02 August 2012

Tarik Ramadan viziton Shqipërinë

Ermal BEGA

TARIK RAMADAN VIZITON SHQIPËRINË

Pas një turi disa ditor në Ballkan, ku kishte shkuar në Kroaci, Bosnje, Sanxhak, Kosovë dhe Maqedoni, ndalesa e tij e radhës ishte në Shqipëri (31 maj dhe 1 qershor 2011), ku vazhdoi sërish për në Mal të Zi.
Ardhja e një personaliteti, mendimtari dhe aktivisti musliman europian, me origjinë arabe nga Egjipti, ishte një shans i madh për shqiptarët në përgjithësi, por dhe për muslimanët shqiptarë në veçanti.
Në këtë aktivitet kishin ardhur të ftuar të ndryshëm nga organizata kulturore, nga KMSH-ja, nga shoqëria civile, gazetarë, media etj.
Tarik Ramadan ishte ftuar në Shqipëri nga shoqata kulturore “Ardhmëria”, e cila i siguroi atij një pjesë të shpenzimeve.
Fjalën e hapjes në fillim e bëri zonja Anjeza Xhaferraj, pedagoge në UET (Universiteti Europian i Tiranës), e cila bëri një rezyme në lidhje me jetën dhe veprën e studiuesit Tarik Ramadan, si dhe mbi rolin që ka dhe ndikimin që ai po luan në Europën e sotme.
Pas prezantimin, e mori fjalën drejtori i shoqatës kulturore “Ardhmëria”, Alfred Piku, i cili vlerësoi pranimin e ftesës dhe ardhjen e Tarik Ramadan në Shqipëri për të mbajtur një kumtesë para publikut shqiptar, dhe vlerësoi lart punën e këtij personaliteti musliman i cili me të vërtetë në kohët e sotme ka një ndikim mjaft të madh në paraqitjen e Islamit para europianëve dhe perëndimorëve si një sistem mbarëkombëtar vlerash dhe si një sistem i përsosur jetese.
Më pas fjala iu dha vetë Tarik Ramadanit, i cili u përkthye në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Arian Gjikola, ku ai shprehu kënaqësinë që gjendej për herë të parë në Tiranë, në Shqipëri dhe në Ballkan.
Që në fillim të ligjërimit të tij ai nisi të shpjegonte rreth njohurive të tij mbi muslimanët në Europë dhe ata në Shqipëri. Për muslimanët shqiptarë ai u shpreh: “Është hera e parë që vij këtu dhe pashë njerëz të cilët falen, agjërojnë dhe e praktikojnë Islamin njësoj si unë, por ju keni kulturën tuaj shqiptare (e cila nuk bie ndesh me Islamin), dhe për këtë dijetarët muslimanë tradicionalë kanë thënë se ekziston një Islam, por ka shumë kultura.”
Gjithashtu, duke iu drejtuar sërish muslimanë shqiptarë, Tarik Ramadan u shpreh: “Ju shqiptarët nuk jeni as arabë dhe as turq. Ju jeni muslimanë shqiptarë. Mos i lejoni arabët dhe turqit që t’ju thonë se: të jeni muslimanë të mirë duhet të jeni arabë ose turq. Ju jeni muslimanë me kulturë shqiptare.”
Në lidhje me kulturat e ndryshme mes muslimanëve, Tarik Ramadan përmendi një shprehje të dijetarit Imam Shafiu: “Për sa kohë që kulturat e ndryshme nuk bien ndesh me parimet tona, atëherë ajo është e jona (islame).”
Duke folur më pas për një nga librat e tij më të famshëm me titull “Të jesh musliman europian”, Tarik Ramadan tha: “Ky libër i cili për herë të parë u botua në vitin 1996 (rishtaz është përkthyer dhe në shqip), trajton çështjen e të qenit musliman në Europë. Në atë vit (1996) mendova të shkruaj për muslimanët në përgjithësi por pata disa kritika nga disa muslimanë të cilët më thanë që më mirë duhet të shkruaj për Islamin dhe muslimanët në Europë, e jo për muslimanët në përgjithësi.”
Në mbrëmbjen e datës 1 qershor 2011, Tarik Ramadanit iu zhvillua një intervistë e gjatë në televizionin “Albanian Screen”, ku ai iu përgjigj pyetjeve të gazetares Eni Vasili, ku ai trajtoi në shumë mënyra të detajuara shumë çështje të Islamit në Europë, si besim dhe si pjesë e pandarë e shoqërisë europiane-perëndimore.
Gjithashtu, një hapësirë e madhe për ardhjen e tij u prezantua në faqet kryesore të gazetave të përditshme në Tiranë.

Duke u bazuar në një nga mesazhet e Islamit: “Ndrysho veten dhe pastaj ndrysho botën”, ne shkëputëm disa nga shprehjet më të bukura të përmendura nga Tarik Ramadan. Ato janë:
“Mos kini respekt të verbër mes njëri-tjetrit, por duhet të ekzistojë mendimi kritik.”
“Xhihad nuk do të thotë luftë, por do të thotë ‘rrugë drejt paqes’.”
“Qëndrimi i parë i xhihadit është që të ndalosh të keqen, dhe pastaj të shpërndash të mirën (paqen).”

Një biografi e shkurtër e Tarik Ramadan

Tarik Ramadan është zvicerian me origjinë egjiptiane.
Ai është një filozof, akademik, shkrimtar, poet, aktivist, veprimtar dhe ndër intelektualët më me ndikim sot në Europë.
Ai është profesor i studimeve islame bashkëkohore në fakultetin e studimeve orientale në universitetin e Oksfordit.
Botues i shumë artikujve dhe librave të ndryshëm të cilat janë përkthyer në gjuhë të ndryshme.
Gjithashtu është pjesëmarrës në shumë seminare, simpoziume dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, në Europë, SHBA dhe vende të tjera.
Ndër librat e tij më të njohur mund të përmendim: “Reformat radikale”, “Të jesh musliman europian” (përkthyer dhe në shqip), “Vizioni im mbi Islamin perëndimor”, “Muslimanët perëndimorë dhe e ardhmja e Islamit”, etj.
Në vitin 2010 u vlerësua nga revista "Foreign Policy" si intelektuali nr. 8 nga 100 intelektualët më të njohur në botë.


Tarik Ramadan në televizionin Albanian Screen - Emisioni "Studio e Hapur" (1 Qershor 2011)

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *