RUBAIJJATI UMER
KHAJJAMIT
(Përkthyer nga i madhi Hafiz Ali Korça)
(Përkthyer nga i madhi Hafiz Ali Korça)
Rubairat (Rubaijjati) e Umer Khajjamit, të përkthyera në gjuhën shqipe nga
një dorë mjeshtërore si ajo e Hafiz Ali Korçës, është padyshim një nga
kryeveprat botërore të sjella, për fatin tonë, edhe në tryezën tonë shqiptare,
për të shijuar dhe për të përfituar sa më shumë prej fryteve të tyre. Këto janë
disa vjersha në vargje (ruba'i – d.m.th. katrorë në arabisht, ku rrokja e
fundit e vargut të parë, të dytë dhe të katërt përputhen me njëra-tjetrën) të
cilat bëjnë fjalë për jetën në të cilën jetonte vetë Khajjami, por edhe
këshilla të vlefshme edhe për kohën tonë. Kjo buqetë trëndafilash është
padyshim edhe përkthimi më serioz dhe më i saktë në gjuhën shqipe, ndryshe nga
ai i Nolit, i cili e përktheu thjeshtë nga gjuha angleze, përkthyer nga
Fitzgeraldi në gjuhën angleze për evropianët. Hafiz Ali Korça që në hyrje të
këtij përkthimi i tërheq vërejtjen Nolit për pasaktësitë që ka përkthimi dhe
botimi i tij në shqip. Ndërsa Noli në përkthimin e tij na del me një pseudonim,
atë të Rushit Bilbilit (duhet pasur parasysh se Noli në kohën e tij ka përdorur
disa pseudonime të ndryshme, dhe si për çudi të gjitha i ka pasur me emra
muslimanësh), Hafiz Aliu nuk nguroi që ta nxirrte këtë libër me emrin e tij të
vërtetë, bile në kohën më të vështirë kur diktatura komuniste-ateiste po merrte
të përpjetën. Dhe kjo nuk ka se si të shpjegohet ndryshe për Nolin, se ai mund
të ketë pasur edhe tendenca të tjera për ta treguar atë pjesë islame që
përmbajnë rubairat në këtë libër si diçka banale dhe të pavlerë, duke treguar
p.sh. për çështjet në lidhje me verën (alkoolin) ose femrat (çupat siç i
përmend Noli), dhe duke dashur që njerëzit, megjithëse me shumë mangësira dhe
pa i kuptuar, ta pranonin përkthimin e tij si të mirë dhe të pastër nga ana e
përkthimit e ajo gjuhësore. Padyshim që Noli nuk e ka ditur persishten, dhe nuk
ka studjuar mbi rubairat e sakta në gjuhën persiane, ashtu siç bëri Hafiz Ali
Korça ku këtu tregon se Khajjamit shumë prej rubairave të tij i janë futur prej
të tjerëve, me qëllim e pa qëllim. Një ndikim shumë të madh në mosnjohjen prej
shqiptarëve të përkthimit të Rubairave nga poligloti, dijetari, shkencëtari dhe
atdhetari i madh shqiptar, Hafiz Ali Korça, ka luajtur edhe sistemi diktatorial
komunist, ku shumicën e librave që kishin të bënin me fetë në përgjithësi, e
atë islame në veçanti, i morën e i dogjën, dhe në këtë mënyrë figura e madhe e
Hafiz Ali Korçës mbeti e panjohur për shumë vjet, dhe me to edhe shumë botime e
shkrime të tij.
Prapëseprapë, ne jemi shumë të lumtur që më në fund lexuesit e nderuar të
cilët kanë qenë dhe janë të painformuar për ekzistencën e një përkthimi të
tillë, tashmë mund ta kenë në shtëpitë dhe bibliotekat e tyre këtë kryevepër
botërore-orientale, ku pas çdo leximi ata do të mbetem tepër të kënaqur.
No comments:
Post a Comment