26 January 2010

Promovimi i librit “Lidhjet letrare shqiptare-arabe”

Promovimi i librit “Lidhjet letrare shqiptare-arabe” nga
Dr. Muhamed Mufaku (Arnauti)

Qendra Shqiptare për Studime Orientale, në vazhdën e aktiviteteve dhe botimit të librave të ndryshëm në fushën e Orientalistikës, botoi dhe promovoi njëkohësisht dhe librin e Dr. Muhamed Mufakut, që njëkohësisht është dhe punimi i tij i doktoraturës, me titull “Lidhjet letrare shqiptare-arabe”.
Në ambientet e bar-librari E7E (E Përshtatshme), në një ambient oriental dhe nën shijen e çajrave të ndryshëm me shije orientale, më datë 30/12/2009 me pjesëmarrjen e shumë bashkëpunëtorëve, krijuesve, intelektualëve dhe dashamirësve të librit dhe njëkohësisht dhe të Qendrës Shqiptare për Studime Orientale u bë dhe promovimi i këtij libri.
Libri i Dr. Muhamed Mufakut bën pjesë në ato libra të rrallë, ku paraqiten analizat, faktet objektive dhe një studim i thellë dhe i veçantë.


Për rëndësinë dhe vlerën e veçantë të këtij libri fillimisht fjalën e mori Dr. Xhevat Lloshi, që është dhe redaktori gjuhësor i këtij libri. Dr. Xhevat Lloshi e cilësoi vlerën dhe rëndësinë e këtij libri me të njëjtën vlerë si librat e të madhit Sami Frashëri. Mënyra dhe punimi i kësaj doktorature fillimisht dhe më pas botimi në libër për Dr. Xhevat Lloshin është i një rëndësie të veçantë jo vetëm për lidhjet letrare, por njëkohësisht dhe lidhjet shpirtërore, sociale, dhe ato politike. Në punimin e tij Dr. Muhamed Mufaku ka arritur të përshkruajë e të nxjerrë fakte shumë të rëndësishme jo vetëm për lidhjet letrare që mbizotërojnë që në kohëra të hershme mes shqiptarëve dhe arabëve, por njëkohësisht në këtë punim Dr. Muhamed Mufaku ka arritur të tregojë dhe lidhjen kombëtare dhe emocionale që ekziston mes këtyre dy vendeve, shprehet Dr. Xhevat Lloshi.

Libri "Lidhjet Letrare Shqiptare-Arabe", nga
Dr. Muhamed MUFAKU (ARNAUTI)

Më pas fjalën e mori Mr. Edvin Cami, pedagog në Universitetin e Durrësit, si korrektori letrar i këtij libri. Sigurisht dhe Edvin Cami shprehu vlerësimin më të mirë dhe rëndësinë e veçantë që paraqet botimi dhe promovimi i këtij libri. Ai shprehet se në këtë libër lexuesi gjen shumë gjëra të cilat e bëjnë të kuptojë lidhjet e ngushta letrare që ekzistojnë mes këtyre dy popujve. 
Për të përshëndetur të pranishmit dhe për të folur dhe për qëllimin e botimit të këtij libri, fjalën pastaj e mori drejtori i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale, gjithashtu dhe botuesi i këtij libri z. Ermal Bega. Ai në këtë promovim shprehu kënaqësinë që pati rastin të botojë një libër të këtij lloji dhe të këtij niveli, gjithashtu duke mos anashkaluar dhe vlerësimin që i bëri këtij libri duke komentuar rreth vlerave dhe analizës së veçantë që Dr. Muhamed Mufaku ka arritur të përdorë me një mjeshtëri të rrallë.


Në një promovim të tillë sigurisht nuk do të mungonin dhe komentet dhe vlerësimet e të pranishmëve duke veçuar atë të profesorit dhe pedagogut të muzikës z. Pëllumb Vorpsi i cili në fjalimin e tij e vlerësoi këtë punim duke shprehur gjithashtu dhe rëndësinë që i jep rolit të muzikës orientale dhe ndikimi apo lidhjet e saj me muzikën e mirëfilltë popullore tradicionale shqiptare.
Për kontributin dhe rëndësinë e këtij libri në këtë promovim fjalën e morën dhe z. Eris Koliqi, z. Alban Kodra. z. Ergys Mërtiri etj.
Duhet veçuar se nga të pranishmit në këtë takim, u kërkua nga botuesi i Qendrës Shqiptare për Studime Orientale z. Ermal Bega, që ky libër dhe ky lloj promovimi të marrë përmasa më të mëdha dhe ta zgjerojë gamën e vetë të vlerësimit dhe në trojet e tjera shqiptare.


Duke shpresuar se me këtë promovim është arritur dhe qëllimi i botimit të këtij libri shumë të veçantë në llojin e vet, u mbyll dhe ky takim i ngrohtë dhe miqësor, duke uruar për suksesin e mëtejshëm si të librit por dhe të Qendrës Shqiptare për Studime Orientale, si dhe me një dëshirë të mirë për t’u takuar përsëri në promovime të tjera të kësaj qendre.

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *