23 December 2008

UGARIT - Një nga qytetet më të vjetra në botë

Ermal BEGA

UGARIT
~ Një nga qytetet më të vjetra në botë, 8000-5000 p.e.s. ~

Vendbanimi më i hershëm në bregdetin sirian daton një milion vjet përpara, siç është dëshmuar nga zbulimet arkeologjike në gjirin e lumit Al-Kebir-Alshimali, i cili gjendet 15 km në verilindje të qytetit të Latakias në Siri.

Sëpatat prej guri, ndërtimi me dorezë të rrumbullakët, tehat e punës dhe një kokë me majucë e përdorur nga njeriu i Paleolitit për të zënë ushqimin e tij dhe për të mbrojtur veten, janë gjetur atje. Vendbanimi njërëzor këtu u zgjat në vende të ndryshme afër lumit deri në periudhën e Neolitit, derisa një periudhë e re jetese nisi në Latakia duke lënë gjurmët e tij në shtresën e 5-të arkeologjike të Ugarit, si një fshat i vogël i cili daton që nga shekulli i VII p.e.s.
© Ermal BEGA
Banorët e Ugarit njihnin agrokulturën, rritjen e bagëtive, prodhimin e qeramikës, si dhe arritjet e tjera civilizuese, të cilat zunë vend gjatë periudhës së Neolitit (8000-5000 p.e.s.), në të cilën njeriu ndryshoi nga një gjahtar endacak i thjeshtë në një banor në një shtëpi të vogël të ndërtuar nga guri, argjila dhe degët e pemëve.

Banimi në Ugarit vazhdoi deri në fund të Periudhës së Vonshme të Bronzit (1180 p.e.s), dhe ishte një mbretëri e pafund, kufijtë e së cilit janë të njëjtë me kufijtë e tashëm të territorit të Latakias. Ugariti kishte nën sundimin e tij dhjetë prej mbretërive të tjera, si Siano, Soukas, Tuieni, Ibn-Hani, Al-Basi dhe të tjerë. Gjithashtu, ai njihej për tregti, njohuri, lundrim dhe ishte djep i eposeve dhe legjendave, një arenë për heronjtë dhe tërheqës për kulturën dhe intelektualët.

Vendndodhja

Ugariti (Ras-Shamra) ishte kryeqyteti i një mbretërie të lashtë siriane në mijëvjeçarin e dytë p.e.s. dhe ndodhet 15 km në veri të Latakias. Si një vend madhështor pranë detit në njërën anë dhe ndërmjet lumenjve “Shehib” dhe “El-Dilbeh” në anën tjetër, ky vend tërhoqi sirianët e lashtë të cilët e banuan këtë hapësirë që nga mijëvjecari i VII p.e.s dhe zhvilluan një civilizim të begatë që zgjati pothuajse 5000 vjet.

Zbulimi i Ugarit

Ugariti u zbulua rastësisht në vitin 1928, kur parmenda e një fshatari nga Ras-Shamra goditi thellë gurët e gdhendur që u mblodhën për t’u bërë mbulesa e një familjeje mauzoleumi arkeologjik. Lajmi për këtë zbulim të rëndësishëm arriti shpejt tek autoritetet në Latakia dhe një mision arkeologjik i udhëhequr nga arkeologu francez Dr. Klaude Shaeffer u formua dhe nisi aktivitetet e tij në këtë zonë.

Origjina e emrit

Kjo zonë në ditët tona njihet si “Ras-Shamra”, që rrjedh nga bima e koprës (në arabisht “shamra”). Emri i lashtë, Ugarit, është i vjetër rreth 4000 vjeçar dhe u zbulua në tabelat e zbuluara në “Mbretërinë e lashtë Mari” përgjatë lumit Eufrat. Në shekullin e XIII p.e.s., emri Ugarit ishte i mirënjohur për civilizimet e Levantit (Mesdheut) të lashtë dhe ky emër rridhte nga fjala “ugarus”, që do të thotë “fushë” në arkado-babilonisht.

Shtresat arkeologjike

Kodra “Ras-Shamra” ka një formë trapezoidale të ndarë në pesë shtresa arkeologjike që korrespondojnë me pesë etapa vendbanimi të njëpasnjëshme që nga burimi i parë. Zbulimet arkeologjike përkatëse për secilën etapë tregojnë rreth aktiviteteve të ndryshme të banorëve të kësaj zone.

Këto shtresa janë ndarë me afërsi si më poshtë:

Shtresa e parë: 1600-1200 p.e.s. Periudha e Vonshme e Bronzit
Shtresa e dytë: 2100-1600 p.e.s. Periudha e Mesme e Bronzit
Shtresa e tretë: 3200-2100 p.e.s. Periudha e Lashtë e Bronzit
Shtresa e katërt: 5000-3200 p.e.s. Periudha e Gurit dhe e Bakrit
Shtresa e pestë: 7500-5000 p.e.s. Periudha e Neolitit

Zbulimet arkeologjike

Gërmimet arkeologjike, që kanë nisur që nga viti 1929, kanë rezultuar në zbulimin e ndërtimeve të rëndësishme të pallateve, mauzoleumeve, tempujve dhe vendeve tregtare nga të cilat është realizuar një numër i madh i zbulimeve arkeologjike.

Latakia në këtë kohë është e banuar nga arabët muslimanë të Sirisë. Ky vend vizitohet nga shumë turistë nga e gjitha bota, ku mund të përmendim gjermanët, francezët, italianët, rusët, kinezët, madje edhe shumë shqiptarë, si individë ashtu edhe grupe.

Ky ishte vetëm një vështrim i përgjithshëm i njërit prej vendeve më të lashta dhe një nga civilizimet e mëdha në botën e periudhës parahistorike. Por ky është edhe vetëm një nga vendet historike të një vendi me kulturë shumë të lashtë siç është Siria.

Për më shumë informacion në lidhje me Ugarit do t’ju këshillonim të konsultoheshit edhe me librin e botuar nga autori arab Xhemal Hassan Hajdar në lidhje me këtë vend, në Latakia-Siri, botim i vitit 2003.

Së fundi po japim një pasqyrë të dinastisë mbretërore të Ugarit.

Dinastia mbretërore e Ugarit

1 - Amistamrou I 1400-1300 p.e.s., fillimi i lulëzimit të Ugarit
2 - Nikmadi II 1330-1325 p.e.s.
3 - Arkhalpo 1325-1260 p.e.s.
4 - Nikmiba 1260-1230 p.e.s.
5 - Amistamrou II 1260-1230 p.e.s.
6 - Ibiranou 1230-1225 p.e.s.
7 - Nikmadi III 1225-1220 p.e.s.
8 - Amorabi 1220-1180 p.e.s., rënia dhe shkatërrimi i Mbretërisë së Ugarit.

© Ermal BEGA, Ugarit-Lattakia-Siri, 2004

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *