23 July 2011

Orientalizmi grabitqar (Ku ishte gabimi?)

M. Shahid ALAM*

ORIENTALIZMI GRABITQAR
Ku ishte gabimi?

M. Shahid ALAM
Shumë kohë më herët, përpara se lëvizja sioniste të binte mbi kokat e palestinezëve të padyshimtë, zërat më pak fanatikë në fushën e studimeve orientale ishin zakonisht ato të çifutëve europianë.
Në kohën kur shumë orientalistë e mendonin profetin Muhamed si një mashtrues, e barazonin Islamin me fanatizmin, shpifnin për Kur’anin duke e konsideruar si një libër të ashpër dhe me kundërthënie, dhe ku gjithashtu pohonin se arabët janë të paaftë nga ana mendore, studiuesit çifutë të Islamit, shpesh kishin një pikëpamje të kundërt. Ata e pranonin sinqeritetin e misionit të Muhamedit, i përshkruanin arabët si “çifutët mbi kalë,” e shihnin Islamin si një fe të zhvilluar e cila është më demokratike se fetë e tjera, ndërkohë që orientalistët përgënjeshtrues pohonin se ka një Islam të pandryshuar dhe një Perëndim dinamik.
Për ironi, këta çifutë pro-islamë nuk mundën t’i shpëtojnë interesit të pangopur të Bernard Lewis, udhëheqësit të orientalistëve të rinj sionistë. Në një ese të tij të shkruar në vitin 1993, ai shkruan se ata “ishin ndër të parët të cilët u përpoqën që t’ia paraqesin Islamin lexuesve europianë siç e shohin vetë muslimanët dhe për të nënvizuar, pranuar, dhe ndonjëherë për të romantizuar meritat dhe arritjet e qytetërimit islam në ditët e tij më të famshme.” Kjo do të thotë se këta çifutë ishin anti-orientalistë shumë kohë përpara Edward Said-it.
Këto pikëpamje të kundërta e kanë origjinën nga një varg shkaqesh. Kur çifutët filluan që të hynin në rrjedhat e përgjithshme europiane, duke nisur që nga shekulli i nëntëmbëdhjetë, ata ishin ende të huaj, dhe vetëm kohët e fundit ata dolën nga mbyllja në getot e tyre, dhe do të ishte pothuajse e çuditshme nëse ata do të përpiqeshin të ruanin të veçantat e tyre duke u shprehur dhe duke u identifikuar me arritjet e një populli tjetër semit, arabët. Me lartësimin e qytetërimit arab, këta dijetarë çifutë ndoshta po i dërgonin një mesazh jo shumë të lehtë Europës së krishterë se qytetërimi i tyre nuk ishte i vetëm, por që arritjet e muslimanëve shpesh i kanë lënë pas ato të tyre, dhe se arritjet e europianëve janë ngritur mbi arritjet e kundërshtarëve të tyre në shkencë dhe filozofi. Prandaj, diskutimet e tyre mbi tolerancën fetare dhe racore në shoqëritë islame, ndaj çifutëve në veçanti, mund të kenë ofruar shpresën që kjo ka qenë e arritshme edhe në Europë. Gjithashtu, ajo mund të ketë qenë një ftesë ndaj europianëve për ta përfshirë tolerancën fetare dhe racore në standardet e tyre të qytetërimit.
Fuqia e këtij anti-orientalizmi të hershëm të studiuesve çifutë nuk do të përfundojë ndonjëherë; ajo nuk do t’i mbijetojë lëvizjes sioniste përderisa kërkon që të krijojë një shtet çifut në Palestinë. Një shtet i tillë mund të shfaqet vetëm si një fëmijë i jashtëligjshëm i fuqive imperialiste, dhe ai mund të ekzistojë vetëm duke e shpërngulur pjesën më të madhe të popullsisë palestineze, duke i bashkuar ata në një shtet aparteid, ose përmes disa kombinimeve mes këtyre të dyjave. Prandaj, sapo të krijohet, Izraeli do të mbijetojë vetëm si një shtet luftarak, ekspansionist dhe hegjemon, vazhdimisht në luftë me fqinjët e vet.
Me fjalë të tjera, kur projekti sionist hyri në fazën e tij të zbatimit pas vitit 1918, ishte e pashmangshme që tërheqja e çifutëve europianë për Islamin të mos ishte e qëndrueshme. Në të vërtetë, ajo duhej zëvendësuar nga një kundërshtim më i ashpër, në të cilin çifutët, si bashkëpunëtorët më të rinj të fuqive imperialiste, do të kërkonin që të thellonin projektin orientalist në shërbim të fuqisë së Perëndimit. Bernard Lewis luajti një rol kryesor në këtë riorientim. Sipas fjalëve të Martin Kramer, edhe ky një orientalist sionist, Bernard Lewis “e personifikoi ndryshimin e pasluftës nga një qëndrim dashamirës në një qëndrim kritik.”
Në mënyrë ironike, ky ndryshim ndodhi atëherë kur shumë orientalistë nisën që të lëshojnë paragjykimet e tyre të krishtera kundër Islamit, ndërsa disa prej tyre bënin përmirësime në teprimet e të parëve të tyre. Një faktor tjetër që e ndihmonte këtë ndryshim drejt një orientalizmi më pak polemik ishte futja e një numri në rritje të arabëve, muslimanë dhe të krishterë, në fushën e studimeve mbi Lindjen e Mesme. Rezultati më i dukshëm i këtyre prirjeve të kundërta ishte një polarizim i fushës së studimeve të Lindjes së Mesme në dy grupe të kundërta.
Njëri grup, i përbërë kryesisht nga të krishterë dhe muslimanë, ka punuar për të sjellë një objektivitet të madh në studimin e tyre të Islamit dhe shoqërive islame. Ata duan që t’i vendosin çështjet e tyre në formën e historisë, t’i shohin shoqëritë islame si rregullues të sfidave të parashtruara nga Perëndimi, e jo si armiq të lindur të Perëndimit dhe vlerave perëndimore, dhe as të rënë në kurth nga disa mënyra të shikimit të gjërave në mënyrë të pandryshueshme dhe të paqarta. Grupi i dytë, tani i drejtuar kryesisht nga çifutë, është rikthyer në misionin origjinal të orientalizmit për të nënshtruar diturinë tek fuqia perëndimore, tani të depërtuar përmes prizmit të interesave sioniste. Ky orientalizëm sionist ka kërkuar me ngulm që ta përshkruajnë Islamin dhe shoqëritë islame si kundërshtarë të përhershëm të Perëndimit, si dhe të modernizmit, demokracisë, tolerancës, përparimeve shkencore, dhe të drejtave të grave. Ky grup i sionistëve është udhëhequr për më shumë se pesëdhjetë vjet nga Bernard Lewis, i cili ka pasur një marrëdhënie të ngushtë me pushtetin i cili do të ishte lakmia e orientalistëve më të famshëm të një gjenerate më herët. Ai përkrahej fort nga një kontingjent i togerëve të aftë, gradat e të cilëve kanë përfshirë atë të Leonard Binder, Elie Kedourie, dhe David Pryce-Jones. Ka edhe shumë ushtarakë të tjerë të cilët kanë bërë një shërbim të shquar për këtë orientalizëm të ri. Përmbledhja e këtyre ushtarakëve nuk do të quhej e përfunduar pa emrat e Daniel Pipes, Martin Kramer, Thomas Friedman, Martin Peretz, Charles Krauthammer, William Kristol dhe Judith Miller.
Unë u përpoqa që të bëj të qartë një përplasje ndërmjet këtyre orientalistëve të rinj dhe disa prej paraardhësve të tyre të shquar si Hienrich Heine, Abraham Geiger, Gustav Weil, Franz Rosenthal, dhe të famshmit Ignaz Goldziher. Çfarë do t’i thonë këta çifutë pro-islamë pasardhësve të tyre kur orientalizmi i të cilëve i denigroi dhe i poshtëroi shoqëritë që ata i studiuan dhe të cilët punuan për të nxitur një luftë qytetërimi mes Islamit dhe Perëndimit? A do të mundet Geiger dhe Goldziher që ta përfshijnë Lewis dhe Kedourie, apo ata do të zmbrapsen nga orientalizmi i tyre i ri dhe grabitqar?

Ky artikull është botuar për herë të parë në gjuhën shqipe, në revistën “URA”, nr.6, Pranverë-Verë 2011.

Përktheu nga gjuha angleze:
Ermal BEGA

Ky artikull është marrë nga faqja: http://aslama.org/Islam/IslamNovember062002.pdf


* M. Shahid Alam jep mësim në lëndën e ekonomisë në Northeastern University. Libri i tij i fundit, Poverty from the Wealth of Nations (Varfëri nga pasuria e kombeve), është botuar nga Palgrave në vitin 2000. Ai mund të kontaktohet nga adresa e e-mailit: m.alam@neu.edu

No comments:

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Contact Form

Name

Email *

Message *