02 November 2010

Kur'ani, Dituria dhe Shkenca

A. ABD-ALLAH

KUR'ANI, DITURIA DHE SHKENCA

Përshkrimi i diturisë në Kur'an dhe nga Profeti (s.a.v.s)

Gjenden dëshmi të shumta për diturinë dhe për kërkimin e diturisë në Kur'an. Ndjenja e përgjithshme që ato lënë te lexuesi është se poseduesit të diturisë ose njohurisë i është dhënë një dhuratë shumë e fuqishme, dhe se kërkimi i diturisë është diçka e cila duhet të veprohet në mënyrë aktive nga çdonjëri. Këtu po japim disa ajete mbi këtë çështje:
“Lexo! Në emër të Zotit tënd i cili krijoi (çdo gjë) - E krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur. Lexo! Se Zoti yt është më Bujari - Ai që e mësoi njeriun të shkruaj me pendë. I mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (96:1-5)
Këto pesë ajete përbëjnë hapin e parë të treguar nga Kur'ani për njerëzit përmes profetit Muhammed (s.a.v.s). Është interesante se prej të gjithave gjërave që Allahu zgjodhi që të niste shpalljen e Tij është ajo që ka të bëjë me veprimin e leximit dhe shkrimit. Aftësia për të shkruar dhe për të ruajtur informacionin është përshkruar nga profesor Karl Sagan në librin e tij "Kozmosi": Shkrimi është ndoshta shpikja më e madhe njerëzore, duke lidhur njerëz së bashku, të epokave të largëta, të cilët asnjëherë nuk e kanë njohur njëri-tjetrin. Librat i këpusin prangat e kohës, provojnë se njerëzit mund të bëjnë magji."
“Ai (Allahu) i dhuron dituri atij që do, e atij që i është dhënë dituri, atij i është dhuruar një mirësi e madhe. Por këtë nuk e kupton askush tjetër përveç të mençurve.” (2:269)
“I lartë është Allahu, Sundimtari i vërtetë. Ti mos u nxito me Kur'anin para se të përfundojë shpallja e tij te ti, dhe thuaj: "O Zoti im, ma shto diturinë." (20:114)
Me të vërtetë në krijimin e qiejve dhe të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës - ka argumente të qarta për ata që janë të mençur. Për ata që e përmendin Allahun kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve dhe te tokës (duke thënë): "O Zoti ynë! Këto nuk i krijove kot. Lavdërimi të qoftë Ty! Na ruaj nga dënimi i zjarrit!" (3:190-191)
Ajetet e mësipërme (190-191) aludojnë fuqishëm se të "medituarit" për botën rreth nesh është një pjesë përbërëse e besimit.
“Thuaj: Udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni se si filloi krijimi; pastaj Allahu e fillon krijesën tjetër (ringjalljen). Me të vërtetë Allahu ka fuqi për çdo gjë.” (29:20)
Këto gjithashtu janë referenca nga Kur'ani që përshkruajnë vlerën e njeriut të ditur në kundërshtim me njeriun e paditur. Ata nuk janë të barabartë:
“Thuaj: "A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë"? Por, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.” (39:9)
“...Allahu do t'i ngrejë në shkallë të lartë ata që besuan prej jush, do t'i lartësojë në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri.” (58:11)
Burimi i parë i Islamit është Kur'ani - dhe më lart ne pamë disa ajete mbi çështjen e diturisë. Burimi i dytë është jeta e profetit Muhammed (s.a.v.s). Këtu po japim disa thëniet e profetit mbi çështjen e diturisë:
"Kur Allahu ia do të mirën ndonjë njeriu, Ai i dhuron diturinë e fesë." Buhariu dhe Muslimi.
"Njeriut të cilit shkon në rrugën për të fituar dituri, Allahu do t'ia lehtësojë rrugën për në Xhenet." Muslimi.

Marrëdhëniet mes Kur'anit dhe Shkencës Moderne

Teoria moderne shkencore e sotme e gjen veten e saj krejtësisht të afërt me Kur'anin. Gjenden të paktën dy arsye prapa këtij vrojtimi. E para është mungesa e mospajtimeve mes Kur'anit dhe fenomeneve natyrore të dallueshme. Shkenca nuk ka qenë e aftë që të prodhojë teori ose eksperimente qe janë në kontradiktë me parimet bazë të Kur'anit. Vetë Kur'ani është i vërtetë për të gjitha kohërat.
Arsyeja e dytë për të shënuar harmoninë midis Kur'anit dhe shkencës është prania në vetë Kur'anin e nxitjes shumë të qartë dhe pozitive për të soditur dhe studiuar botën rreth nesh.
Sidoqoftë, Kur'ani shkon përtej nxitjeve të thjeshta që të gjitha qeniet njerëzore të jenë në dijeni të botës natyrale. Ai gjithashtu përmban referenca të përhapura shumë në një sërë çështjesh të cilat nuk janë të sakta shkencërisht. Për muslimanët të cilët i lexojnë dhe i kuptojnë këto referenca, ato shërbejnë sigurisht për të forcuar besimin e tij ose të saj. Për jomuslimanët të cilët pyesin për autenticitetin dhe autorësinë e Kur'anit, këto referenca japin përgjigje interesante. Një arsye e mundshme për këto ajete kur'anore të cilat përshkruajnë botën natyrale mund të gjendet në ajetin më poshtë:
“Ne do t'ju bëjmë të mundshme atyre që të shohin Argumentet Tona në horizonte dhe në vetet e tyre, derisa t'u bëhet e qartë se ai (Kur'ani) është i Vërtetë...” (41:53)
Ngjarja historike për të cilën bën fjalë ky ajet është pushtimi i Mekës. Megjithatë, pothuajse çdo ajet në Kur'an përmban një kuptim historik dhe universal, dhe për këtë arsye një interpretim i mundshëm i këtij ajeti është se ai i referohet zbulimit gradual të "dëshmisë" më të madhe natyrale të Krijuesit në botën tonë. Dy nga qëllimet më të rëndësishme dhe më magjepsëse të shkencës moderne janë që të shikojnë larg e më larg jashtë universit dhe të shikojnë thellë e më thellë në strukturën e trupit të njeriut. Dhe pikërisht në këto dy fusha ne gjejmë "Shenjën" më të fortë të fuqisë krijuese të Allahut.

Një përzgjedhje e ajeteve kur'anore që komentojnë mbi botën natyrale

A - Mbi procesin në zhvillim të krijimit

“...Dhe Ai krijoi çfarë ju (tani) nuk i dini...” (16:8)
“...Allahu krijon çfarë të dojë...”

Këto dy ajete, ndërmjet të tjerave, tregojnë se Allahu nuk e ka mbaruar krijimin, përkundrazi, ai është një proces i vazhdueshëm. Kjo është shumë domethënëse duke gjykuar nga një pikëpamje shkencore sepse ne dalëngadalë po fillojmë të vrojtojmë dhe të kuptojmë disa fenomene natyrale të cilat janë ende në një proces të formimit. Një shembull kryesor është vrojtimi ynë i galaktikave ende të panjohura nga shtëllunga të mëdha të mjegullnajave. Një shembull tjetër është evolucioni i specieve, i cili është një dëshmi e dytë për format e jetës së çuditshme dhe magjepsëse të shndërruar në fosile. Këta dy shembuj janë pikërisht maja e asbergut; citati në vazhdim nga libri "Plani Kozmik" i fizikanit Paul Davies nënvizon rritjen e vetëdijshme të krijimit të vazhdueshëm:
"Një numër gjithnjë e më shumë i shkencëtarëve dhe shkrimtarëve ka filluar të kuptojnë se aftësia e botës fizike për të organizuar veten e saj të përbërë, dhe shumë të thellë misterioze, është tipar i universit. Fakti se natyra ka fuqi krijuese, dhe është e aftë që të prodhojë një sërë progresiviteti të pasur të formave dhe të strukturave të ndërlikuara, sfidoi themelin e fortë të shkencës bashkëkohore. Enigma më e madhe e kozmologjisë, shkruan Karl Popper, filozof i mirënjohur, mund të jetë ajo se universi është, në një kuptim, krijues."

B - Mbi ndotjen dhe gërryerjen e burimeve natyrale

“Për shkak të veprave të këqija të njerëzve, në tokë dhe në det janë shfaqur të zeza, e për ta përjetuar ata një pjesë të asaj së keqeje që e bënë, ashtu që të tërhiqën (pendohen) nga të këqijat.” (30:41)
“O bijtë e Ademit! Vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini dhe mos e teproni, sepse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë.” (7:31)

Rëndësia e të kuptuarit të pasojave ekologjike të veprimeve tona si individë ose si shoqëri nuk ishte vlerësuar plotësisht deri në shekullin e njëzetë. Tani ne kuptojmë që nuk mundemi ta ndryshojmë fytyrën e rrëmujshme të tokës pa paguar disa ndëshkime, të cilat mund të jenë shkatërrimtare. Ne gjithashtu kuptojmë se paralajmërimi (maturia) duhet zbatuar në mënyrë globale, jo vetëm lokalisht por me të vërtetë "mbi tokë dhe mbi det". Megjithatë vetëdija ekologjike nuk nënkupton asketizëm. Sipas Kur'anit, ne nuk jemi të ndaluar që të kujdesemi për kënaqësinë në këtë jetë, mirëpo ne jemi të ndaluar nga harxhimet e panevojshme të pasurisë.

C - Mbi natyrën e dyfishtë të hekurit

“...Ne e zbritëm edhe hekurin që në të ka forcë të fortë dhe dobi për njerëz...” (57:25)

Hekuri është një nga dy metalet që gjenden më së tepërmi në tokë (tjetri është alumini). Ai ishte i njohur nga shumë qytetërime antike, dhe është metali më i rëndësishëm që ne e përdorim sot. Përshkrimi i përgjithshëm i tij në Kur'an ishte i saktë në kohën e njerëzve të lashtë, edhe bile më tepër sot: hekuri është bazë për shumë armë të luftës dhe për shumë vegla të përditshme me të cilat punojmë.

D - Mbi origjinën e jetës në ujë

“...dhe Ne e bëmë ujin bazë të jetës së çdo sendi... (21:30)
Allahu e krijoi secilën gjallesë prej ujit... (24:45)

Teoria moderne shkencore mbi origjinën e jetës nuk ishte provuar në mënyrë të vendosur deri në dy ose tre shekujt e fundit. Përpara kësaj, teoria mbizotëruese mbi origjinën e jetës ishte bazuar mbi një koncept të quajtur "gjenerata spontane", ku krijesa të gjalla në kuptimin e plotë të fjalës ishin nxjerrë jashtë çështjes së pajetë spontanisht dhe në mënyrë të vazhdueshme. Ky mendim ishte zhvlerësuar me punën e shumë shkencëtarëve të Rilindjes, duke përfshirë edhe Harvin dhe Redin, dhe në vitin 1950, kërkimi i Lui Pasterit mbi bakteriologjinë vendosi vulën mbi këtë teori. Duke filluar qysh me punën e Huxley (Hukslit) e deri më sot, një teori alternative është propozuar se jeta është më e nënkuptueshme që të jetë e dukshme për një kohë të gjatë, vargje gjithnjë e më shumë të ndërlikuara të rrezatimeve ultravioletë:
"...besohet se format e hershme të jetës janë zhvilluar në oqeane ose pellgje uji... Kjo të lë të kuptosh se kolonizimi i vendit, rreth 425.000.000 vjet më parë, ishte i mundur vetëm sepse atëherë kishte ozon të mjaftueshëm të krijuar për të mbrojtur për të parën herë sipërfaqen nga drita ultravioletë."
Ideja e origjinës së jetës në oqeane është vërtetuar nga dy ajetet kur'anore të cituara më lart.
Është e rëndësishme që të shënohet se Kur'ani nuk përmban ndonjë përkrahje të veçantë për evolucionin. Megjithatë ajetet e cituara më sipër tregojnë përtej çdo dyshimi se Allahu i krijoi të gjitha sendet e gjalla nga uji. Gjenden edhe shumë ajete të tjera të cilat tregojnë fuqinë e Tij absolute mbi çdo gjë.

"...Ai (Allahu) ka mundësi për çdo gjë." (41:39)
“...Kur Ai vendos për një cështje, vetëm i thotë: Bëhu! Ajo menjëherë bëhet.”

E - Mbi shumëllojshmërinë e njerëzimit

“Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve dhe i tokës, ndryshimi i gjuhëve tuaja dhe i ngjyrave tuaja. Në këtë ka argumente për njerëzit.” (30:22)
“O ju njerëz, ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju ndamë në popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Nuk ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi prej jush është ai që ruhet më së shumti nga të këqijat...” (49:13)

Dallimet raciale dhe gjuhësore mes njerëzve nuk e kanë kuptimin si arsye për të diskriminuar. Allahu thjesht e paraqet këtë ndryshim si një pjesë të fuqisë krijuese të Tij, dhe Ai nuk e dallon ndonjë racë si qenie natyrale më të lart se të tjerat. Përmendja në ajetin 49:31, në të vërtetë, bën fjalë për të mësuarit e komunikimit me njëri-tjetrin.

F - Mbi ciklin ujor

Shumica prej nesh janë njohur me ciklin ujor që në klasat e shkollës fillore, ku ne mësojmë se si avullon një pikë uji, pastaj bëhet një pikë shiu, dhe më në fund kthehet në det nëpërmjet lumenjve ose kanaleve nëntokësore. Njeriu i parë në kohët moderne i cili e kuptoi këtë proces ishte Bernard Palissy, i cili e përshkroi atë me saktësi në vitin 1580. Përpara tij, shumë prej dijetarëve të Greqisë antike dhe të Romës kishin teori të ndryshme jokomplete ose jokorrekte mbi ciklin ujor.
Kur'ani nuk jep ndonjë përshkrim të plotë të ciklit ujor nga fillimi në fund, por sidoqoftë aty janë disa referenca precize për etapat specifike. Ndoshta më magjepsëset e këtyre referencave janë dy ajetet e mëposhtme mbi retë e shiut:
“Allahu është Ai që i lëshon erërat, e ato i lëkundin retë dhe Ai i shtrinë lart si të dojë, i bën ato edhe të ndara në pjesë, dhe përmes tyre e sheh se si bie shi...” (30:48)
“A nuk e ke parë se si Allahu i drejton retë me forcë, pastaj i bashkon, i bën grumbull ato dhe atëherë e sheh shiun se si rrjedh prej tyre? Ai lëshon prej së larti, nga retë e mëdha si kodra breshër dhe me të godet kë të dojë, e ia largon atij që do. Shkëlqimi i vetëtimës gati sa nuk të merr të parit.” (24:43)
 Dy ajetet e mësipërme përshkruajnë fazat gjatë formimit të reve të shiut. Një vështrim i afërt i këtyre dy ajeteve tregon se ato kanë të bëjnë me dy fenomene të ndryshme, njëri me "shpërndarjen" e reve dhe tjetri me "bashkimin" e tyre, dy procese të ndryshme nga të cilat mund të formohen retë e shiut.
Meteorologjia moderne ka arritur në këtë konkluzion të vërtetë brenda dy shekujve të fundit. Janë dy tipe resh të cilat mund të prodhojnë rreshje shiu, dhe janë klasifikuar sipas trajtave të tyre: re shtresore dhe re grumbullore. Ajeti i parë më sipër mbi retë e shiut (30:48) përmbledh me saktësi formimin e reve të shiut. Sot është e njohur se këto tipe të reve kanë nisur gjatë kushteve graduale, erërave të ngritura:
"...e pastaj ato (erërat) lëkundin retë..." (30:48)
Pastaj, reja zë vendin e trajtës së veçantë të saj, atë të një reje shtresore:
"...dhe Ai i shtrin ato..." (30:48)
Nëse kushtet janë të përshtatshme (d.m.th. temperaturë e ulët e mjaftueshme, lagështi (e ajrit) e lartë e mjaftueshme, etj.), pikëzat e resë kondensohen më tej në pikëza (të mëdha) shiu dhe ne e vërejmë këtë efekt nga toka si një errësim të resë shtresore:
"...dhe i errëson ato..." (30:48)
Më në fund, pikat e shiut bien nga retë.
"...dhe përmes tyre e shikon se si bie shi..." (30:48)
Tipi i dytë i reve është ai i reve grumbullore. Ajeti i dytë më sipër mbi retë e shiut (24:43) përshkruan formimin e reve grumbullore të shiut. Këto re janë formuar gjatë kushteve të rrymave të forta të ajrit (burimeve termike) dhe rrymave të ulëta të ajrit:
"...i drejton retë me forcë..." (24:43)
Sikurse fryrjet e formave të reve, ato mund të bashkohen në një re gjigande të vetme:
"...pastaj i bashkon, i bën grumbull ato..." (24:43)
Në këtë çast, dhe një grumbull resh është formuar, ku secila prej tyre mund të prodhojë shi. Pjesa tjetër e ajetit është e zbatueshme në rastin e një grumbulli resh (e cila është e njohur nga ne si reja me shtrëngatë shumë të madhe).
Nëse reja grumbull merr proporcione të gjera vertikale, pastaj ajo mund të duket nga vëzhguesi i terrenit si një mal ose kodër e stërmadhe, por, çka është më e rëndësishme, duke u zgjeruar lart në atmosferë, pikat e ujit të resë së sipërme mund të ngrijnë dhe në këtë mënyrë formohet breshëri:
"...dhe Ai lëshon prej së larti breshër, nga retë e mëdha si kodra..." (24:43)
Më në fund, retë shpërndarëse (d.m.th. stuhia me shi dhe vetëtima) mund të kenë një karakteristikë të fundit të gjallë: vetëtimën:
"...Shkëlqimi i vetëtimës së dritës së resë gati sa nuk të merr të parët." (24:43)
Ajete të tjera kur'anore kanë të bëjnë me më shumë etapa të ciklit ujor.
“Ne lëshuam me masë ujë nga qielli dhe atë e përqendrojmë në tokë. Por Ne kemi mundësi edhe që ta humbim atë (ujin).” (23:18)
Ky është një ajet i vetëm që tregon se shiu ka rënë në tokë dhe në fund do të largohet (do të thahet).
“Ai e lëshon ujin (shiun) nga qielli, dhe pastaj burojnë lumenjtë, secili sipas madhësisë së vet…” (13:17)
“A nuk e sheh se Allahu lëshon ujë nga qielli dhe atë e shpërndan në tokë?...” (39:21)
Dy metodat sipas së cilave largohet shiu i rënë janë treguar këtu: në sipërfaqen e tokës dhe në lumenjtë.
Gjenden të dhëna të tjera në Kur'an që flasin për ciklin ujor ( p.sh. 40:13, 23:18, 25:48, 29:63, dhe të tjera), dhe të gjitha ato kanë të njëjtën vlerë me ato të përmendura më herët: zbulimet shkencore moderne janë plotësisht të pajtueshme me to.
Një numër i vogël i ajeteve të tjera gjithashtu bëjnë fjalë për ujin, por në një kontekst paksa të ndryshëm. Ato nuk janë të afërta në numër me ajetet mbi ciklin ujor.
“A e shihni ujin që po e pini? Ju e lëshoni atë prej reve, apo e lëshojmë Ne?” (56:68-69)
Kjo pyetje retorike thekson paaftësinë tonë për të përmbushur një nga ëndrrat tona më të vjetra: kontrollimin e shiut. Fakti është se ne nuk mund ta bëjmë atë të bierë veçse nëse ndonjë re ekzistuese është afër - dhe pastaj vetëm në kushte të përshtatshme, bile edhe atëherë ne nuk jemi të sigurtë për sukses. Reja duhet të ketë përmasa të ndryshme të pjesësave të resë, përqindje të lartë të kondensimit nga ajri i ngjitur, dhe zhvillim të mirë vertikal. Nëse të gjitha këto karakteristika janë prezente atëherë ne mund të zhvasim më shumë shi përmes bërthamës së resë dhe teknikave të tjera të ndryshme. Megjithatë, meteorologët modernë janë të pasigurtë për efektshmërinë e saj. Sidoqoftë, është prezenca e kushteve paraprake mbi të cilat ne nuk kemi kontroll, dhe kjo së fundi na ndalon neve nga të zbriturit e ujit nga ndonjë re në formë të shiut.
Ajeti vijues përshkruan një cilësi të lumenjve të mëdhenj:
“Ai i la të lirë të bashkohen dy dete, njëri i pijshëm e i shijshëm, tjetri i njelmët dhe i idhët, dhe në mes tyre bëri një pengesë, në mënyrë që të mos përzihen.” (25:53)
Një përshkrim i grykëderdhjeve të lumenjve të mëdhenj është ofruar nga ajeti më lart. Këto grykëderdhje relativisht janë të papërdorshme sepse dalja e ujit të freskët të lumenjve nuk përzihet menjëherë me ujin e kripur të detit në të cilin derdhet lumi. Më qartë, uji i freskët depërton thellë në ujin e kripur para se të ndodhë ndonjë përzierje, larg nga goja (gryka) e lumit. Lumenjtë e vegjël nuk e kanë këtë cilësi.

G - Mbi Zhvillimin Embrional dhe Fetal të Njeriut

Kur'ani përmban një sasi të madhe informacioni mbi zhvillimin e embrionit dhe fetusit të njeriut, veçanërisht të parën. Para se të paraqesim këtë informacion, do të ishte e dobishme që të jepnim një skicë të shkurtër të zhvillimit të njeriut në mitër ashtu siç e kupton shkenca moderne.
1. Një vezë e pafekonduar është prodhuar nga një femër, dhe më pas është vendosur në kanalin e saj Fallopian
2. Mashkulli kryen marrëdhënie me femrën, dhe një qelizë e vetme e spermës e fekondon vezën
3. Veza e fekonduar futet brenda në mitër, dhe bashkohet me murin e mitrës
4. Zhvillimi embriologjik (afërsisht 3 muaj)
5. Zhvillimi fetal (afërsisht 6 muaj)
6. Lindja
Ne do të shqyrtojmë disa nga këto etapa në detaje të mëdha si ajetet e kërkuara në Kur'an. Së pari po japim dy ajete të cilat japin një vështrim të përgjithshëm të zhvillimit njerëzor:
“Dhe Ai ju krijoi në disa etapa.” (71:14)
“Allahu ju krijoi juve prej dheu, pastaj prej një pike uji...” (35:11)
Ajeti i parë është shumë i përgjithshëm, dhe përshkruan me saktësi krijimin tonë në etapa. Ajeti i dytë na jep disa pamje mbi tërë çështjen: se si u krijua njeriu nga dheu (Ademi a.s.), dhe pastaj nga një pikë uji.
Janë të paktën katër detaje specifike që merren me zhvillimin njerëzor në Kur'an, që shkenca moderne i ka zbuluar vetëm në shekujt e fundit, dhe në disa raste vetëm në shekullin e fundit (shekullin XX). I pari merret me lëshimin e spermës:
“A nuk ka qenë ai një pikë uji që derdhet?” (75:37)
Pavarësisht nga sasia e madhe e lëngut i cili mund të prodhohet nga një njeri gjatë marrëdhënieve seksuale, ky ajet thekson se vetëm një pikë e vogël e tij është e nevojshme.
Detaji i dytë i rëndësishëm në Kur'an mbi zhvillimin njerëzor është përshkrimi i fekondimit të lëngut (d.m.th. spermës):
“Ai (njeriu) është krijuar nga një pikë uji që hidhet fuqishëm.” (86:6)
“Ne e krijuam njeriun prej një pike uji të përzier...” (76:2)
Pastaj bëri që pasardhësit e tij të rrjedhin nga një pikë uji e dobët.” (32:8)
Ajeti i dytë dhe i tretë kanë të bëjnë me përmbajtjen e spermës. Shkenca moderne ka vërtetuar se sperma në fakt është një përbërje e sekrecioneve të ndryshme të cilat rrjedhin nga katër gjendra të ndryshme gjatë derdhjes së spermës: testikujve, fshikëzat e farës, gjendra e prostatës, dhe gjendra e aparatit urinar. Qelizat e vërteta të spermës vijnë nga testikulat; tre gjendrat e tjera nuk prodhojnë faktorë fekondues. Kur'ani shkon më larg dhe na informon se sperma është një përzierje e lëngjeve. Ai (Kur'ani) na thotë neve në (32:8) se vetëm "një pikë uji" i lëngut është i nevojshëm. Fjala arabe për "një pikë uji" në këtë ajet do të thotë të shkëputësh më të përkryerën e më të pastërtën e diçkaje. Shifrat tregojnë historinë: një derdhje normale e spermës prej 3 ml. lëng përmban mes 120.000.000 dhe 150.000.000 qeliza sperme. Prej këtyre qelizave, vetëm njëra e fekondon vezën të femra, dhe kjo është pika e cila përmendet në (32:8).
Detaji i tretë i zhvillimit njerëzor përmendet në Kur'an në lidhje me vezën e fekonduar rishtas:
“A nuk ka qenë ai (njeriu) një pikë uji që derdhet? E pastaj u bë gjak i trashë...” (75:37-38)
Vrojtimet e fundit të vezës së fekonduar në mitër kanë zbuluar se veza në të vërtetë futet vetë në murin e mitrës. Ai "ngjitet" në një formë të çuditshme dhe ai mbetet kështu në fazën e hershme të zhvillimit.
Në fund, Kur'ani na jep një shpjegim magjepsës të zhvillimit embriologjik (në tre muajt e parë) në ajetet pasardhëse (disa fjalë janë transkiptuar direkt nga arabishtja):
“...Ne atë pikë uji e bëmë Alakah (copë gjaku), a atë Alakah e shndërruam në Mudgah (në copë mishi), pastaj e shndërruam në Idhaam (eshtra), dhe Idhaam-in e mbuluam me mish, pastaj atë e bëmë një krijesë tjetër (me shpirt).” (23:14)
“...Ne ju krijuam juve nga dheu, pastaj nga uji, pastaj nga një gjak i ngjizur (Mudgah), pjesërisht të formuar dhe pjesërisht të paformuar...” (22:5)
Ajeti (23:14) e ndan zhvillimin embriologjik në katër faza. Faza e parë bën fjalë saktësisht për periudhën pas fekondimit ("pika e ujit"), dhe është karakterizuar nga një Alakah ose "copë gjaku" e cila përshkruan se si veza futet vetë në mitër (shih më lart). Faza e dytë përshkruan embrionin se si zhvillohet në një Mudgah që do të thotë diçka e përtypur (copë mishi). Kjo dukje e përshkrimit të papërpunuar është në të vërtetë krejtësisht e saktë: pasi veza e fekonduar futet në mitër, ajo fillon të marrë lëndët e para ushqyese dhe energjinë nga nëna e saj. Si pasojë, ajo fillon të rritet me shpejtësi të posaçme, dhe pas një jave ose dy ajo duket me sy të lirë si një pjesë e ngrënë e mishit. Kjo është rritur si pasojë e zhvillimit të sythave dhe thepave të vogla të cilat do të rriten më vonë si organe dhe gjymtyrë të plota.
Dy fazat e tjera të përshkruara në ajetin (23:14) flasin për krijimin e eshtrave nga Mudgah, e pasuar nga mbështjellja e eshtrave me mish ose muskuj. Nëse ne e ndjekim progresin e embrionit me sytë tanë do të shohim, pas përafërsisht katër javësh, një proces të quajtur "ndryshimi i qenies", ku grupet e qelizave brenda embrionit e transformojnë veten e tyre në formën e caktuar të organeve të gjera. Një nga strukturat e hershme të zhvillimit në këtë fazë është baza kërcore e skeletit njerëzor. Pastaj është pasuar nga dukja e një bartësi ose organeve të tjera duke përfshirë muskujt, veshët, sytë, veshkat, zemrën, dhe të tjera. Ajeti (23:14) përfundon me shndërrimin e organizmit në mitër, që pason me lindjen e tij.
Ajeti (22:5) përfshin edhe një shënim interesant mbi embrionin. Në këtë ajet, Mudgah është përkufizuar me frazën:
"...pjesërisht të formuar dhe pjesërisht të paformuar."
Siç u përmend më sipër, vrojtimet tona moderne mbi zhvillimin embriologjik treguan se si struktura dhe organe të ndryshme zhvillohen njëra pas tjetrës përmes ndryshimeve. Kjo na jep një burim të situatave të pazakonshme kur embrioni është formuar çregullisht (p.sh. me mushkëri por pa veshë).

H - Mbi kozmologjinë

Prej të gjithave dëshmive të Kur'anit mbi çështjet shkencore, më të shumtat janë mbi krijimin dhe strukturën e universit dhe të tokës. Kjo fushë është veçuar në disa ajete të ndryshme si ajo më poshtë, si një shembull i fuqisë krijuese të Allahut:
“Për besimtarët ekzistojnë argumente në qiej dhe në tokë.” (45:3)
Për më shumë shpjegime të detajuara të Kur'anit dhe kozmologjisë (dhe shkencës në përgjithësi), lexuesve të interesuar do t'ju konsideroja që të lexonin librin e Maurice Bucaille "Bibla, Kur'ani, dhe Shkenca." Më poshtë po japim një përmbledhje të shkurtër të disa prej ajeteve më të fuqishme.
I pari, një ajet i cili bën një shënim të vogël në lidhje me moshën e njerëzimit përsa i përket universit:
“Vërtetë ka kaluar një periudhë kohore që njeriu nuk ekzistonte fare si një diçka e përmendur.” (76:1)
Fjala arabe për "kohën" në këtë ajet është "Dahr" dhe ajo e ka kuptimin gjithashtu të përjetësisë (pafundësisë) ose thjesht një kohe jashtëzakonisht të gjatë. Shkenca moderne mund të na ndihmojë neve që ta kuptojmë më mirë këtë ajet. Shfaqja e parë e njerëzve në këtë tokë është llogaritur përafërsisht se është paraqitur rreth një milion vjet më parë. Mosha e universit, në anën tjetër, është llogaritur afërsisht pesëmbëdhjetë miliard vjeçare. Në qoftë se ne e normalizojmë moshën e universit në një ditë, atëherë njeriu do të ishte më pak se gjashtë sekonda.
Ajeti në vazhdim ka të bëjë me krijimin e qiejve dhe të tokës:
“Ne i krijuam qiejtë dhe tokën dhe gjithçka ka ndërmjet tyre brenda gjashtë ditësh, dhe Ne nuk ndiemë lodhje.” (50:38)
Vëreni përmendjen e zgjuar në kundërshtim me Biblën në fund të këtij ajeti në lidhje me atë se Allahu "pushoi" pas gjashtë ditësh nga lodhja. Bibla në lidhje me krijimin e qiejve dhe të tokës, te Zanafilla thotë:
“Në fillim, Zoti krijoi qiejtë dhe tokën.” Bibla 1:1
Këtu nuk përmendet gjë "dhe gjithçka ka ndërmjet tyre", në kundërshtim me Kur'anin (i cili i referohet kësaj në shumë ajete). Shkenca moderne vetëm në shekullin e fundit ka zbuluar se shumë prej masës së universit përfshihet në hapësirat e pafund të galaktikave dhe yjeve.
Duke qenë se janë bërë debate të cilat e kanë munduar krishterizmin dhe hebraizmin për shekuj në lidhje me kuptimin e "gjashtë ditëve", fjala "ditë" në arabishten klasike ka një kuptim të dytë për "kohë shumë e gjatë" ose "një epokë".
Kur'ani, sidoqoftë, paraqet një përgjigje përfundimtare për këtë pyetje nëpërmjet tre ajeteve më poshtë:
“Ata kërkojnë prej teje që t'ua ngutësh dënimin, por Allahu nuk e thyen premtimin e Vet, pse një ditë te Zoti yt është sa njëmijë vjet të llogaritjeve tuaja.” (22:47)
“Ai (Allahu) udhëheq (të gjitha) çështjet prej qiellit në tokë, pastaj ajo (çështja) ngrihet tek Ai në një Ditë që sipas llogaritjeve tuaja është sa njëmijë vjet.” (32:5)
“Engjëjt dhe shpirti ngjiten tek Ai në një Ditë që zgjat pesëdhjetë mijë vjet.” (70:4)
Nga këto ajete është e qartë se një "ditë" në Kur'an pa dyshim mund të ketë kuptime të ndryshme në kontekste të ndryshme, dhe në këtë mënyrë nuk është e detyrueshme që të kuptohet në mënyrë të prerë një periudhë 24-orëshe.
Dy ajetet e tjera merren me disa detaje mbi krijimin:
“A nuk e dinë ata të cilët nuk besuan se qiejtë dhe toka ishin të ngjitura, e Ne i ndamë ato të dyja?...” (21:30)
“Mandej e mësymë qiellin (krijimin e tij), dhe ai ishte tym (mjegullinë që ishte si materie e parë), dhe Ai i tha atij dhe tokës: "Ejani dhe bindjuni urdhërit tim, me dëshirë ose pa dëshirë!" Ata të dy thanë: "Po vimë të bindur (me dëshirë)!" (41:11)
Ajeti (21:30) lajmëron për teorinë kozmologjike moderne të njohur si Big Bang, ku për të gjitha çështjet është menduar se kanë nisur nga një shpërthim i fuqishëm. Ajeti (41:11) i referohet një faze të mëvonshme të krijimit, një faze të cilën një kozmolog do ta përshkruante universin si të mbushur me një gaz të mjegullt duke pësuar një shkrirje të ngadaltë në struktura të plota si grumbullimet yjore, galaktikat, yjet, etj. Fjalët e këtyre dy ajeteve mund të duken të rëndomta dhe sempliste për syrin modern, por kjo nuk e pakëson vlerën e tyre të përgjithshme.
Pastaj janë ajetet të cilat flasin për diellin dhe hënën.
"I madhërishëm është Ai që i krijoi yjet në qiell, dhe vendosi në të dritë (diell) dhe hënë që ndriçon." (25:61)
Ky ajet e përkufizon diellin si një burim të drejtpërdrejtë të dritës, ndërsa hënës nuk i është dhënë ky titull. Kaluan kaq kohë që nga krijimi i njeriut dhe drita e hënës është thjeshtë një reflektim i dritës së diellit.
“Dielli dhe hëna udhëtojnë sipas përcaktimeve të sakta.” (55:5)
Kuptimi i këtij ajeti është i qartë, dhe ne e dimë përshkrimin matematikor të këtyre "përcaktimeve" që kur Kepleri dhe Njutoni i formuluan ato disa shekuj më parë.
“Ai e krijoi natën dhe ditën, diellin dhe hënën, dhe secili prej tyre noton në orbitë.” (21:33)
Ky ajet e plotëson atë të mëparshëm: këtu, ne mësojmë se dielli dhe hëna "notojnë" në orbitë. Kepleri ishte astronomi i parë europian që kuptoi se rrugët (orbitat) e planeteve dhe të hënës janë eliptike. Nuk ka shumë kohë që astronomët kuptuan gjithashtu se dielli ka një orbitë - rreth qendrës së Udhës së Qumështit.
Kur'ani përmban një numër ajetesh mbi strukturën dhe mjedisin (rrethanat) e universit. Janë shumë për t'u rregjistruar këtu, por tre ajetet në vijim formojnë një shembull interesant:
“Ne, me forcën tonë e ngritëm qiellin, dhe ne e zgjerojmë atë.” (51:47)
Ky ajet shënon në mënyrë shumë të qartë se zgjerimi është duke vazhduar (deri në Ditën e Gjykimit, ditë e cila është premtuar nga Allahu se do të vijë tek ne papritur).
“Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve dhe i tokës, dhe i gjallesave të cilat Ai i ka shpërndarë në ato të dyja...” (42:29)
“Dhe Ai e nënshtroi për ju çdo gjë që gjendet në qiej dhe në tokë; dhe me të vërtetë në to ekzistojnë argumente për njerëzit që mendojnë.” (45:13)
Këto dy ajete janë tepër interesante, i pari nënkupton në mënyrë të fuqishme ekzistencën e krijesave të gjalla në planetet e tjerë në të gjithë universin, dhe i dyti na tregon neve se qiejtë janë "nënshtruar" për ne. Me një imagjinatë të vogël, ne (ose ndoshta fëmijët tanë) mund të ëndërrojnë për mundësinë e udhëtimit ndëryjor (në hapësirë) - dhe të mos kufizohen vetëm në sistemin tonë diellor!


Përktheu nga gjuha angleze:
Ermal BEGA
2009

Bibliografia

1. Kur'ani
2. At-Tabari, Tefsir i shkurtuar (komentim) i Kur'anit, arabisht
3. Ali, Abdullah Jusuf; Kuptimi i Kur'anit, Amana Corporation, Meriland, 1991
4. Asad, Muhammed; Mesazhi i Kur'anit, Shoqëria Dar-al-Andalus, Gjibraltar, 1984
5. Irving, Thomas; Kur'ani i Shenjtë, Amana Books, Vermont, 1992
6. Pickthall, Muhammed; Kuptimi i Kur'anit të Shenjtë, Penguin Books, Nju Jork
7. Davud, N.J.; Kur'ani, Penguin Books, Londër, 1990
8. Nadvi, Syed M; Mendimi islam dhe burimet e tij, Ashraf Press, Lahore, 1947
9. Kazi, Mazhar; Udhëzues nga Profeti, Rrjeti Islam i Amerikës Veriore, Nju Jork, 1990
10. Bucaille, Maurice; Bibla, Kur'ani, dhe Shkenca, American Trust Publications, Indiana, 1979
11. Moore, K., A. Zindani, M. Ahmed; Terma të reja për klasifikimin e zhvillimit njerëzor
12. Wehr, Hans; Fjalor arabisht-anglisht, Spoken Language Services, Nju Jork, 1976
13. Steingass, F; Fjalor arabisht-anglisht, Librairie du Liban, Liban, 1978
14. Bibla e Shenjtë, Botim standard i rishikuar
15. Sussman, Maurice; Biologjia e zhvilluar, Prentice-Hall, Nju Xhersi, 1973
16. Bodemer, Çarls; Embriologjia, Enciklopedia Amerikane, Grolier Incorporated, Connecticut, 1988
17. Chandler, T. J.; Ajri përreth nesh, Natural History Press, Nju Jork, 1969
18. Kotsch, William; Moti për marinarin, Naval Institute Press, Meriland, 1983
19. Battan, Louis; Bazat e Meteorologjisë, Prentice-Hall, Nju Xhersi, 1983
20. Sagan, Karl; Jeta, Enciklopedia Britanike, Çikago, 1992
21. Davies, Paul; Plani Kozmik, Simon & Schuster, Nju Jork, 1988
22. Sagan, Karl; Kozmosi, Ballantine Books, Nju Jork, 1980

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *