26 December 2008

Dolën në treg librat: "Fjalor Bazë i Islamit" dhe "Jusufi me Zelihanë"


-----------



Muhamed ELIFI


DY LIBRA TË RINJ PËR ÇDO FAMILJE

Kohët e fundit, bibliotekës sonë islame dhe kulturore iu shtuan edhe dy libra të fundit, tepër interesantë dhe mjaft të dobishëm për besimtarët muslimanë në veçanti dhe për studiuesit në përgjithësi.
Orientalisti, përkthyesi dhe studiuesi Ermal Bega, i cili në librin e parë (Fjalor Bazë i Islamit) na del si bashkëpërkthyes së bashku me studiuesin Dr. Xhabir Hamiti, ndërsa në librin e dytë (Jusufi me Zelihanë) si përshtatës dhe përgatitës i librit, ka bërë një punë tepër dinjitoze duke i ofruar lexuesit këto libra, dhe për të cilat duhet përgëzuar.

Libri i parë "Fjalor Bazë i Islamit", siç tregohet dhe në fillim të tij, përmban mbi 1500 terma islame të cilat përdoren jo vetëm nga muslimanët por edhe nga jomuslimanët, arabë ose joarabë.
Autorja e librit është një studiuese angleze, e konvertuar në Islam, rreth të pesëdhjetave, dhe ky fjalor është i pari i llojit të vet që i ofrohet lexuesit shqiptar. Ai është mjaft i qartë, i përshtatshëm për studiuesit e gjuhësisë, për orientalistët, studiuesit e historisë, etj.
Në bazë të studimeve të saj mbi Islamin, autorja ka menduar të botojë vetëm këto 1500 terma islame, që nuk janë të vetmet, dhe prandaj e ka quajtur dhe librin e saj "Fjalor Bazë i Islamit". Ky fjalor është një pasuri gjuhësore dhe studimore për ata që duan të njohin më mirë disa nga termat islame që përdoren nga muslimanët dhe jomuslimanët, në Shqipëri e jashtë saj. E njëjta gjë gjendet edhe në Shqipëri, ku kemi një mori të gjerë termash me origjinë orientale, të cilat përbëjnë një pasuri shumë të madhe për gjuhën shqipe, duke ditur se ato janë rrënjosur thellë në të folurën e njerëzve. Gjithashtu, ky libër është mjaft i vlefshëm edhe për shumë muslimanë praktikantë të cilët nuk i njohin domethëniet e disa termave të cilat i përdorin gjatë riteve të tyre.

Libri i dytë "Jusufi me Zelihanë", i shkruar nga dora mjeshtërore dhe në një mënyrë dhe stil të veçantë artistik nga Hafiz Ali Korça, përbën padyshim një nga thesaret e shkruara prej tij, dhe një nga stolitë letrare të letrave shqipe të fillimit të shekullit ’20 në Shqipëri. Orientalisti Ermal Bega, më herët ka botuar edhe dy libra të tjera po nga Hafiz Ali Korça, "Rubaijjati i Umer Khajjamit" i përkthyer në shqip nga origjinali persisht, dhe i cili është një kritikë ndaj përkthimit të Fan Stilian Nolit, si dhe librin tjetër "Shtatë Ëndrrat e Shqipërisë", në të cilin tregon për gjendjen e Islamit, muslimanëve dhe shqiptarëve në përgjithësi në fillim të shekullit ’20. Në vitin 2006 kur dolën dy librat e parë, u bënë dhe shumë artikuj nëpër gazeta, si në gazetën "Shekulli", "Shqip", "ABC" etj.
Historia kur’anore e profetit Jusuf a.s. me Zelihanë është një nga historitë më të bukura dhe më tërheqëse të Kur’anit të Shenjtë. Në gjuhën shqipe, kjo histori e treguar në prozë nga Hafiz Ali Korça, është padyshim një nga arritjet më të larta të letërsisë së shkruar shqipe, pavarësisht se u la në harresë nga sistemi komunist, si shumë libra të tjerë të Hafiz Ali Korçës e të shumë dijetarëve të tjerë muslimanë shqiptarë. Libra të tillë, që rizgjojnë traditën kulturore islame në Shqipëri, nuk do të vdesin kurrë, dhe shpresojmë që të vinë përsëri njerëz të tjerë të përgatitur si Hafiz Ali Korça e të tjerë si ai. Mendojmë që çdo musliman dhe studiues duhet t’i ketë në dorë këto dy libra.

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *