07 January 2011

Muzeu i "bashkëjetesës fetare" dhe Bashkia e Tiranës


Ermal BEGA

MUZEU I “BASHKËJETESËS FETARE” DHE BASHKIA E TIRANËS
 Pamje nga “konsulta publike” e zhvilluar sot në Tiranë. © E. B.

Sot më datë 7 Janar 2010, në sallën “Consortium” të Hotel Tirana International u organizua një konsultë publike me qytetarë dhe studiues të fushave të ndryshme. Pasi para 2 ditësh me morën ne telefon dhe më lajmëruan për këtë organizim, dhe pasi mora vesh se edhe shumë miq të mi do të vinin, atëherë vendosa të shkoja. Edhe pse nuk e di se ku dhe si e gjetën numrin tim të telefonit dhe të disa të tjerëve, ku njëri prej tyre me tha “më morën te numri që vetëm 3-4 veta e dinë”, dhe unë me të qeshur ia ktheva: “mos u mërzit, ka kush e bën atë punë”...
Kur hyra në bashki për të marrë ftesën time, si për çudi, më bëri përshtypje se të gjithë ftesat për muslimanët (besoj dhe për anëtarët e komuniteteve të tjera) i kishin ndarë veçmas, dhe pasi mora ftesën time recepsionisti më kërkoi që nëse kisha mundësi të merrja e të shpërndaja dhe të disa të tjerëve, që nuk i mora për të gjithë...
Kur shkova te aktiviteti, mendova se do të ishte me të vërtetë një “konsultë publike”, ku pasi të fliste për disa minuta kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama, si ideator i këtij muzeu, fjalën do ta merrnin të ftuarit, si nga ata të bashkësive fetare ashtu edhe nga studiuesit, historianët dhe “laikët” e ftuar aty, por në fakt në praktikë u tregua e kundërta. Sapo mbaroi fjalën e tij kryetari i bashkisë, fjalën e mori së pari Pëllumb Xhufi duke thënë: “Ndërtimi i këtij muzeu është shumë i rëndësishëm, por duhet ndërtuar fillimisht në baza laike, rreptësisht laike, siç ka ndodhur historikisht tek shqiptarët.” Nuk e di se çfarë donte të thoshte me këtë “rreptësisht laike” historiani Xhufi, por besoj se ai ka nevojë që të njohë më mirë drejtuesit e bashkisë së Tiranës para ardhjes në pushtet të diktaturës komuniste-ateiste në Shqipëri.
Edi Rama foli në përgjithësi për popullin e Tiranës, për atë autokton (i cili u nënçmua në njëfarë mënyrë pasi nga njerëzit e pranishëm nuk pashë dikë që të më ngjante me “tirons”) dhe për “emigrantët” në Tiranë, të ardhur sa nga koha e komunizmit e sa nga pas-demokracisë. Gjithashtu, përmendi mikpritjen e popullit të Tiranës që ka pritur me qindra e me mijëra të ardhur këtu duke u hapur dyert dhe zemrën, që për të thënë të drejtën ia kanë ngrënë bukën dhe ia kanë pështyrë më vonë, si gjatë komunizmit po ashtu edhe tani. Gjatë komunizmit dihet situata, ndërsa për kohët e sotme, bashkia e Tiranës kërkon që t’ia heqë Tiranës (njësoj si komunizmi) të gjitha dhëmballët e traditës origjinale, asaj orientale, të Tiranës, duke nisur nga shtrimi i të gjitha rrugëve që kanë qenë dhe janë ende me kalldrëm, me asfalt të shpifur duke shëmtuar ambientin dhe identitetin origjinal të saj. Ndërkohë që komunizmi shkatërroi shatërvanët, çezmat, çarshinë (pazarin e vjetër), shtëpitë e vjetra monumentale duke u zëvendësuar me hekur dhe beton për pallate etj.
Pas ndërhyrjes së Xhufit, menjëherë e rimori fjalën përsëri kryetari i bashkisë së Tiranës për të plotësuar historianin Xhufi për sa foli, dhe në këtë rast nuk pata personalisht të drejtën për të folur. Pasi foli përsëri, përballë tij e mori të drejtën e fjalës një grua në moshë me profesion etnologe. Kështu, askush nga të paktën muslimanët (përveç të ftuarve nga fetë e tjera), kur dhe unë doja të them diçka, nuk pati mundësi të merrte fjalën.
Kështu, unë dhe disa muslimanë të tjerë, rreth orës 11:50, duke mos pasur mundësi të flisnim, u çuam dhe dolën jashtë sallës pothuajse të gjithë së bashku për të shkuar në xhami për të falur namazin e drekës.
Meqë atje nuk arrita dot të flisja disa pika në lidhje me këtë “konsultë publike” të zhvilluar sot, atëherë po shkruaj disa nga pikat që doja të trajtoja shkurtimisht.
1. Më bëri përshtypje se në sallë në mesin e të ftuarve pashë vetëm nga komunitetet fetare bektashiane, ortodoksë dhe katolike, por asnjë nga zyrtarët e lartë të KMSH-së, duke ditur se ideja e muzeut të Tiranës nisi pas idesë për ndërtimin e xhamisë së re në Tiranë. Gjithashtu nuk më zuri syri asnjë nga shoqata “Tirana” e cila merret me shumë aktivitete kulturore dhe vendimmarrëse në lidhje me Tiranën dhe banorët e saj autoktonë.
2. Doja të shtroja çështjen e ndërtimit të xhamisë që bashkia ka vetëm të drejtë që komunitetit musliman shqiptar t’i caktojë vetëm sheshin e ndërtimit, dhe në çështjet e arkitekturës dhe ndërtimit bashkia dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të përzihet. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me katedralen katolike dhe ortodokse në Tiranë.
3. Më bëri përshtypje edhe dita dhe orari i papërshtatshëm i organizimit të aktivitetit, duke ditur se ishte ditë e xhuma dhe besimtarët muslimanë në atë orë duhet të shkojnë të falen, siç u larguan shumë nga të ftuarit muslimanë.
4. Edhe pse po reklamohet shumë se në Shqipëri ka tolerancë fetare, sipas mendimit tim do të thosha se në Shqipëri ka pasur tolerancë fetare deri me ardhjen e komunizmit, përdërisa e kanë pasur pushtetin muslimanët, ndërsa tani nuk ekziston më në praktikë, por vetëm në fjalët boshe dhe hipokrite të injorantëve dhe dashakeqëve.

Nuk kam ndërmend të zgjatem më shumë, por dua të shtoj në fund se gjithçka është një plan, mbase kundër nesh! Allahu na ruajt!

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *