27 April 2009

Femrat e "ndershme" dhe prostitutat

Ermal BEGA
   Rrjedhat e ndryshme të zhvillimit të botës moderne nga ana ekonomike, politike, gjeo-politike dhe teknologjike, të cilat në Shqipëri u shfaqën pas viteve 90, sollën tek ne edhe degjenerimin në masë të madhe të popullit tonë, e në veçanti të rinisë sonë shkollore dhe universitare. Nevoja e qenit për të kërkuar pakëz liri, duke shkëputur zinxhirët që e kanë keqtrajtuar dhe e kanë keqedukuar atë, si dhe nevoja për t’u bërë i afërt me njerëzit, i bëri shqiptarët që si turma qensh të thyejnë hekurat e burgut komunist që i kishte izoluar në atë birucë shumë të vogël të tokës shqiptare (jo të tërë Shqipërisë etnike). Komunizmi e bëri të vetën, ndërsa demokracia e pas viteve ‘90 e vazhdoi më tej këtë proces të nisur më herët. Komunizmi shqiptaro-ateist, duke i bërë shqiptarët që të largohen nga besimi në Një Krijues, i Cili ka vendosur një rregull jetësor të përsosur për krijesat e Tij në këtë jetë, padyshim që edhe prostitucionin e bëri diçka të natyrshme, por jo të deklaruar. Ndërsa “demokracia” e lejoi prostitucionin si diçka normale, të shfaqur haptas, të deklaruar, por të sulmuar deri diku brenda kufijve të interesave të saj.
    Duhet të kuptojmë se në këtë kohë që po jetojmë (kohët moderne) ekzistojnë dy lloje prostitutash; ato që e shesin trupin, jetën dhe moralin e tyre për një shumë të caktuar parash dhe ato që kryejnë marrëdhënie me kë të duan dhe sa herë të duan, vetëm e vetëm për të kënaqur epshet e tyre shtazore, duke mos i ardhur aspak turp për atë që veprojnë.
   Këtu dua të sjell një argument shumë të vërtetë dhe logjik, për devenë. Mashkulli, kur do të kryejë marrëdhënie seksuale me femrën e tij, shkon dhe fshihet pas ndonjë shkurreje me qëllim që të mos shihet nga njerëzit, kjo sepse Krijuesi ynë i Madhëruar i ka dhënë instiktin e ndjenjës së turpit kësaj kafshe, dhe nëse dikush prej njerëzve do ta shihte një veprim të tillë, atëherë deveja do t’i shkonte pas atij njeriu deri sa ta kapte dhe ta mbyste, duke mos e lënë të gjallë. Kjo është punë kafshësh, po njeriu si vepron...?
     Shqiptarët, siç e përmenda edhe më sipër, duke dalë nga skëterra komuniste që i kishte pllakosur për rreth 50 vjet, u “çliruan” dhe u nisën me të shpejtë drejt Europës dhe Perëndimit, pa menduar se ku do të arrinin. Më vonë, duke menduar se çdo gjë që sillet nga perëndimi i “qytetëruar” ose që shikohet në televizor, duket e mirë dhe duhet zbatuar edhe nga shqiptarët, për këtë arsye edhe veshjet e tyre të degjeneruara ne u detyruam t’i marrim e t’i veshim. Bluzat e ngushta, të hapura e të tejdukshme, fundet sa më të shkurtëra, fustanet e çara deri te kofshët, bluzat e hapura deri te gjinjtë ose të hapura nga prapa derisa të duket jeleku i tyre, bluzat e shkurtëra në mënyrë që të duket kërthiza (për këtë të përmendim dhe të mos harrojmë fjalën e mjekëve, se ato femra, që dalin me bark të zbuluar dhe kërthizën jashtë, janë më të rrezikuara që të mos lindin fëmijë për shkak të ftohjes dhe të bllokimit të organeve të brendshme të femrës për lindjen e fëmijës), janë pjesë e këtij kontigjenti të importuar nga Perëndimi dhe që nuk është aspak i përshtatshëm për popullin tonë shqiptar.
    Imitimi i verbër nga femrat shqiptare i modës perëndimore vizuale solli si rrjedhim numrin prej rreth 30.000 prostitutash shqiptare, të cilat e kryejnë “zanatin” e tyre nëpër rrugët e vendeve anëtare të Europës, si në Itali, Greqi etj. (pa përmendur këtu edhe prostitutat e rrugëve të Shqipërisë). Mos harrojmë edhe numrin e atyre kurvave “të ndershme” shqiptare, që nuk e shesin trupin e tyre për para nëpër rrugë, por një gjë të tillë e bëjnë për qejf dhe për të kënaqur dëshirat e shfrenuara të tyre.
    Ndërkaq, në Europë e në Amerikë, femrat me veshje të tilla konsiderohen si femra të bordellove, shtëpive publike dhe klubeve të natës (striptizëm), ndërsa në vendin tonë kjo dukuri shfaqet haptazi në shoqëri.
   Nëse do të flisnim për sëmundjet e ndryshme infektive, e sidomos për atë sëmundje që konsiderohet si Sëmundja e shekullit XX, atëherë do të duhej të sillnin këtu një shprehje shumë të njohur profetike: “Sa herë që në një popull të caktuar përhapet imoraliteti dhe prostitucioni, në atë popull do të bierë murtaja (e ka kuptimin për të gjitha sëmundjet ngjitëse që rrjedhin prej imoralitetit dhe do të shfaqen sëmundje që nuk njiheshin nga paraardhësit e tyre.”
    Sida, padyshim, është cilësuar si sëmundja më e rëndë e shekullit XX. Rastet e para të Sidës u shfaqën në Belgjikë, në mesin e disa punëtorëve dhe nëpunësve që kishin qenë në Zaire (europianë që kishin qenë më punë në Zaire). Në vitin 1979, SIDA paraqitet edhe në SHBA. Në vitin 1980 janë shënuar vetëm 58 raste të SIDËS vetëm në SHBA, ndërsa jashtë saj, në po atë vit janë shënuar përafërsisht 2000 raste. Është konstatuar se 72 % e këtyre rasteve kanë qenë persona që merreshin me “seks të shfrenuar”. Ndërsa në Shqipëri kjo sëmundje vdekjeprurëse u shfaq pas viteve ’90-të me hyrjen e pluralizmit e të “demokracisë” në vendin tonë.
    Hulumtuesit perëndimorë konsiderojnë se ekzistojnë disa shkaktarë kryesorë të përhapjes së sëmundjeve gjenitale. Dr. Uillkoks në gazetën mjekësore për Amerikën Veriore “Medical Clinics J.N.America”, e vitit 1972 (nr. 2) thotë: “Nga shkaktarët e zgjerimit dhe të përhapjes së sëmundjeve në mjediset perëndimore, përkundër përparimit të mrekullueshëm të mjekësisë, janë edhe këto:
    1. Tolerimi dhe lejimi i marrëdhënieve (të lira) seksuale në shoqëri, para dhe pas martese.
   2. Përdorimi i shtuar i mjeteve për parandalimin e shtatzënisë, duke qenë se shtatzënia ishte një nga arsyet më të forta që e ndalonte gruan nga marrëdhëniet seksuale. Humbja e këtij faktori bëri që të shtohet imoraliteti dhe prostitucioni tek gratë, pa iu frikësuar shtatzënisë.
   3. Përhapja e “seksit të lirë” të një gruaje me shumë meshkuj dhe e kundërta. Meshkujt nuk kënaqen vetëm me një grua, e as gruaja vetëm me një mashkull, por njeriu kryen marrëdhënie me një numër të madh grash dhe e kundërta. Po ashtu, edhe seksi i shfrenuar po përhapet shumë shpejt në vendet perëndimore.
   Në shoqëritë perëndimore, me të shpejtë u përhap “liria e seksit”, veçanërisht në mesin e të rinjve, prej të cilëve shumica e kanë humbur ndjenjën e vetëkontrollit, të dashurisë dhe të ngrohtësisë së jetës familjare.
   Dr. Shofild në librin e tij “Sëmundjet gjenitale” (botimi i tretë) argumenton përhapjen e shpejtë të sëmundjeve gjenitale dhe konsiston se shkak i kësaj është shfaqja dhe përhapja e “seksit të lirë” dhe numri i madh i partnerëve seksualë. Ai thotë se përhapja e “seksit të lirë” ka ndodhur nga këto shkaqe:
    1. Rritja e botëkuptimeve materialiste dhe largimi nga feja dhe nga morali i përsosur fetar;
  2. Qëndrimi tolerant i shoqërisë ndaj imoralitetit (prostitucionit) dhe ndaj dukurive të shfrenuara të marrëdhënieve seksuale;
   3. Përhapja e informacioneve dhe e të dhënave mbi seksin, nëpërmjet mjeteve të informimit (që po ndodh me të madhe edhe në Shqipëri);
    4. Përdorimi i drogës e i alkoolit;
   5. Mosha e hershme e pjekurisë së djemve dhe vajzave, e cila është ulur në 11-12 vjeç, në vend të 14-16 vjeç, sa ishte më parë;
   6. Punësimi i nënave jashtë shtëpisë solli mungesën e lidhjes emocionale ndërmjet fëmijëve dhe prindërve edhe përkrah statusit të lartë social.
    Dr. Shofild, më tutje, thotë: “Qëndrimi tolerant i shoqërisë ndaj të gjitha formave të marrëdhënieve seksuale është në rritje të vazhdueshme, saqë nuk ekziston më asnjë ndjenjë turpi nga prostitucioni dhe nga cilido lloj tjetër i seksit të ndaluar ose jonormal. Përkundrazi, mjetet e informimit kanë formuar një bindje të tillë, sipas së cilës është turp për djalin apo për vajzën që të jenë të virgjër. Pastërtia e djemve dhe e vajzave në perëndim është bërë një gjë plotësisht e pakuptimtë.”
   Mjetet e informimit ftojnë në “seks të lirë” dhe e nxisin atë, duke e konsideruar si dukuri normale dhe të natyrshme.
   Nëse do të flasim për në Shqipëri, do të vërejmë të njëjtën dukuri destruktive, pasi mjetet e këtushme të informimit publik transmetojnë në ekranet e tyre emisione të ndryshme banale. Kjo ndodh bile edhe në televizionet më të njohura në Shqipëri. Të mos flasim pastaj edhe për lokalet e ndryshme, diskot, parqet ose shëtitoret e Shqipërisë, ku rinia jonë me qëllim del që të “gjuajë” ndonjë të dashur sa për të kaluar një natë ose disa kohë me të. Rinia shqiptare u bë një pasuese e rëndësishme e atyre shkaqeve, të cilat Dr. Shofild i përmendi më lart. Shkatërrimi kryesor i rinisë sonë vjen nga largimi i besimit në Një Zot dhe edukimi i tyre me frymën moralo-fetare.
   Por gjëja më anormale që po ndodh momentalisht në Shqipëri është se mënyrat e veshjeve, të cilat i përmendëm më sipër tek shqiptarët, nuk i praktikojnë vetëm femrat e reja për të shpalosur më mirë modën ekstravagante, por edhe gratë e moshuara. Ka disa nëna, që duke i veshur këto rroba, “i këshillojnë” edhe bijat e tyre që të vishen në të njëjtën mënyrë, por ka edhe disa nëna të tjera, të cilat edhe pse nuk e pëlqejnë për vete të vishen në një mënyrë të tillë, “i këshillojnë” vajzat e tyre që të bëjnë një gjë të tillë, imorale dhe të pandershme.
    Këto femra, që ndryshe mund të quhen edhe “kurva të ndershme”, mund të kryejnë çdo gjë imorale, njësoj si ato prostitutat e ndyra dhe mund të luash si të duash me to, por nuk e pëlqejnë veten që të konsiderohen si prostituta (vetëm e vetëm se ato nuk e shesin trupin për para, por e japin “falas” dhe gjithçka e bëjnë vetëm për të kënaqur një “qejf” të fëlliqur të tyre).
   Por si do t’i vejë halli këtyre vajzave shqiptare, me një histori morale të gjatë në historinë e tyre? A mos vallë kjo ishte një dëshirë e tyre, ardhur vetëm për të arritur deri në këtë shkallë, apo mos ishin interesat e qeverive të ndryshme në Shqipëri dhe rotacionit të tyre? Mos ishin interesat e të huajve (jo shqiptarë), të cilët u munduan të na sjellin në Shqipëri atë “kulturë” të degjeneruar të tyre?
   Edhe pse tek ne janë krijuar me qindra organizata të ndryshme për ndihmë ndaj prostitutave dhe femrave imorale, prapëseprapë nuk ia kanë arritur që të ndihmojnë tërësisht ndonjë prej tyre dhe as nuk do t’ia arrijnë kurrë.
   Është vërtetuar shkencërisht se, ai person që nuk është i edukuar me frymë fetare, nuk ka mundësi që të ndihmojë dikë tjetër në po të njëjtën gjendje.
   Është një e vërtetë e pamohueshme se morali fetar islam ka luajtur dhe po luan një rol shumë të madh në ndalimin e marrëdhënieve jashtëmartesore dhe imorale. Në vendet arabe muslimane nuk do të gjesh asnjë të infektuar me SIDA (Aids) ose me sëmundje të tjera të ndryshme seksualisht të transmetueshme. Kjo ndodh sepse njerëzit që në fëmijërinë e tyre mësojnë që të qëndrojnë larg kontakteve me meshkujt e huaj, me të cilët nuk kanë të drejtë që të krijojnë lidhje martesore dhe mësojnë gjithashtu se imoraliteti është një gjë shumë e urryer nga Krijuesi.
    Mjerë për ato femra dhe nëna që këtë veprim e kanë si ideal të tyre. Mjerë për ato femra dhe nëna, që nuk e dinë pse janë nëna. Mjerë për ato femra dhe nëna që rrisin këtë lloj brezi të vajzave në kohët e sotme “moderne”. Mjerë për ato vajza që nesër do të bëhen nëna dhe do t’i rrisin vajzat e tyre me po të njëjtën mënyrë. Mjerë për ne shqiptarët se në çfarë kohë po jetojmë. Mjerë për ne që nuk besojmë siç duhet në Zot dhe nuk i frikësohemi Atij.
    Sa mirë do të shkonte poezia “Shqipëtar” e Çajupit për këtë kohë dhe për këtë rini shqiptare, vetëm se me disa ndryshime të vogla:

    Shqipërin’ e mori greku (serbi, çifuti, vllehu, arumuni, maqedoni)
    i vu zjarr!
    Shqipëtar, mos rri, po duku,
    shqipëtar!
    Mjaft punove për të tjerë,
    o fatkeq,
    Kujto vendin tek ke lerë
    dhe tek heq.
    Të ka bërë Zoti
    luftëtar,
    si s’të lodhi robëria (ndaj njerëzve, jo ndaj Zotit)
    shqipëtar?

   I lutem nënave dhe motrave shqiptare që këtë artikull të mos e kuptojnë si një reagim të keq kundër të gjitha femrave dhe grave shqiptare në tërësi, por ky është një reagim vetëm për një pjesë të tyre. Unë jam shumë i vetëdijshëm se nuk mund të përgjithësohen kurrë të gjitha femrat dhe gratë shqiptare, sepse ka shumë të tilla që janë me të vërtetë tepër të moralshme dhe shumë të ndershme.

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *