheu punime të ndryshme arabe në latinisht. Kostantini organizoi shkollën e parë mjekësore në Salerno. Kjo u pasua me hapjen e shkollave në Montpellier dhe Paris. Duke ditur se të gjitha punimet shkencore ishin shkruajtur në arabisht, disa universitete dhe shkolla evropiane, duke përfshirë edhe ato në Toledo, Narbonne, Napoli, Bolonja dhe Paris, mësuan arabisht për të shpejtuar transmetimin e njohurive arabe (islame).



Përktheu nga anglishtja:
Ermal BEGA

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *