24 May 2011

Muhamedi (a.s.) - Profeti dhe humanisti i pritur


Ermal BEGA*

MUHAMEDI ALEJHI SELAM - PROFETI DHE HUMANISTI I PRITUR**


Falënderimet dhe lavdërimet qofshin për të Madhin Zot, vetëm Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë.
Paqja dhe bekimet e Zotit të Madhëruar qofshin mbi Muhamedin, të Dërguarin e Tij, familjen, shokët dhe të gjithë besimtarët, deri në Ditën e Gjykimit.

"Në të Dërguarin e Allahut (Muhamedin a.s.) ju keni një shembull të mrekullueshëm për të ndjekur për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun."
(Kur’ani, 33:21)

Lindja e Profetit Muhamed në shekullin 6 e. s. është ngjarja më e madhe në historinë njerëzore para dhe pas lindjes së tij. Ai është profeti i fundit në zinxhirin e të dërguarve nga ana e Allahut për mbarë njerëzimin, dhe do të mbesë gjithmonë, deri në Ditën e Kiametit, shembulli kryesor për mbarëvajtjen e jetës individuale dhe shoqërore të njerëzimit.
Bota ka shumë kujtime të personaliteteve në zë, që njerëzimi u detyrohet për frytin e aktivitetit të tyre; për ndonjë ide fetare, doktrinë filozofike, të vërtetë shkencore, teori politike ose reformë shoqërore. Por shumë rrallë mund të gjendet në histori ndonjë person që të zotërojë disa prej këtyre cilësive që përmendëm, përveç Muhamedit a.s., i cili i ka përmbledhur në veten e tij të gjitha këto cilësi, sepse ai është themeluesi i fesë së vërtetë dhe të përgjithshme dhe inkurajues i diturisë dhe i filozofisë; ai vuri themelin e shëndoshë të shkencave, tregoi rrugën më të drejtë të politikës dhe bazën më të shëndoshë të sociologjisë dhe të moralit.
Ai ishte një njeri i gjallë në çdo aspekt të jetës së tij, duke u bërë shembull për të gjithë njerëzit në kohën që lindi, dhe shembulli i tij do të mbesë i pavdekshëm gjatë gjithë jetës.
Ky profet i Islamit, Muhamed b. Abdullah, ka lindur ditën e hënë, më 17 qershor 569, në Mekë; dhe vdiq ditën e hënë, më 4 qershor 632, në Medine. Të dhëna kaq të sakta janë dhënë për të nënvizuar se e tërë jeta e këtij profeti zuri vend në dritën e shkëlqyer të historisë, dhe është shënuar me shumë hollësi, duke përfshirë edhe faktet më të rëndomta. Muhamedi a.s. është vërtet personaliteti më i dokumentuar që nga lashtësia e vonë. Siç e bën të qartë dhe biografia e tij, Muhamedi a.s. nuk ishte shpikësi i Islamit por ishte një anë meritore për të pranuar dhe transmetuar mesazhin hyjnor për njerëzimin.
Për muslimanët, Muhamedi a.s. ishte dhe është el-ihsan el-kamil (njeriu i përkryer): besimtar, modest, asketik, i dhembshur, i besueshëm, paqësor, guximtar, dhe i mençur - një model i babait, bashkëshortit, mikut, ekspertit, gjykatësit, ushtarit, diplomatit, ligjvënësit, burrit të shtetit, me pak fjalë, një person i cili arriti suksese në të gjitha ato që preku.
Profeti Muhamed është shquar me norma të përsosura etike, të cilat nuk mund të përshkruhen me fjalë. Për këtë dëshmon ndikimi i tij tek njerëzit, zemrat e të cilëve digjeshin nga respekti dhe nderimi për të. Ata të cilët kanë jetuar në kohën e profetit Muhamed a.s., e kanë dashur atë gjer në kufijtë e mahnitjes, saqë nuk kanë kursyer as jetën e tyre, vetëm e vetëm që atij mos t’i mungojë asgjë.
Në një ajet tjetër në Kur’an thuhet:
“Ti, o Muhamed, je me të vërtetë në një shkallë të lartë karakteri dhe zotëron moralet e virtytet më të bukura!”
(Kur’ani, 68:4)

Muhamedi a.s. konsiderohet ndër radhët e atyre që kanë ndihmuar në përparimin e edukatës dhe të kulturës së racës njerëzore. Ai gjithashtu është njeriu më i përsosur që njohu historia e të gjitha kohëve.
Profeti Muhamed a.s. ishte njeri si gjithë të tjerët, vetëm se ishte zgjedhur nga Zoti për t’i kumtuar njerëzisë të vërtetat hyjnore. Ai nuk kishte nevojë që ta vërtetonte profetësinë e tij me anë të mrekullive, sepse jeta e tij para profetësisë ishte shembull drejtësie, ndershmërie dhe besnikërie, ndërsa jeta e tij pas profetësisë ishte shembull sakrifice për idealin fetar dhe njerëzor.
Modestia e tij shfaqej në çdo aspekt të jetës, qoftë në jetën e tij personale, familjare, shoqërore, zyrtare etj. Sjelljet e tij ishin të njëjta me të gjithë njerëzit, si me robin ashtu dhe me udhëheqësit, si me gratë ashtu dhe me burrat, si me pleqtë ashtu dhe me fëmijët. Më qartë, sjellja, edukata, mikpritja, komunikimi i tij nuk bënte dallim për asnjërin dhe ai nuk e dallonte asnjë njeri nga ngjyra, gjuha, raca, fisi etj.
Ai ishte njeri me gjykime të shkëlqyera, i ëmbël dhe i kënaqshëm në bisedime, ishte shumë i sjellshëm në të pritur e në të përcjellë, i donte shumë fëmijët, i ndalonte ata në rrugë dhe i përkëdhelte.
Këto tipare, në kohë të ndryshme, janë vënë re dhe nga studiues të ndryshëm botërorë, të cilët kanë shkruar fjalët më të larta e të lavdishme për profetin Muhamed. Jo më kot, dhe studiuesi Michael Hart, në librin e tij me titull “100 njerëz më me ndikim në histori”, personalitetin më të madh dhe më të famshëm në botë ka vënë profetin Muhamed, ku për humanizmin e tij që në fillim të librit shkruan:
“Përcaktimi që Muhamedin ta vë në vendin e parë në listën e personaliteteve më me ndikim në botë, ndoshta te disa lexues do të shkaktojë befasi, ndërkaq te të tjerët dyshim, por ai është njeriu i vetëm në histori, i cili arriti sukses të jashtëzakonshëm si në aspektin fetar, ashtu edhe në atë politik.”
Drejtësia e karakterit, saktësia e sjelljeve, marrëdhëniet e ndershme me popullin e bënë atë që të fitojë dashurinë e popullit, i cili me zë të përbashkët e mbiemëroi El-Emin – Besnik, shumë më parë se të bëhej i Dërguar i zgjedhur nga Zoti i Plotfuqishëm.

Për besimtarët muslimanë, profeti Muhamed do të mbetet figura më e ndershme tek Allahu, më i dashuri i besimtarëve muslimanë si dhe shembulli më i mirë për t’u ndjekur nga të gjithë njerëzit në të gjithë botën.

Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi profetin Muhamed, familjen e tij dhe mbi të gjithë besimtarët deri në Ditën e Gjykimit! Amin!


* Autori është Drejtori Ekzekutiv i “Qendra Shqiptare për Studime Orientale”, në Tiranë.
** Kjo ese është prezantuar në aktivitetin e organizuar nga KMSH me titull “Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) - Krenaria e njerëzimit”, për esetë më të bukura për Profetin Muhamed, Maj 2011.

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *