Ermal BEGA*
SHQIPTARËT NË BOTËN ARABE
(Recensim)
![]() |
Dr. Muhamed Mufaku (Arnauti) dhe Ermal Bega, Tiranë 2006 |
Dr. Muhamed Mufaku, një shqiptar me origjinë nga qyteti i Pejës, është një
nga shkrimtarët më të njohur në botën shqiptare dhe arabe.
Ai ka lindur në Damask në vitin 1952; babai i tij ishte nga qyteti i Pejës,
ndërsa nëna ishte nga fshati Vrellë, po nga Peja. Gjithashtu ai është edhe nipi
i dijetarit të njohur musliman shqiptar nga Vrella e Pejës, Shejh Abdulkadër
al-Arnaut.
Dr. Muhamed Mufaku shkollën 8-vjeçare dhe të mesme e kreu në Damask.
Pastaj, studimet e larta i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës, duke u kthyer
në këtë mënyrë përsëri në vendin e prindërve të tij. Studimet i ka mbaruar me
rezultate shumë të larta dhe ka mbrojtur dy tema doktorature, njërën në
Fakultetin e Filologjisë për Gjuhë-Letërsi shqipe në vitin 1981, ndërsa të
dytën në Fakultetin e Filozofisë - dega Histori në vitin 1986. Gjatë periudhës
së studimeve në Prishtinë është marrë me shkrime dhe me studime në gjuhën
shqipe dhe arabe, si dhe me shkrime të botuara në gazetat dhe revistat e kohës.
Artikujt e tij kanë pasur të bëjnë më shumë me lidhjet e shqiptarëve me botën
orientale në përgjithësi dhe me atë arabe në veçanti. Gjithashtu ai është autor
dhe bashkautor i më shumë se 40 librave dhe enciklopedive, në gjuhën shqipe dhe
arabe. Ai ka qenë edhe profesor i gjuhës arabe në degën e Orientalistikës në
Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. Momentalisht ai është profesor i lëndës
së historisë dhe Drejtor i Institutit të Studimeve Politike në Aman-Jordani.
Një ndër librat më të rëndësishëm të tij, që ka të bëjë me lidhjet e
shqiptarëve me botën arabe, dhe të cilin po e marrim në shqyrtim në këtë
artikull është libri me titull: "Shqiptarët në botën arabe", i cili
është botuar në vitin 1990 në Prishtinë nga shtëpia botuese "Rilindja".
Autori në këtë libër bën fjalë, siç e ka përmendur edhe vetë në parathënien
e librit, për praninë e shqiptarëve në botën arabe gjatë shekujve XVIII-XIX,
dhe në fillim të shekullit XX. Por autori nuk është ndalur vetëm në këto
periudha, ai ka prekur kalimthi edhe praninë e shqiptarëve gjatë shekujve
XVI-XVII, sepse kjo periudhë lidhet me praninë e shqiptarëve në vendet arabe
gjatë shekujve XVIII-XIX dhe fillimit të shekullit XX.
Të dhënat për përgatitjen e këtij libri janë shfrytëzuar nga burime të
ndryshme, shumica e të cilave prezantohen për të parën herë në gjuhën shqipe.
Autori përveç burimeve të dorës së parë ka shfrytëzuar edhe literaturën e pasur
në gjuhë të ndryshme. Gjithashtu autorit i është dashur, dhe kjo është gjëja
kryesore për përfundimin e kësaj vepre, që të bëjë hulumtime në shumë vende
arabe gjatë një dekade (1974-1984). Për mbledhjen dhe përpunimin e burimeve ai
ka qëndruar në disa vende, si në Siri (1974-1975), në Algjeri (1976), në Liban
(1976), në Egjipt (1978), në Kuvajt (1981), në Tunizi (1983) etj.
Në kaptinën e parë të librit, me titull "Lidhjet shqiptare-arabe nëpër
histori", autori na jep një pasqyrë të përgjithshme se si kanë nisur
marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe arabëve. Ai na tregon qysh në fillim se
në mesin e arabëve dhe të shqiptarëve ekziston një traditë e pasur për
prejardhjen e shqiptarëve nga vendet arabe, përkatësisht nga Siria. Në bazë të
kësaj tradite, që u zhvillua me kohë, gjejmë të dhëna të ndryshme edhe në
burimet e shkruara të kohës. Kështu, të dhëna të tilla paraqiten së pari në një
histori arabe me titull "Tuarih Tuhaf", në të cilën shpjegohet gjerë
e gjatë se shqiptarët kanë origjinë arabe.[1] Më vonë këto elemente
kalojnë në burimet osmane. Kështu, në kronikat e vjetra osmane që i ka botuar
turkologu i famshëm Franz Babinger për shqiptarët, thuhet se "disa kanë
qenë nga Jemeni, të tjerët nga Sa’id", në Egjipt.[2]
Këto të dhëna paraqiten gjatë shek. XVII, në version më të gjerë, në veprën
e udhëpërshkruesit të njohur osman Evlija Çelebi. Në pjesën e kësaj vepre të E.
Çelebiut që ka të bëjë me viset shqiptare, gjejmë një kaptinë të posaçme me
titull "Mbi krijimin dhe prejardhjen e popullit shqiptar." Sipas
këtij versioni shqiptarët rrjedhin nga fisi arab Kurejsh, që banonte në Mekë,
përkatësisht fisi i profetit Muhamed a.s. Në atë kohë ata kishin një prijës,
Xhebel ul-Hama. Ky prijës, pa qëllim, ia nxori njërin sy një bujari arab.
Bujari iu ankua Hazreti Umerit, përkatësisht halifit Umer Ibn al-Hattab
(634-644). Halifi, në bazë të ligjit islam "sy për sy", vendosi që prijësit
Xhebel t’i nxirret syri. Mirëpo, nga frika, prijësi Xhebel mori atë natë tre
mijë veta nga fisi i tij dhe shkoi deri në Antiohi te mbreti Harkil (Herakliu).
Çështë e vërteta, ky version i Evlija Çelebiut është ndërtuar mbi baza të
ngjarjeve historike, por ka disa lëshime. Kështu, në histori fjala është për
prijësin e fisit Gassan e jo Kurejsh, Xhabla Ibn al-Ajham, e jo Xhebel ul-Hama.
Fisi Gassan, me prejardhje nga Jemeni, u vendos në veri të Arabisë,
përkatësisht në jug të Sirisë, në fillim të erës së re kurse në shek. IV pranoi
krishterimin. Nga prijësit ose mbretërit e këtij fisi që shquhen në burimet
arabe njihen vetëm pesë të fundit, ndër të cilët është edhe Harith Ibn Xhablan
(rreth vitit 529-569), të cilin perandori i Bizantit, Justiniani, e emëroi
prijës të të gjitha fiseve arabe me titullin patrik. Prijësi ose mbreti i
fundit i këtij fisi ishte Xhabla Ibn al-Ajham, i cili u bë musliman. Gjatë
qëndrimit të tij në Mekë për haxhillëk në kohën e halifit Umer Ibn al-Hattab
(634-644) një beduin i thjeshtë ia shkeli xhyben, për ç’arsye prijësi Xhabla i
dha një shuplakë. Beduini iu ankua halifit Umer, i cili vendosi, në bazë të
ligjit islam, që beduini t’ia kthente prijësit Xhabla atë shuplakë. Mirëpo për
shkak të autoritetit, prijësi Xhabla iku gjatë natës me disa njerëz të vet nga
Meka dhe shkoi në Bizant, prej nga nuk u kthye më.[3]
Prej gjysmës së dytë të kreut të parë e deri në fund të tij autori na
tregon për lidhjet e përgjithshme dhe të veçanta mes shqiptarëve dhe arabëve
gjatë sundimit të perandorisë osmane në vendet arabe.
Autori më vonë (duke filluar prej kaptinës së dytë) na jep argumente dhe të
dhëna të rëndësishme, të arritura nëpërmjet studimeve të tij, rreth ardhjes së
shqiptarëve në vendet arabe, jetën e tyre, përfshirjen e tyre në jetën
politike, kulturore, fetare dhe sociale të kësaj shoqërie. Ai fillon me Sirinë,
e cila është edhe vendlindja e tij, duke vazhduar më tej me Libanin,
Palestinën, Irakun, Arabinë Saudite, Jemenin, Egjiptin, Sudanin, Libinë dhe në
fund me Algjerinë. Ai flet për personalitetet e ndryshme shqiptare të cilët
lanë gjurmë të thella në këto vende, gjurmë të cilat kanë mbetur edhe sot e
kësaj dite në ato vende. Bëhet fjalë për personalitetet shqiptare në fushën e
politikës, atë ushtarake, të diturive fetare islame, të letërsisë, të çështjes
kombëtare etj. Një kre të veçantë ai ia ka kushtuar dinastisë shqiptare të
Egjiptit e cila nisi me Mehmet Aliun, që njihet edhe si themeluesi i Egjiptit
të ri dhe vazhdoi me nipat e tij, dinasti e cila sundoi për më shumë se një shekull.
Kjo vepër e rëndësishme e këtij autori shqiptar i cili jeton dhe vepron në
Siri dhe Jordani është vetëm një fillim i "shkurtër" për jetën,
veprat dhe lidhjet e shqiptarëve me botën arabe. Shpresojmë se kjo vepër do të
jetë një "start" për studime të mëtejshme të studiuesve tanë të kësaj
fushe e cila është shumë e rëndësishme për çështjen tonë kombëtare dhe atë
kulturore-fetare.
Botuar në revistën
“PERLA”, Viti IX, 2004, Nr. 4 (35), f. 147-150.
No comments:
Post a Comment